Kërko

Kebour, myslimane nga Algjeria: «Një popull i mbledhur rreth Papa Leonit. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë!»

Nadjia Kebour, një myslimane algjeriane dhe profesoreshë në PISAI dhe në Universitetin Urbaniana, komenton nga Algjeri udhëtimin e Papës: "Vështrimi i Papës përcillte paqe dhe qetësi. Dhe ne algjerianët, kur i njohim këto cilësi tek një person, e mirëpresim, e mbrojmë, e konsiderojmë njërin prej nesh."

R.SH. / Vatikan

"Pata një përvojë të papërsëritshme: e pashë Papën për herë të parë në atdheun tim. Pashë se si algjerianët e pritën atë, me dashuri, dhembshuri dhe gëzim. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë, që kur kam lindur. Ndjeva gëzim të vërtetë në fytyrat e njerëzve, si të thuash: Ky Papë dëshiron paqe dhe ne duam ta ndajmë atë me të" . Nadjia Kebour, myslimane algjeriane, është profesoreshë e Studimeve Islame në Institutin Papnor për Studime Arabe dhe Islame (PISAI) në Romë dhe e Dialogut Kristiano-Islamik në Universitetin Papnor Urbaniana. Ajo është diplomuar për filozofi në Algjer dhe më pas ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin Urbaniana rreth figurës së Shën Augustinit.

Dëshironte ta ndiqte Papën në atdheun e saj dhe nuk mund ta humbiste këtë mundësi. "Solli shpresë," thotë ajo menjëherë, "sidomos duke pasur parasysh që populli algjerian ka vuajtur shumë vitet e fundit: së pari kolonializmi francez, pastaj terrorizmi në emër të radikalizmit islamik. Mund të themi se është hapur një derë, falë dy protagonistëve të dialogut: Presidentit të Republikës, Abdelmadjid Tebboune, i cili e ftoi i pari Papën, dhe vetë Papës, i cili e pranoi ftesën me shumë hapje. Pastaj është një figurë që na bashkon të gjithëve: Shën Augustini."

Pamja që duket se i ka bërë më shumë përshtypje profesoreshës qenë turmat e mbledhura brenda dhe jashtë Bazilikës së Notre-Dame d'Afrique.

"Pavarësisht shiut të pandërprerë gjatë gjithë ditës, kishte kaq shumë njerëz nën tenda, në mes të të ftohtit dhe të erës. Disa kishin ardhur nga larg për të parë Papën dhe për ta dëgjuar. Nuk mund ta shpjegoj saktësisht se çfarë qe, por mund të ndjeje diçka të veçantë: kishte, sipas mendimit tim, një frymë profetike."

Një imazh tjetër do të mbetet i gdhendur në albumin e këtij udhëtimi: ai që ka fiksuar Papën dhe imamin e xhamisë, të dy të sjellë nga Meka.

Ky imazh përfaqëson takimin midis dy figurave të mëdha shpirtërore. Nëse i lutemi të njëjtit Zot, nëse i drejtohemi së Vërtetës që është Zoti, atëherë duhet domosdoshmërisht të ecim së bashku. Ky është kuptimi i dialogut: një udhëtim i përbashkët. Ne ecim së bashku drejt të njëjtit qëllim, drejt së njëjtës të Vërtetë. Ai është Zoti i të gjithëve, një Zot që i do të gjithë, dhe ne të gjithë e duam Atë. Ky imazh është thellësisht simbolik, sepse mishëron dialogun.

Për më tepër, para Zotit jemi plotësisht të pambrojtur. Prandaj, ky imazh i tregon botës se pa dialog, paqja nuk mund të arrihet.

Dhe pastaj pamë Papa Leonin, një augustinian, në tokën e Augustinit. Çka përfaqëson Augustini për Algjerinë myslimane? Dhe çfarë do të thotë ky "bir i Augustinit" që është Papa Leoni?

E kam studiuar Shën Augustinin në Algjeri dhe pastaj i thellova njohuritë e mia rreth tij gjatë doktoraturës sime në Itali. Ai është i njohur në Algjeri dhe studiohet gjithashtu në universitetet algjeriane. Por me këtë vizitë, Papa ka rizgjuar në zemrat e algjerianëve një kuriozitet për të mësuar më shumë rreth këtij "biri" të tij, i cili ishte një nga Etërit e Kishës, por edhe ipeshkëv i Iponës, një figurë kryesore si filozof, teolog dhe mistik.

Dhe çfarë mesazhi mund t'i përcjellë sot Augustini Magrebit dhe një zone kaq të vuajtur?

Edhe ai vuajti shumë në udhëtimin e tij deri sa takoi Zotin, para se të arrinte tek e vërteta. Ky është pikërisht mesazhi. Vetë Papa e tha: populli algjerian ka vuajtur, por ka kapërcyer krizat, luftërat dhe konfliktet. Ky është një popull i guximshëm. Edhe Augustini jetoi midis popujve të ndryshëm dhe i donte të gjithë, duke i konsideruar të gjithë si fëmijë të Zotit. Ai ishte i bindur se askush nuk mund ta shpëtojë veten i vetëm. Për këtë arsye, sipas mendimit tim, Augustini mbetet një mësues universal sot. Ai mund t'u mësojë të gjithë popujve se si ta duan të afërmin e tyre dhe si të ndërtojnë lidhje dhe bashkim me të gjithë. Në fund, ka tri fjalë themelore që karakterizojnë mendimin e tij: drejtësia, dashuria dhe lumturia. Nëse do t'i zbatonim vërtet sot, nuk do të kishte luftëra.

Çfarë fshihet pas jehonës së madhe që ka pasur udhëtimi, madje edhe në mes të popullsisë algjeriane?

Vështrimi i Papës. Një vështrim i butë. Siç thashë edhe më parë, populli algjerian ka vuajtur shumë, ata kanë duruar edhe plagët e terrorizmit, por kurrë nuk e kanë humbur njerëzimin e tyre. Vështrimi i Papës përcillte paqe, qetësi. Dhe ne algjerianët, kur i njohim këto cilësi tek një person, e mirëpresim, e mbrojmë, e konsiderojmë si njërin prej nesh. Këto janë gjithashtu tiparet e popujve që kufizohen me Mesdheun: hapja ndaj të tjerëve, mikpritja, njerëzimi.

15 prill 2026, 12:12