Kërko

Kamerun, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore: «Ka asish që nuk duan paqe por Papa na kërkon të ecim para»

Kryeipeshkvi Andrew Nkea Fuanya i Bamendës, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të vendit afrikan, përshkruan harenë që ngjalli vizita e Papës dhe angazhimin e Kishës për të ardhmen. "Ati i Shenjtë erdhi, tani varet nga ne."

R.Sh. / Vatikan

Tani varet nga Kameruni dhe populli i tij, të cilët do të duhet të mendohen thellë rreth mesazheve që Papa përcolli dhe të kuptojnë se si t'i zbatojnë ato. Kryeipeshkvi Andrew Nkea Fuanya, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit dhe kryeipeshkëv i Bamendës, i cili shoqëroi Leonin XIV gjatë gjithë vizitës së tij në këtë shtet të Afrikës Qendrore, flet për një mundësi të mrekullueshme që u solli gëzim e hare të gjithëve, një mundësi që përçon mesazhe të forta që kamerunasit tani duhet t'i shndërrojnë në vepra, në shpresë për të ardhmen dhe në një paqe të qëndrueshme dhe jetëgjatë.

Shkëlqesia juaj, cili është vlerësimi juaj për këto ditë që kaluat me Leonin XIV?

Zemra ime është përnjëmend e mbushur me gëzim për vizitën e Atit të Shenjtë. Kemi kaluar kohë shumë të vështira në Kamerun. Para së gjithash, tetë vjet krizë në botën anglishtfolëse, pastaj problemet pas votimeve tetorin e kaluar, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale, dhe patëm shumë probleme. Por Papa erdhi si shiu për të qetësuar gjërat, për t'u dhënë shpresë të gjithë kamerunasve. Ai solli, veçanërisht në Bamenda, një mesazh paqeje. Ai i foli të gjithë popullsisë dhe ky qe vërtet një mesazh që njerëzit e pritën me gëzim. Pastaj shkoi në Douala dhe u foli të rinjve. Këtu, 60% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç dhe këta janë shumica. Por shumë janë të papunë dhe nuk e shohin të ardhmen me shpresë. Mesazhi i Papës u dha të rinjve guxim dhe shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e djeshmja. Edhe ne mbetëm shumë të kënaqur me këtë mesazh drejtuar të rinjve. Në Yaoundé, Papa u foli të gjitha autoriteteve, si civile ashtu edhe atyre tradicionale, ai foli për unitet, ai kërkoi respekt të ndërsjellë, ai kërkoi dashuri. Nëse e duam njëri-tjetrin, e tërë shoqëria do të jetojë më mirë. Ky qe vërtet një bekim i madh që Papa i solli Kamerunit.

Papa përdori fjalë shumë të forta në fjalimet e tij, duke prekur tema të ndjeshme, siç është korrupsioni. Çfarë ndikimi patën këto fjalë në shoqëri, sipas mendimit tuaj?

Le të fillojmë me Bamendën sepse ka vuajtur shumë por edhe ngaqë unë jam prej andej. Mendoni vetëm këtë gjë: edhe para se të fliste Papa, edhe para se të mbërrinte, për herë të parë separatistët dhe qeveria flisnin të njëjtën gjuhë, ata thoshin të njëjtën gjë. Është hera e parë në 10 vjet që të dy palët i çuan të njëjtin mesazh të gjithë popullit. Më parë, nëse qeveria thoshte "po", separatistët thoshin "jo" dhe anasjelltas. Kjo është hera e parë në dhjetë vjet që separatistët dhe qeveria folën me të njëjtën gjuhë, dhe kjo vërteton se ne të gjithë ishim aty për të mirëpritur Papën, të gjithë të gatshëm të hapnim zemrat tona për të dëgjuar dhe pranuar mesazhin e tij. Kjo gjë është një mrekulli dhe pati një ndikim të madh.

Ne si Kishë kemi reflektuar se si ta ruajmë këtë mesazh të Papës. Kemi përpunuar tashmë edhe një «Katekizëm për Paqen» sipas mësimeve të Leonit XIV. Tashti duhet të punojmë për këtë mesazh dhe të kuptojmë se si ta zbatojmë atë çka tha Ati i Shenjtë. Papa porsa u largua dhe ne duhet të fillojmë menjëherë të mendojmë se si t'i vëmë në jetë fjalët e tij. Largimi i tij shënon fillimin e punës sonë.

Aspekti i dytë i rëndësishëm ishte mesazhi i tij drejtuar autoriteteve. Korrupsioni është si një tumor këtu në Afrikë, dhe Papa pati guximin të denonconte korrupsionin para të gjithë botës. Shpresoj se ia vlen përpjekja që duke dëgjuar mesazhin e Papës, qoftë edhe vetëm një person ta ndryshojë zemrën e tij. Është e pamundur që në një turmë prej 1,500 vetësh, askush të mos ndryshojë. Nuk është e mundur! Po nëse edhe një i vetëm ndryshon në shpirt, kjo do të thotë se mesazhi ka ndikuar te kjo bashkësi njerëzish.

Sapo folët për atë që Kisha duhet të fillojë të bëjë menjëherë për të përhapur mesazhin e Papës. Por nga çfarë keni frikë? Cilat janë pengesat që mund ta ndalojnë punën tuaj?

Egoizmi, egoizmi, si nga ana e qeverisë ashtu edhe nga ana e separatistëve. Mund të them pa frikë se ka njerëz që nuk e duan paqen, që nuk e duan fundin e kësaj krize, sepse po përfitojnë nga kjo vështirësi. Kjo është pengesa e madhe! Mund të bëjmë shumë gjëra për të sjellë paqe, por ka njerëz që nuk e duan atë sepse kanë interesa personale. Ka asish që as nuk e duan dialogun sepse po përfitojnë nga kjo gjendje. Ne tashmë i dimë këto pengesa por duhet të shohim se si mund t'i izolojmë, por janë kaq shumë! Po ballafaqohemi me egoizmin, interesat personale.

Gëzimi që kemi në zemrat tona është shumë i madh. Ati i Shenjtë erdhi, tani varet nga ne. Ai premtoi se do të vazhdojë të lutet për ne por edhe ne do të lutemi për të!

19 prill 2026, 09:52