Audienca e Papa Leonit XIV me Ordinariatin Ushtarak të Italisë Audienca e Papa Leonit XIV me Ordinariatin Ushtarak të Italisë

Papa: vetëm të bashkuar në dashuri mund t’i kapërcejmë kërcënimet e luftës

Leoni XIV, duke u takuar me kapelanët dhe zyrtarët e Ordinariatit Ushtarak për Italinë, me rastin e 100-vjetorit të themelimit, kujton se shërbimi i tyre “është akt dashurie ndaj vendit, ndaj trojeve dhe, veçanërisht, ndaj popullit”, me “afërsi konkrete”, veçanërisht aty ku “brishtësia është më e madhe”.

R.SH. / Vatikan

Shërbimi i Ordinariatit (dioqezës) Ushtarak për Italinë “është akt dashurie, ndaj Vendit, ndaj trojeve e, veçanërisht, ndaj popullit, gjë që përkthehet në afërsi konkrete”, veçanërisht aty ku “brishtësia është më e madhe”. Papa Leoni XIV njeh kështu vlerën e punës së kapelanëve dhe zyrtarëve të Ordinariatit Ushtarak për Italinë, të cilët i priti sot, më 7 mars, në Sallën Klementine me rastin e festimeve të 100-vjetorit. Pas përshëndetjes, “Paqja qoftë me ju!”, më shumë se 350 të ftuarve, përfshirë edhe autoritetet politike e ushtarake, Papa u kujtoi se Kisha, në vazhdën e mësimeve të Koncilit II të Vatikanit dhe Nxitjeve Apostolike Evangelii Nuntiandi dhe Evangelii Gaudium, "shpall Ungjillin e paqes, e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë, për të mbrojtur këtë të mirë universale".

Të bashkuar në dashuri, njerëzit e mposhtin dhunën

Papa kujtoi fjalët e Koncilit II të Vatikanit, në Kushtetutën baritore Gaudium et spes: "Njerëzit, si mëkatarë, janë dhe do të jenë gjithmonë nën kërcënimin e luftës, deri në ardhjen e Krishtit; por në masën që, të bashkuar në dashuri, arrijnë ta mposhtin mëkatin e edhe dhunën".

Misioni i ushtarit të krishterë vendoset brenda këtij horizonti: të mbrojë të ligshtit, të mbrojë bashkëjetesën paqësore, të ndërhyjë në fatkeqësi, të punojë në misione ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe për të rivendosur rendin.

Paqja është përsosuria e drejtësisë dhe e dashurisë

Në Kishë, sqaron Leoni XIV, Ordinariati Ushtarak, nëpërmjet kujdesit shpirtëror, "synon të jetë një laborator efektiv i veprimit të Zotit në emër të njeriut, një hapësirë ​​formimi për kalimin nga amor sui në amor Dei", themeli, për Shën Agustinin, i asaj Civitas Dei në të cilën ligji themelor është bamirësia, "e paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit, por përkryerja e drejtësisë, e së vërtetës dhe e dashurisë". Inkurajon, kështu, vazhdimin e projekteve të tilla si Qendra Pastorale, aktivitetet formative  për kapelanët dhe studentët kapelanë e, në veçanti, Qendrën për Studime të Avancuara në Ndihmë Shpirtërore, për të organizuar "një reflektim ndërdisiplinor mbi sfidat e botës së sotme, mbi inkulturimin e besimit dhe mbi marrëdhënien ndërmjet Ungjillit, kulturës, shkencës dhe teknologjive të reja".

Një Qindvjetor për të sjellë Krishtin "Në venat e njerëzimit"

Papa kujton se rruga e Qindvjetorit të Ordinariatit orientohet nga fjalët e tij drejtuar ipeshkvijve italianë më 17 qershor: Inter Arma Caritas: "për të sjellë Krishtin në venat e njerëzimit, duke e ripërtërirë dhe duke ndarë misionin apostolik; duke parë drejt së ardhmes me qetësi e duke bërë zgjedhje të guximshme". Këto fjalë janë për një ngjarje "kujtese, rëndësie dhe profecie", në një shoqëri "në rrezik të humbasë ndjenjën e kujtesës", e cila për Kishën, megjithatë, është "ndërgjegje e gjallë", "thirrje e vazhdueshme për përgjegjësi" dhe "rrënjë që lind profecinë".

 Për të krishterët, kujtesa ka karakter unik: është kremtim i Zotit që hyn në histori, sepse feja e krishterë bazohet në një fakt historik e shpëtimi nuk është ide, por vetja e gjallë e Zotit Jezu Krisht.

Histori flijimi, në kohë paqeje dhe lufte

Historia konkrete e Ordinariatit Ushtarak, thekson Papa, përbëhet nga burra dhe gra në uniformë që, në ditët e ndritshme të paqes dhe ditët dramatike të luftës, "me sakrificë, guxim dhe përkushtim kontribuan në rritjen e kësaj shoqërie, ndonjëherë me çmimin e jetës së tyre". Ai i fton kapelanët ushtarakë të jetojnë shërbesën e tyre si amoris officium,  shërbim dashurie, sipas këshillës së Shën Agustinit: "Duke ushqyer delet e tij, ne nuk kërkojmë interesat tona, por të tijat".

Shumë kapelanë ushtarakë i mishëruan këto fjalë dhe e bënë bamirësinë baritore të dukshme deri në pikën e virtytit heroik, nganjëherë deri në martirizim.

Kapelani, në shërbim të dialogut ndërmjet popujve

Leoni XIV përshkruan punën e kapelanit ushtarak, që zhvillohet "shpesh në heshtje, në vende paqeje e në vende konflikti", ku kujdesi për grigjën e Zotit manifestohet "përmes dëshmisë së jetës, shpalljes së Ungjillit, kremtimit të Eukaristisë dhe Sakramenteve, dëgjimit me durim dhe shoqërimit shpirtëror". Ai thekson gjithashtu rëndësinë e Akademive, Shkollave dhe të gjitha vendeve "ku formohen ndërgjegjet". Prandaj, kapelani "e vendos veten edhe në shërbim të dialogut ndërmjet popujve, kulturave dhe feve, duke dëshmuar për një Kishë që bëhet mjet uniteti", me një veprim që promovon "të mirën e përbashkët dhe paqen shoqërore".

Ungjilli t’i frymëzojë misionet e jetës ushtarake

Papa, në përfundim, kujton se identiteti i ushtrisë farkëtohet nga bujaria dhe  fryma e shërbimit, por kërkon edhe themel, "dhuratë Hiri, të aftë për të ushqyer bamirësinë deri në pikën e vetëkushtimit të plotë".

Prandaj është e nevojshme të frymëzohen kodet, normat dhe misionet e jetës ushtarake me gjakun jetësor të Ungjillit, në mënyrë që, në shërbim të sigurisë dhe të paqes, e mira e përbashkët e popujve të jetë gjithmonë në radhë të parë.

Papa Vojtila, ushtarakëve: shërbejini drejtësisë e paqes

Fjala e fundit është për Kushtetutën Apostolike Spirituali militum curae, me të cilën, 40 vjet më parë, Shën Gjon Pali II "i quajti Ordinariatet Ushtarake  Kisha të veçanta, të pajisura me identitetin e tyre teologjik dhe organizativ". Papa Vojtila, në Jubileun e vitit 2000, u kujtoi ushtarakëve se  janë të thirrur "për të mbrojtur të ligshtit, për të mbrojtur të ndershmit, për të nxitur bashkëjetesën paqësore të popujve". Secili prej jush, u tha ai, "është i përshtatshëm për rolin e rojes, i cili shikon larg përpara, për të shmangur rrezikun dhe për të mbrojtur drejtësinë dhe paqen kudo".

07 mars 2026, 13:37