Kameruni pret Leonin XIV, sfidat dhe pasuritë e një vendi që kërkon unitetin e tij
R.SH. – Vatikan
Një vend i ri, i pasur me tradita dhe kultura, i karakterizuar nga një ndjenjë e fortë e përkatësisë në komunitet nga ana e qytetarëve të tij, por gjithashtu i shënuar nga një krizë ekonomike shumë e rëndë dhe e thellë, nga paqëndrueshmëria politike, nga dhuna e shkaktuar prej një dekade përplasjesh mes ushtrisë dhe grupeve separatiste anglishtfolëse në zonat e veri-perëndimit dhe jug-perëndimit, si dhe nga ato të kryera prej Boko Haram në veri të vendit, në kufi me Nigerinë.
Kameruni që i paraqitet Leonit XIV – vizita e katërt e një Pape në këtë vend, pas atyre të Gjon Palit II në vitet 1985 dhe 1995 dhe asaj të Benediktit XVI në vitin 2009 – dëshiron mbi të gjitha të provojë se është një "aktor i paqes", i aftë për "fe dhe pajtim të zemrave", të cilat mund të "shërojnë kombet". Kështu shprehen posterat e mirëseardhjes për Leonin XIV që kanë mbuluar kryeqytetin Jaunde dhe që e mirëpresin atë, teksa vjen nga Algjeria, si një shenjë e vullnetit real të vendit për të dalë nga ndarjet dhe tensionet. Një dëshirë që bashkon të gjithë, jo vetëm zonat e nënshtruara ndaj dhunës, sepse populli kamerunas, siç tregojnë të gjithë, "është një popull i vetëm".
Takimi me popullin
"Papa – shpjegon atë Luca Galimberti, misionar i Pime-s në Jaunde – gjen të rinjtë, lulet e jetës që kërkojnë një rrugë. Ja pse takimi mes tij dhe popullit do të jetë një takim i bukur, një takim me dëshirat, me pritshmëritë", por edhe me vështirësitë e jetës së shumë të rinjve, të cilët, pa pothuajse asnjë mundësi për të gjetur një punë, vazhdojnë të ushqejnë shpresën e pamundur për t'u larguar nga Kameruni e për të shkuar jashtë shtetit.
Mbi llogaritë e shtetit rëndojnë edhe numrat shumë të lartë, flitet për rreth 500 mijë refugjatë dhe azilkërkues që vijnë nga vendet fqinje, si Sudani apo Republika Demokratike e Kongos, duke krijuar, edhe për këtë arsye, një situatë shoqërore komplekse dhe kritike. Tensionin e ushqen edhe aspekti i fortë i tribalizmit (fiset), i cili, së bashku me pasigurinë dhe paqartësinë për të ardhmen, "e shtyn secilin të luftojë për mbijetesën e vet", duke futur në lojë forca që "mund të shndërrohen në burim ndarjeje".
Një paqe e shumëpritur
Vizita e Papës në Kamerun është e rëndësishme për të gjithë ata që ndihen të braktisur: fëmijët e jetimores "Ngul Zamba" në Jaunde apo pacientët e spitalit katolik "Saint Paul" në Duala. “Do t’u japë atyre shpresë dhe gëzim”, shpjegon atë Charles Marie Houngbo, françeskan i të Zojës së Papërlyer, famullitar i Kishës së Rrëshajave në "Newtown Aeroporto" dhe Vikar Episkopal i Zonës Pastorale "Wouri VI" në Kryedioqezën e Dualës. “Vizita e Papës në këto vende është një thirrje, u kërkon llogari autoriteteve, qofshin ato civile apo fetare, të cilat detyrohen të kuptojnë se duhet të mendojnë për të mirën e njerëzve që vuajnë”.
Zgjedhjet presidenciale të tetorit të kaluar, që rikonfirmuan mandatin e tetë për presidentin Paul Biya, krijuan tensione të rënda në vend për shkak të pritshmërive të paplotësuara të shumë njerëzve, dhe protestat, ndonëse kurrë nuk përfunduan në aksione të armatosura, u shtypën me forcë të madhe.
Ka mbetur zhgënjimi, vazhdon Atë Galimberti, “sepse kishte shumë pritshmëri për një të ardhme e cila, në fakt, nuk duket as në horizont. Projektet nuk shkëlqejnë, prandaj njerëzit janë të zhgënjyer dhe kjo gjë ushqen tension. Në një farë mënyre duhet të ndihmohet Kameruni që të ketë një vazhdimësi paqeje, të asaj paqeje aq shumë të dëshiruar”.
Veprimi i Kishës
Kisha e re katolike vendase, misioni i së cilës hyri në vend në vitin 1890 falë veprimtarisë së rregulltarëve pallotinë gjermanë, sot me të drejtë konsiderohet një shtyllë e shoqërisë, nxitëse e dialogut mes provincave të ndryshme kishtare, ndërmjetësuese e rëndësishme në sferën shoqërore dhe me një veprim të vendosur mbështetës për ata që vuajnë nga dhuna e konflikteve të brendshme. Ajo karakterizohet gjithashtu edhe nga një rritje e fortë numerike, që shoqëron shtimin eksponencial të besimtarëve në rrugëtimin e kërkimit të drejtësisë shoqërore dhe qëndrueshmërisë së institucioneve civile. Gjatë vizitës së Leonit XIV, Kisha do t’i tregojë Papës punën e rëndësishme për unitet të Kamerunit që po çon përpara, dëshmuar kjo nga takimi i Papës me besimtarët të cilët, edhe pse të ndryshëm nga gjuha dhe përkatësia fisnore, në takimin me Leonin XIV, do të marrin pjesë të gjithë — siç tregon akoma Atë Galimberti — “me të njëjtin gëzim, me respekt dhe mirëkuptim”.
Vizita e Leonit XIV
Do të jenë tri qytete që do të vizitohen nga Papa: përveç kryeqytetit Jaunde (Yaoundé), Ati i Shenjtë do të vizitojë Bamendën, qendrën e krizës anglofone, dhe Dualën (Douala), port i rëndësishëm në Gjirin e Guinesë dhe kryeqyteti tregtar i vendit. Pritshmëritë e mëdha janë përqendruar mbi të gjitha te mesazhi që Papa do të sjellë në Bamenda, zonë anglishtfolëse, e copëtuar nga dhuna, e cila sheh përplasjen mes forcave të armatosura dhe grupeve të armatosura separatiste që veprojnë për të kundërshtuar atë që konsiderohet si margjinalizim ndaj tyre nga ana e qeverisë qendrore frëngjishtfolëse.
Fjalët e Papës në Bamenda mund të kenë “një jehonë të rëndësishme – shpjegon atë Luca – prania e tij do të jetë një bekim në një vend ku tensioni dhe vuajtja janë të dukshme dhe, mbi të gjitha, shpresohet se mund të jetë një shtysë për rifillimin e dialogut”. Pritshmëria e të gjithëve është që Papa, në Bamenda, të mund të jetë zëri i vuajtjes së popullatave të harruara dhe që me mesazhin e tij të mund të nxisë të gjithë për të rizbuluar identitetin e përbashkët, përtej fragmentimit politik dhe fisnor.
Ndalesa në Bamenda
Fjalët e Papës në Bamenda, vëren atë Charles, do të jetë për paqe dhe do t’u drejtohet të gjithë atyre të rinjve “që kanë armët në dorë, që të ulin pushkët e të mendojnë për një mënyrë ndryshe të zgjidhjes së çështjes. Është gjithashtu edhe një thirrje për të gjithë ne; Ati i Shenjtë na kërkon të lutemi, por edhe të komunikojmë e të dialogojmë me njerëzit dhe autoritetet. Është një thirrje për t'i bashkuar të gjithë kamerunasit, që të jetojnë si një person i vetëm. Jemi të lumtur që mirëpresim Papën dhe shpresa jonë është që, pas largimit të tij, të mbetet një mesazh i tillë që të nxisë autoritetet dhe të gjithë qytetarët të kuptojnë se duhet ndryshuar. Ne po e presim këtë ndryshim dhe një jetë të re për të gjithë kamerunasit”.
Pasojat e konflikteve
Jeta e banorëve të rajoneve të shënuara nga konflikti dhe nga veprimet terroriste të Boko Haramit, është marrë peng nga dhuna, dhe pikërisht këtu hyn roli i rëndësishëm i Kishës si kultivuese e takimit dhe e pajtimit. Veprimi i saj artikulohet mbi të gjitha në aftësinë për të ruajtur unitetin, për të nxitur bashkëpunimin dhe përgjegjësinë te qytetarët. Një shembull i kësaj ishte angazhimi i saj, përpara zgjedhjeve, në një fushatë serioze thirrjeje për pjesëmarrje në votime dhe regjistrim në listat zgjedhore, duke nënvizuar rëndësinë e votës edhe si një mundësi për ndryshim.
“Kisha – shton atë Galimberti – ka qenë gjithmonë burim udhëheqjeje dhe ndërgjegjësimi për njerëzit, në mënyrë që njerëzimi të manifestohet në atë vëllazëri dhe në atë drejtësi që të gjithë kërkojnë”. Por rrugëtimi në Kamerun mbetet kompleks; fati i vendit “nuk është në duart e Kishës”, pavarësisht veprimit të saj të rëndësishëm, dhe rritja e tij ekonomike mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin ndërkombëtar dhe pasojat e prodhuara nga konfliktet e rënda në vazhdim në vende të ndryshme. Një aspekt që karakterizon vendin, njësoj si pjesën tjetër të botës, është rritja e shpenzimeve për riarmatim, gjë që sheh heqjen e “fondeve të rëndësishme nga menaxhimi i zakonshëm i një vendi që tashmë vuan”.
Dëshmia e dashurisë kristiane
Reflektimi i krizave ndërkombëtare, ashtu si në vende të tjera të kontinentit afrikan, manifestohet dhunshëm edhe në Kamerun, ku shkurtimi i ndihmës për zhvillim nga ana e vendeve me të ardhura të larta ka qenë i tillë sa ka çuar në mbylljen e shumë projekteve humanitare dhe në rënien drastike të bashkëpunimeve me organizatat ndërkombëtare.
Edhe në këtë rast, mbetet thelbësor veprimi i Kishës lokale, mirë e konsoliduar, e cila pret Papën për të pasur me të — siç tregon akoma atë Luca — “një shkëmbim përvoje dhe për të dëshmuar me gëzim veprimtarinë në një vend ku feja është e gjallë dhe e pranishme. Një Kishë që ka detyrën të dëshmojë Jezusin dhe forcën e Tij që ndryshon marrëdhëniet dhe që mundëson lirinë e zemrës. Kisha jeton e mishëruar në këtë popull, vuajtja e të cilit shpesh humbet nga shikimi”.
Ideja, përfundon atë Galimberti, është ajo e të qëndruarit gjithmonë tek thelbësorja, për t’i shoqëruar njerëzit që ta jetojnë fenë ashtu siç kërkohet nga Zoti: si dëshmi të jetës vëllazërore dhe të dashurisë bamirëse ndaj më të varfërve. “Kjo nuk duhet harruar kurrë dhe kjo është ajo që Kisha në Kamerun vazhdon të bëjë”.
