Leoni XIV drejtuar INPS-it: mirëqenia është e drejtë njerëzore, mbrojeni solidaritetin dhe barazinë
R.SH. - Vatikan
E gjithë doktrina shoqërore e Kishës, nga Leoni XIII, deri te Françesku, e ka pasur gjithnjë "në qendër" "përgjigjen ndaj nevojave konkrete të njerëzve", në një rrugë të fortë dhe koherente që "çon" në letrën enciklike të Papës Françesku “Fratelli tutti” dhe riafirmimin se shteti i mirëqenies është "e drejtë universale".
E ky është edhe kuptimi i thellë i fjalimit që Leoni XIV mbajti sot, 10 prill, para 400 punonjësve dhe drejtuesve të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (INPS), të pritur në audiencë në Sallën Clementine të Pallatit Apostolik.
Nxitja e përgjegjësisë shoqërore
Papa theksoi se "roli social" i këtij institucioni konsiston në adresimin e "nevojave të shumë njerëzve të cenueshëm përmes mekanizmave për shpërndarjen e barabartë të pasurisë". Ky mision legjitimon INPS-in për të "vepruar në mënyrë efektive në nxitjen e përgjegjësisë sociale, që përkon me zhvillimin ekonomik dhe kohezionin e bashkësisë".
Miliona njerëz pa ushqim e pa kujdes shëndetësor
Papa, më pas, e zgjeroi shikimin në situatën ekonomike globale: megjithëse ka "shumë pasuri në përgjithësi - theksoi - numri i të varfërve vijon të rritet"
Qindra miliona njerëz në të gjithë planetin janë të zhytur në varfëri ekstreme: u mungon ushqimi, strehimi, kujdesi mjekësor, shkollat, energjia elektrike, uji i pijshëm dhe shërbimet kryesore shëndetësore. Megjithatë, pasuria joproporcionale mbetet në duart e disa njerëzve. Është situatë e padrejtë, përballë së cilës duhet t’i vëmë vetes një pikëpyetje dhe të angazhohemi për t’i ndryshuar gjërat.
Shkaku i kësaj situate "pabarazie" nuk është "mungesa e burimeve". Për ta zgjidhur duhet vullneti i përballimit, duke synuar "shpërndarje më të drejtë, të realizuar me ndjenjë morale e ndershmëri".
Shqetësimi shekullor i Kishës për më nevojtarët
Shqetësimi për botën e punës dhe për ndihmën ndaj nevojtarëve përshkon të gjithë doktrinën shoqërore të Kishës, duke filluar nga mësimi i Papës Leoni XIII i cili, në enciklikën Rerum Novarum, u bëri thirrje shprehimisht agjencive të sigurimeve shoqërore dhe të mirëqenies "të parashikojnë, që të mos ketë kurrë mungesë pune për punëtorin".
Shën Gjoni XXIII, në enciklikat Mater et Magistra dhe Pacem in Terris, e lartoi mirëqenien, duke e quajtur e drejtë njerëzore, linjë mjeshtërore e ndjekur edhe nga Shën Pali VI. Derisa arriti tek Gjon Pali II edhe kritika e tij ndaj mirëqenies, si edhe enciklika e Benediktit XVI Caritas in Veritate. Rrugë koherente, që kulmon në enciklikën Fratelli Tutti të Papës Françesku.
Modeli i propozuar është ai i sistemit të sigurisë solidare, i bazuar në parimet e subsidiaritetit, përgjegjësisë sociale dhe vëllazërisë njerëzore, gjithnjë me qëllim drejtimin e ndërhyrjeve të mirëqenies për t'i lejuar të gjithëve "jetë dinjitoze, përmes punës".
Një fushë në të cilën, në Itali, INPS është padyshim "lojtar kryesor"
Për këtë arsye, duke siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, angazhimi juaj duhet të synojë gjithmonë mbrojtjen e solidaritetit dhe drejtësisë së tij, si në aspektin e pensioneve, ashtu edhe në shoqërimin e punëtorëve gjatë gjithë karrierës së tyre profesionale - theksoi Papa.
E panjohura e IA-së në botën e punës
Kjo detyrë është edhe më e rëndësishme kur krahasohet me skenarët e punës të shekullit të 20-të, "ndryshuar" nga "industrializimi i biznesit", "outsourcing i prodhimit", "kostot e larta të punës" dhe "zhvillimi i shpejtë teknologjik". Faktori i panjohur i inteligjencës artificiale duket i madh, "ende për t'u analizuar dhe për t’u vlerësuar në shumë aspektet e tij". Ndryshime që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikim vendimtar në jetën e njerëzve.
Shtigjet e punës, të cilat për një kohë të gjatë ishin kryesisht lineare, me vende pune që shpesh mbaheshin për gjithë jetën, tani karakterizohen nga pasiguria dhe ndryshimet më të mëdha, me rritjen e modeleve të punës me afat të caktuar, me kohë të pjesshme, të përkohshme, në gatishmëri dhe shpesh të vetëpunësuar, në format më të larmishme dhe hibride.
Ftesa për të "mos e harruar njeriun"
Në fund të fjalës së tij, Leoni XIV i kujtoi dhe i bëri të vetat fjalët nxitëse që Papa Françesku ua pati drejtuar prijësve dhe punonjësve të INPS në vitin 2015, kur i nxiti të “mos e harrojnë njeriun”, të “punojnë - për ata që punojnë” dhe “t’i mbështesin më të dobëtit”, duke ua garantuar “dinjitetin dhe lirinë për të jetuar një jetë autentikisht njerëzore”.
