2026.04.27 Vizita e Leonit XIV në Akademinë Kishtare Papnore 2026.04.27 Vizita e Leonit XIV në Akademinë Kishtare Papnore  (@VATICAN MEDIA)

Diplomatë të paqes: Leoni XIV takohet me studentët e Akademisë Papnore Kishtare

Në 325-vjetorin e themelimit të Akademisë Papnore Kishtare, Papa përshkruan profilin e meshtarit-diplomat: jo funksionar, por dëshmitar. Përmes dialogut, së vërtetës dhe drejtësisë, misioni bëhet përpjekje konkrete për arritjen e paqes në një botë të karkaterizuar nga konflikte

R.SH. – Vatikan

Në orën 18.00, në selinë historike të Akademisë Papnore Kishtare, Papa Leoni XIV u takua me studentët, që përgatiten të bëhen përfaqësues të ardhshëm të Selisë së Shenjtë në botë. Nuk ishte vetëm një vizitë institucionale, por një çast, që deshi të tregojë se në një kohë kur diplomacia shpesh duket e pafuqishme, Kisha vazhdon të besojë në një lloj tjetër diplomacie, të bazuar jo vetëm në strategji, por edhe në dëshmi.

Në fjalën e tij, Papa përshkroi qartë thelbin e misionit: diplomati papnor nuk është teknik, por para së gjithash, meshtar. Ai është njeri i thirrur për të sjellë paqen, të vërtetën dhe drejtësinë në rrjedhat e historisë konkrete, ku konfliktet duket sikur kanë fjalën e fundit.

Lajmëtarë të një paqeje që nuk është si ajo e botës

Tipari i parë që Papa Leoni XIV u shpjegoi studentëve është ai themelor, pothuajse primordial: të jenë bartës të asaj paqeje, që nuk arrihet vetëm me mjete njerëzore, por marret si dhuratë e, më pas, ndahet me të tjerët.

"Edhe kur shpresat për dialog dhe pajtim duket se zbehen... ju jeni të thirrur të vazhdoni t'u çoni të gjithëve fjalët e Krishtit të Ringjallur: 'Po ju lë paqen, po ju jap paqen time'".

Është një perspektivë, që e përmbys logjikën e zakonshme. Edhe para se të arrijmë paqen, duhet të jemi "ura" dhe "kanale" për të, vërejti Papa. Jo protagonistë, por mjete. Këtu dallohet diplomacia e Selisë së Shenjtë: ajo nuk lind nga ekuilibri i forcave, por nga një vizion i caktuar i njerëzimit dhe i historisë.

Në një intervistë për mediat e Vatikanit, para takimit papnor, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e përmend këtë nevojë konkrete: të përvijohen "shtigje paqeje të bëra nga parime, rregulla dhe struktura". Jo një ide abstrakte, por një rrugë, që merr formë në realitetin ndërkombëtar.

Dëshmitarë të së vërtetës në një botë, që e ka humbur busullën

Boshti i dytë i fjalës së Papës ka të bëjë me të vërtetën. Në një kohë kur fjalët ka rrezik ta humbasin kuptimin, diplomati papnor është i thirrur t’u kthejë atyre qëndrueshmërinë.

"Është urgjentisht e nevojshme që fjalët të shprehin sërish e qartësisht realitete të sigurta, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të rifillojë një dialog i vërtetë".

Nuk është fjala për të mbrojtur koncepte abstrakte, por për të dëshmuar një të vërtetë, që është mishëruar. Këtu dallohen veçoritë e diplomacisë vatikanase: ajo nuk e ndan kurrë nivelin njerëzor nga ai ungjillor. Meshtari-diplomat dërgohet ndër kombe si shenjë konkrete e një pranie, para se si përfaqësues i institucioneve.

Pikërisht kjo përmasë është tipike e formimit në Akademinë Papanore Kishtare, siç nënvizonte në intervistën e tij, kardinali Parolin: bashkon kompetencën me dëshminë, njohuritë me stilin e jetës. Sepse, siç thekson ai, "diplomati është i thirrur të dëshmojë para se të ulet në tryezën e bisedimeve".

Nxitës të drejtësisë për të gjithë familjen njerëzore

Së fundi, Papa e zgjeron perspektivën. Misioni i diplomatëve të ardhshëm nuk ka të bëjë vetëm me Kishën, por me gjithë njerëzimin. Është përgjegjësi, që i kapërcen kufijtë fetarë dhe i ka rrënjët në dinjitetin e çdo njeriu.

"Ju po përgatiteni të kryeni një shërbesë... që përfshin jo vetëm mbrojtjen e së mirës së bashkësisë katolike, por të të gjithë familjes njerëzore".

Mbrojtja e të drejtave, duke filluar nga liria fetare dhe nga jeta, nuk propozohet si kërkesë nga ana e katolikëve, por si promovim i dinjitetit njerëzor. Jo si kundërvënie e konflikt, por si bashkëpunim.

Në këtë horizont, Akademia Papnore Kishtare, 325 vjet pas themelimit të saj, duket si laborator i heshtur, por vendimtar. Këtu formohen njerëz, që duhet të gjejnë përgjigje për tensionet e botës, pa u shpërfytyruar prej tyre; njerëz të aftë të interpretojnë shenjat e kohërave, pa e humbur pikën themelore të referimit, Krishtin. Papa e shikon këtë me realizëm: në një botë të shënuar nga konflikti, e gjithë kjo mund të duket e pamjaftueshme. Por jo e padobishme. E, ndoshta, pikërisht këtu u arrit kulmi i fjalës së tij në takimin me diplomatët e rinj të Vatikanit: vazhdoni të besoni se dialogu, dëgjimi dhe pajtimi nuk janë dobësi, por forcë, u tha ai meshtarëve. Një forcë diskrete, që nuk bën zhurmë, por që - siç ndodh shpesh në histori - është e vetmja e aftë të arrijë vërtet paqen.

27 prill 2026, 18:53