Leoni XIV: është detyrim moral të mbrohen civilët nga efektet e tmerrshme të luftës
R.SH. / Vatikan
"Parimi i humanitetit i shkruar në ndërgjegjen e çdo njeriu,që njihet edhe në ligjet ndërkombëtare, përfshin detyrimin moral për të mbrojtur popullsinë civile nga efektet e tmerrshme të luftës".
Kjo është thirrja që Papa Leoni XIV bëri këtë mëngjes, 12 prill, drejtuar afërsisht 18,000 besimtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore.
Vëmendje e vazhdueshme ndaj tragjedisë së luftës në Ukrainë
Papa u shprehu urimet e tij më të mira për paqe "në bashkësi feje me Zotin e Ngjallur" Kishave Lindore, të cilat sot festojnë Pashkët sipas kalendarit Julian. Lutjet e tij u bënë edhe më prekëse për ata që vuajnë nga shkaku i konfliktit, veçanërisht "për popullin e dashur ukrainas".
Drita e Krishtit u sjelltë ngushëllim zemrave të pikëlluara dhe e forcoftë shpresën për paqe. Bashkësia ndërkombëtare mos e humbtë kurrë nga sytë tragjedinë e kësaj lufte!
Dhimbje, frikë e shpresë në Liban
Nga Evropa - në Lindjen e Mesme, Papa Leoni XIV reflektoi mbi "ditët e dhimbjes, të frikës", por edhe "të shpresës së pamposhtur në Zotin", përjetuar nga populli "i dashur" libanez.
U bëj thirrje palëve në konflikt që ta ndalojnë zjarrin dhe të kërkojnë urgjentisht zgjidhje paqësore.
"Sa shumë vuan populli sudanez"
Në vazhdim të shtegtimit të tij imagjinar botëror, Papa e ktheu më pas shikimin nga Afrika, duke kujtuar se e mërkura, 15 prill, do të shënojë tre vjet që nga fillimi i konfliktit "të përgjakshëm" në Sudan.
Sa shumë vuan populli sudanez, viktimë e pafajshme e kësaj tragjedie çnjerëzore!
Ipeshkvi i Romës ripërtëriu thirrjen e tij drejtuar palëve ndërluftuese që të ulin armët dhe të fillojnë, "pa parakushte, një dialog të sinqertë, që synon t'i japë fund kësaj lufte vëllavrasëse sa më shpejt të jetë e mundur".
Lutje gjatë shtegtimit apostolik
Pasi përshëndeti grupet e shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kërkoi shoqërim në lutje për udhëtimin apostolik, që nis nesër, më 13 prill.
Kujtoi edhe se do të vizitojë katër vende afrikane: Algjerinë, Kamerunin, Angolën dhe Guinenë Ekuatoriale.
