Kërko

Leoni XIV: Papa Françesku, dhuratë për Kishën dhe për mbarë botën

Në fluturimin nga Angola drejt Guinesë Ekuatoriale, etapa e fundit e udhëtimit apostolik, Leoni XIV kujton me dashuri paraardhësin e tij Papa Françeskun në ditën e përvjetorit të parë të vdekjes: “Ka dhuruar shumë me jetën e tij dhe me afërsinë ndaj të varfërve. Ka predikuar mesazhin e mëshirës. Lutemi që ai të jetë duke shijuar mëshirën e Zotit”.

R.SH. – Vatikan

Dua ta kujtoj në këtë përvjetor të parë të vdekjes së tij Papën Françesku, i cili ka lënë dhe ka dhuruar shumë për Kishën, me jetën e tij, dëshminë e tij, fjalën dhe gjestet e tij. Për atë që ka bërë duke jetuar vërtet afërsinë me më të varfrit, më të vegjlit, të sëmurët, fëmijët dhe të moshuarit”. Është dita e transferimit nga Angola në Guinenë Ekuatoriale, etapa e fundit e udhëtimit apostolik në Afrikë, por është edhe një ditë e veçantë: përvjetori i parë i vdekjes së Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë në agimin e 21 prillit 2025. Një përkujtim i përjetuar me pjesëmarrje të madhe këto orë në mbarë botën. Edhe Papa Leoni XIV, gjatë fluturimit nga Luanda drejt Malabos, nuk ka dashur të mungojë me një mendim personal për paraardhësin e tij, të bashkëndarë me rreth 70 gazetarë që e shoqëronin sot gjatë fluturimit nga Angola drejt Guinesë Ekuatoriale.

Promovimi i vëllazërisë
Një kujtim i mbushur me dashuri dhe mirënjohje për një Papë që – tha Leoni XIV – “i ka lënë shumë Kishës me dëshminë dhe fjalën e tij”. “Shumë gjëra” mund të kujtohen për Jorge Mario Bergoglio-n, por Leoni XIV përmendi mbi të gjitha thirrjen e pandërprerë për “vëllazërinë universale”: Papa Françesku është përpjekur vërtet të “promovojë një respekt autentik për të gjithë njerëzit, për të gjitha gratë dhe burrat, duke nxitur një frymë vëllazërie, për të qenë të gjithë vëllezër e motra, dhe për të kërkuar si të jetojmë mesazhin që gjejmë në Ungjill”.

Mesazhi i mëshirës
Mesazhi tjetër i Papa Françeskut që kujton Papa Leoni është ai i “mëshirës”, i shprehur që në lutjen e parë të Engjëllit të Zotit të dielën pas zgjedhjes më 13 mars 2013. “Që atëherë, por edhe në Meshën e Shenjtë që kremtoi para inaugurimit të papnisë më 17 mars 2013”, kur, në famullinë e Shën Anës në Vatikan, “predikoi për gruan e kapur në kurorëshkelje” dhe “foli nga zemra për mëshirën e Zotit, për këtë dashuri të madhe, për faljen dhe shprehjen bujare të mëshirës së Zotit”. Këtë “shpirt” Papa Françesku deshi ta ndajë “me gjithë Kishën”, theksoi Leoni XIV, duke kujtuar edhe “kremtimin e bukur të një Jubileu të jashtëzakonshëm të mëshirës Hyjnore”.

Dhuratë për të gjithë
“Lutemi që ai tashmë të jetë duke shijuar mëshirën e Zotit”, përfundoi Leoni XIV, “dhe falënderojmë Zotin për dhuratën e madhe të jetës së Françeskut për të gjithë Kishën dhe për mbarë botën”.

21 prill 2026, 13:07