Leoni XIV: të ndërtojmë shpresën dhe drejtësinë duke mposhtur ndarjet e vjetra dhe korrupsionin

Papa, gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Kilamba (Kimbala), preku plagët e Angolës, që nga ndarjet e trashëguara prej luftës civile e deri te mungesa e ndarjes së pasurisë. "Historia e vendit tuaj, pasojat ende të vështira që mbartni, problematikat shoqërore e ekonomike dhe format e ndryshme të varfërisë, kërkojnë praninë e një Kishe që di të qëndrojë pranë në rrugëtim dhe di të dëgjojë britmën e bijve të saj".

R.SH. / Vatikan

Në Meshën kremtuar në Sheshin e Kilambës, duke komentuar pjesën e Ungjillit mbi dishepujt e Emausit, Papa kërkon për angolanët, në një vend të plagosur nga një luftë civile e gjatë, një Kishë që t'i shoqërojë dhe të dëgjojë "britmën e bijve të saj". Më pas Leoni XIV rekomandon që të mos përzihen me fenë “elemente magjike dhe besëtytni që nuk ndihmojnë në rrugëtimin shpirtëror”. Është e mundur, pra, "të ndërtohet një vend ku të mposhten përgjithmonë ndarjet e vjetra, ku të zhduken urrejtja dhe dhuna, ku plaga e korrupsionit të shërohet nga një kulturë e re e drejtësisë dhe e ndarjes së të mirave".

Në vijim homelia e Papës

 

UDHËTIMI APOSTOLIK I SHENJTËRISË SË TIJ LEONI XIVNË ANGOLË

18 – 21 prill 2026

Homelia Nr. 2 e Atit të Shenjtë

Mesha Shenjte

Kilamba

19 prill 2026

 

Të dashur vëllezër e motra,

me zemrën plot mirënjohje, po e kremtoj Eukaristinë mes jush. Ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë e faleminderit për pritjen tuaj festive!

Në këtë të Dielë të Tretë të Pashkëve, Zoti na foli përmes Ungjillit të dishepujve të Emausit (shih Luka 24,13-35). Të ndriçohemi, pra, nga kjo Fjalë e jetës.

Dy dishepuj të Zotit, me zemër të plagosur e të trishtuar, largohen nga Jerusalemi për t'u kthyer në fshatin e tyre Emaus. E panë duke vdekur atë Jezus, në të cilin kishin besuar e të cilin e kishin ndjekur, ndërsa tani, të zhgënjyer dhe të mundur, kthehen në shtëpitë e tyre. Gjatë rrugës, "bisedonin me njëri-tjetrin për gjithçka kishte ndodhur" (v. 14). Kanë nevojë të flasin, ta rrëfejnë rishtas atë që panë, ta ndajnë atë që përjetuan, por me rrezikun që të mbetën të burgosur në dhimbje e të mbyllur në shpresë.

Vëllezër dhe motra, në këtë skenë fillestare të Ungjillit, shoh të reflektuar historinë e Angolës, të këtij vendi të bukur, por të plagosur, që ka uri dhe etje për shpresë, paqe e vëllazëri. Biseda gjatë rrugës së dy dishepujve, të cilët kujtojnë me dëshpërim atë që i ndodhi Mësuesit të tyre, na sjell në mendje dhimbjen që provoi vendi juaj: një luftë e gjatë civile me pasojat e armiqësive dhe të përçarjeve, të burimeve të shpërdoruara e të varfërisë.

Kur dikush për një kohë të gjatë zhytet në një histori kaq të ngarkuar nga dhimbja, rrezikon çka rrezikuan dy dishepujt në rrugën për në Emaus: të humbasin shpresën dhe të mbeten të paralizuar nga çkurajimi. Janë duke ecur, por ende të bllokuar në ngjarjet e tri ditëve më parë, kur dëshmuan vdekjen e Jezusit; bisedojnë ndërmjet tyre, por pa shpresë për rrugëdalje;   flasin ende për atë që ndodhi, me lodhjen e atyre që nuk dinë as si t’ia fillojnë, e as nëse është e mundur ta bëjnë.

Të dashur, Lajmi i Mirë i Zotit, edhe sot për ne, është pikërisht ky: Ai është i gjallë, u ringjall dhe ecën pranë nesh, ndërsa udhëtojmë në rrugën e vuajtjes e të hidhërimit, duke na hapur sytë për të njohur veprën e tij dhe duke na dhënë hirin për të filluar nga e para e për të rindërtuar të ardhmen.

Zoti ecën përkrah dy dishepujve të zhgënjyer dhe të pashpresë e, duke u bërë shoqërues i tyre në udhëtim, i ndihmon t’i ribashkojnë pjesët e asaj historie, të shohin përtej dhimbjes, të zbulojnë se nuk janë vetëm në udhëtim dhe se një e ardhme, ende e banuar nga Zoti i dashurisë, i pret. E kur ndalet për darkë me ta, ulet në tryezë e thyen bukën, e atëherë "u hapën sytë e tyre dhe e njohën" (v. 31).

Ja, këtu është rruga e hartuar për ne, për ju, vëllezër dhe motra të dashura angoleze, për të filluar përsëri: nga njëra anë, siguria se Zoti na shoqëron dhe ka dhembshuri për ne, nga ana tjetër, angazhimi që Ai na kërkon.

Ne e jetojmë shoqërinë e Zotit mbi të gjitha në marrëdhënien tonë me Të, në lutje, në dëgjimin e Fjalës së Tij, e cila na i bën zemrat të digjen si ato të dy dishepujve e, mbi të gjitha, në kremtimin e Eukaristisë. Aty e takojmë Zotin. Prandaj, duhet të jemi gjithmonë vigjilentë ndaj atyre formave të fesë tradicionale, të cilat sigurisht i përkasin rrënjëve të kulturës suaj, por në të njëjtën kohë rrezikojnë të ngatërrojnë dhe të përziejnë elementë magjikë dhe supersticiozë, që nuk na ndihmojnë në udhëtimin tonë shpirtëror. Të jeni besnikë ndaj asaj që mëson Kisha, t’i besoni Barinjve tuaj dhe ta mbani shikimin tuaj të fiksuar te Jezusi, i cili zbulohet veçanërisht në Fjalën dhe Eukaristinë. Në të dyja, ne provojmë sesi Zoti i Ngjallur ecën pranë nesh, e, të bashkuar me Të, edhe ne i mposhtim vdekjet, që na rrethojnë e jetojmë si të ringjallur.

Kjo siguri për të mos qenë vetëm në udhëtim kombinohet edhe me një angazhim bujar, që mund t’i shërojë plagët dhe ta ringjallë shpresën. Nëse dy dishepujt në Emmaus e njohën Jezusin kur ndau bukën për ta, kjo do të thotë se edhe ne duhet ta njohim atë në këtë mënyrë: jo vetëm në Eukaristi, por kudo ka jetë që bëhet bukë e thyer, e kudo dikush ofron një dhuratë dhembshurie, si ai.

Historia e vendit tuaj, pasojat ende të vështira që po përballoni, sfidat sociale dhe ekonomike, si dhe format e ndryshme të varfërisë, kërkojnë praninë e një Kishe që di të qëndrojë pranë jush në udhëtim dhe të dëgjojë britmën e bijve të saj. Një Kishë që, me dritën e Fjalës dhe ushqimin e Eukaristisë, di të ringjallë shpresën e humbur. Një Kishë e përbërë nga njerëz si ju, që dhurohen ashtu si Jezusi ndau bukën për dy dishepujt në Emaus. Angola ka nevojë për ipeshkvij, priftërinj, misionarë, rregulltarë dhe laikë që kanë në zemrat e tyre dëshirën për të thyer jetën e tyre dhe për t'ia dhënë njëri-tjetrit, për t'u përkushtuar ndaj dashurisë dhe faljes së ndërsjelltë, për të ndërtuar hapësira vëllazërie dhe paqeje, për të kryer gjeste mirësie ndaj atij që ka nevojë!

Me hirin e Krishtit të Ngjallur, ne mund të bëhemi kjo bukë e thyer që e shndërron realitetin. E, ashtu siç na e kujton Eukaristia, se jemi një trup dhe një shpirt i vetëm, të bashkuar në të vetmin Zot, edhe ne mundemi dhe duam të ndërtojmë një vend ku ndarjet e vjetra kapërcehen përgjithmonë, ku urrejtja dhe dhuna zhduken, ku plaga e korrupsionit shërohet nga një kulturë e re drejtësie dhe ndarjeje. Vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur një e ardhme shprese, veçanërisht për shumë të rinj që e kanë humbur.

Vëllezër dhe motra, sot duhet të shikojmë drejt së ardhmes me shpresë dhe të ndërtojmë shpresë për të ardhmen. Mos kini frikë ta bëni këtë! Jezusi i Ngjallur, që ecën në rrugën me ju dhe thyhet si buka për ju, ju inkurajon të jeni dëshmitarë të ringjalljes së tij dhe protagonistë të një njerëzimi të ri e të një shoqërie të re.

Në këtë udhë, të dashur, mund të mbështeteni në afërsinë dhe lutjet e Papës! Por edhe unë e di se mund të mbështetem tek ju, e ju falënderoj! Ju besoj mbrojtjes dhe ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Zojës sonë të Muximës, që t'ju mbështesë gjithmonë në fe, shpresë e bamirësi.

19 prill 2026, 13:04