Kalendari më 16 prill kujton të Lumin Atë Gaspёr Suma, martir
R.SH. / Vatikan
Kalendari kishtar sot më 16 prill përkujton e kremton liturgjikisht të Lumin Atë Gaspёr Suma, ofm, martir i Jezu Krishtit në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Atë Gaspër Suma, françeskan, ishte një njeri i butë, shumë i dashur dhe i thjeshtë, me një zemër të madhe dhe një shpirt të gatshëm për të shërbyer popullit të Zotit. Ai kishte një devocion të veçantë ndaj Eukaristisë së Shenjtë dhe një besnikëri të fortë ndaj Zojës së Bekuar. Përveç kësaj, ai ishte i njohur si një ungjillëzues i zellshëm dhe një "mjek" i shpejtë për ndihmën e parë, si dhe si një mësues që përpiqej të mësonte shkrim e këndim në malet e Dukagjinit.
Misioni i të Lumit Atë Gaspër Sumaishte një testament i trashëgimisë shpirtërore të Shën Françeskut të Asizit, dhe ai u dallua për dashurinë dhe bamirësinë heroike, duke rrezikuar jetën për të ndihmuar të tjerët. Pavarësisht kushteve të vështira, i Lumi Atë Suma ishte gjithmonë i buzëqeshur dhe i gatshëm të shërbente, duke treguar një durim të jashtëzakonshëm edhe kur ishte i torturuar në burg.
Më 24 maj 1948, françeskani atë Gaspër Suma u arrestua nga Sigurimi i Shtetit komunist në Gomsiqe dhe u dënua me tre vjet burg, ku vuajti shumë torture dhe dhimbje. Megjithatë, ai qëndroi besnik deri në fund, duke i mësuar shokët e tij të burgosur të luteshin dhe duke përhapur mesazhin e fesë. Vdiq më 16 prill 1950, në moshën 53 vjeçare, në “Burgun e Madh” të Shkodrës, duke dhënë shpirt si një martir i vërtetë, në ditën e Pashkëve, duke e shndërruar vdekjen e tij në një akt të thellë besimi dhe sakrifice.
Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme
Trini e Shenjtë,
Atë e Bir e Shpirt Shenjt,
Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,
që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë
të Lumin Gaspër Suma,
meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,
si model besnikërie ndaj Krishtit
dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.
Të lutemi me përvujtëri:
ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,
denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë
duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë
e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë
(në këtë moment shprehet kërkesa).
Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.
Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …
