Kërko

Leoni XIV: çdo gjest solidariteti e faljeje është një kafshatë buke për njerëzimin

Në Meshën e kryesuar me 120.000 besimtarë në stadiumin Japoma në Douala, Papa u përqendrua në mënyrat që duhen për t'iu përgjigjur urisë materiale dhe shpirtërore të popullsisë. I ftoi të rinjtë kamerunezë të bëhen "lajm i mirë" për vendin e tyre dhe i nxiti të mos i dorëzohen dëshprimit: "Refuzoni çdo formë abuzimi e dhune, që mashtrojnë duke premtuar fitime të lehta, ndërsa e bëjnë zemrën gur".

R.SH. / Vatikan

Një valë energjie shpirtërore po e trondit përsëri popullin kamerunas. Kjo ndodhi sot, 17 prill, në Meshën e kryesuar nga Papa Leoni XIV në stadiumin Japoma të Douala-s, kryeqytet ekonomik i Kamerunit, në të njëjtën frymë që Kryeipeshkvi e kishte theksuar dje gjatë kremtimit në aeroportin e Bamendës. Dhuna dhe shtypja nuk mund t’i errësojnë vlerat mbi të cilat është themeluar populli: besimin, familjen, mikpritjen, punën. Papa i nxiti brezat e rinj të vendit të ndërtojnë mbi këto vlera, në mënyrë që të jenë protagonistë të vërtetë të së ardhmes së tyre.

Ku është Zoti përpara urisë së njerëzve?

Fragmenti i shkëputur nga kapitulli i 6-të i Ungjillit të Gjonit (Gjn 6,1-15), që rrëfen shenjën e Jezusit, me të cilën garanton bukë për të gjithë, pavarësisht se nuk është e mjaftueshme, i ofron Pasardhësit të Pjetrit shtysën për të nxjerrë në pah se Lajmi i Mirë - Ungjilli është providencial, edhe për këtë realitet gjeografik e njerëzor.  Papa tregon kuptimin e tij për të gjithë konkretësinë e sugjeruar nga Shkrimi Shenjt, dhe e paraqet në formën e pyetjeve, që mund ta sfidojnë thellësisht ndërgjegjen e çdo individi, si kishtare, ashtu edhe politike e shoqërore, përballë sfidave të sotme në këto kontekste të ligështuara nga krizat e lashta dhe ende të pazgjidhura.

Kjo pyetje i drejtohet secilit prej nesh: u drejtohet baballarëve dhe nënave që mbrojnë familjet e tyre. U drejtohet barinjve të Kishës, të cilët mbikëqyrin grigjën e Zotit. U drejtohet atyre që kanë përgjegjësinë shoqërore dhe politike të kujdesen për popullin dhe mirëqenien e tij. Krishti ua bën këtë pyetje të fuqishmëve dhe të ligshtëve, të pasurve dhe të varfërve, të rinjve dhe të moshuarve, sepse të gjithë kemi uri njësoj. Kjo varfëri na kujton se jemi krijesa. Kemi nevojë të hamë, për të jetuar.

Solidariteti dhe falja janë bukë për njerëzimin nevojtar

Ndarja dhe mirënjohja, saktëson më tej Papa, janë mrekullia e vërtetë e kryer nga Jezusi, i cili nuk sillet si mbret që ndjek suksesin personal, por si  shërbëtor i dashur: "Ka bukë për të gjithë, nëse u jepet të gjithëve". Jo një dorë që kap, por një dorë që jep. Ky qëndrim është aspekti vendimtar, i cili vepron si shumëzues: "Duke e bërë këtë, ushqimi është i bollshëm: nuk racionohet nga urgjenca, nuk vidhet nga grindja, nuk shpërdorohet nga ata që ngopen, para atyre që nuk kanë asgjë për të ngrënë".

Çdo gjest solidariteti dhe faljeje, çdo nismë bamirësie, është një kafshatë buke për njerëzimin, që ka nevojë për kujdes. E megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme. Me ushqimin që ushqen trupin, duhet gjithashtu që, me bamirësi të barabartë, të kombinojmë ushqimin e shpirtit, i cili ushqen ndërgjegjen tonë, na mbështet në orën e errët të frikës, ndërmjet hijeve të vuajtjes. Ky ushqim është Krishti.

Të jini fytyra dhe duar, që sjellin ushqimin e dijes e të shpërblimit

Si vëllezër dhe motra të Jezusit, shumëfishoni talentet tuaja me fenë, këmbënguljen dhe miqësinë, që ju frymëzojnë. Qofshi të parët që do të jeni fytyrat dhe duart, të cilat u sjellin të tjerëve bukën e jetës: ushqimin e mençurisë dhe shpengimit nga gjithçka që nuk na ushqen, por përkundrazi, na i ngatërron dëshirat e mira dhe na e grabitë dinjitetin tonë.

Refuzojeni abuzimin, dhunën dhe fitimet e lehta

Mos u dorëzoni para mosbesimit dhe dekurajimit; refuzojini të gjitha format e abuzimit e të dhunës, të cilat mashtrojnë duke premtuar fitime të lehta, por e ngurtësojnë zemrën dhe e bëjnë atë të pandjeshme. Mos harroni se populli juaj është edhe më i pasur se kjo tokë, sepse thesari i saj - janë vlerat e saj: besimi, familja, mikpritja, puna.

Gjurmimi i shtigjeve të drejtësisë, në një tokë të shtypur dhe të vuajtur

Të shpallësh Jezusin e Ngjallur do të thotë të gjurmosh shenjat e  drejtësisë në një tokë të vuajtur dhe të shtypur, shenja paqeje ndërmjet rivalitetit dhe korrupsionit, shenja besimi, që na çlirojnë nga supersticioni e nga indiferenca.

17 prill 2026, 12:49