Papa: të krishterët me përgjegjësi në luftëra, a e bëjnë rrëmimin e ndërgjegjës?

Leoni XIV priti sot pjesëmarrësit në Kursin e 37-të mbi Forumin e Brendshëm të Pendestarisë Apostolike. Kujtoi, që në fillim të takimit se falja e mëkateve favorizon "paqen dhe unitetin në familjen njerëzore", dhe se vetëm njeriu i pajtuar me Zotin, me Kishën dhe me veten e tij "është i aftë të jetojë i çarmatosur dhe çarmatosës". Ai vëren, megjithatë, se Sakramenti i Pajtimit është thesar mëshire, shpesh herë "i pashfrytëzuar" nga të krishterët.

R.SH. / Vatikan

Sakramenti i Pajtimit, për Papën Leoni XIV, "rivendos bashkimin me Zotin", me Kishën dhe me veten, duke favorizuar kështu edhe "paqen e unitetin në familjen njerëzore".

Dikush mund të pyesë veten: ata të krishterë, që kanë përgjegjësi të mëdha në konfliktet e armatosura, a e kanë përvujtërinë dhe guximin për të ndërmarrë një shqyrtimin serioz të ndërgjegjes dhe për t’u rrëfyer?

Vetëm kush është pajtuar, jeton i çarmatosur dhe çarmatosës.

Papa ia bëri vetes këtë pyetje gjatë audiencës së sotme, 13 mars, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, me 400 pjesëmarrësit e Kursit të 37-të të Forumit të Brendshëm të Pendestarisë Apostolike mbi Sakramentin e Pajtimit a të Rrëfimit. Leoni XIV kujtoi se ky "dinamizëm uniteti" që gjendet në Sakramentin e Rrëfimit "është parakusht për paqen ndërmjet individëve dhe popujve".

Vetëm një njeri i pajtuar është i aftë të jetojë i çarmatosur e çarmatosës! Ata, që i lëshojnë armët e krenarisë dhe e lejojnë veten të ripërtërihet vazhdimisht nga mëshira e Zotit, bëhen veprimtarë të pajtimit në jetën e tyre të përditshme. E në të bëhen realitet fjalët e atribuara Shën Françeskut të Asizit: “Zot, më bëj mjet të paqes sate!”.

Të krishterët, që nuk e përdorin Sakramentin e Pajtimit

Për këtë arsye, Leoni XIV e nxit Pendestarinë Apostolike, të udhëhequr nga Penitencieri i Madh, Kardinali De Donatis dhe nga Regjenti, Imzot Nykiel, ta vazhdojë këtë shërbim të formimit të rrëfyesve, në mënyrë që Sakramenti i Pajtimit të kuptohet gjithnjë e më shumë, të festohet në mënyrë të përshtatshme dhe, për këtë arsye, të përjetohet në mënyrë të qetë dhe efektive nga mbarë populli shenjt i Zotit. Theksoi edhe se, për fat të keq, të pagëzuarit nuk e shfrytëzojnë lehtësisht atë, edhe pse Kisha e ka zgjeruar progresivisht mundësinë e kremtimit.

Është sikur thesari i pafund i mëshirës së Zotit, në Kishës, të ketë mbetur "i papërdorur", për shkak të një shpërqendrimi të përhapur ndërmjet të krishterëve të cilët, jo rrallë, janë në gjendje mëkati për periudha të gjata, në vend që t'i afrohen rrëfimit, me thjeshtësi feje e zemre, për të marrë dhuratën e Zotit të Ngjallur.

Rrëfehuni të paktën një herë në vit

Papa kujton se Koncili IV Lateranens, në vitin 1215, kërkoi - e vendosi - që çdo i krishterë të bëjë rrëfim sakramental të paktën një herë në vit; e edhe Katekizmi i Kishës Katolike, pas Koncilit II të Vatikanit, e konfirmoi këtë normë që, duke cituar Shën Augustinin, thekson: “Të njohësh mëkatet tona, veçanërisht në këtë kohë të Kreshmëve, do të thotë "të jesh në harmoni" me Zotin, të bashkohesh me Të.

Sakramenti, "laborator uniteti"

Sakramenti i Pajtimit a Rrëfimit, vijon Papa Leoni, është pra "laborator uniteti": ai e rivendos unitetin me Zotin, "përmes faljes së mëkateve dhe përhirjes me hirin shenjtërues". Kjo "krijon unitetin e brendshëm të njeriut dhe unitetin me Kishën". Papa thekson, më pas, edhe se mëkati e thyen "unitetin shpirtëror me Zotin".

Është si t’i kthesh shpinën Atij, e kjo mundësi dramatike është po aq reale, sa dhurata e lirisë që Vetë Zoti ua dha qenieve njerëzore. Mohimi i mundësisë që mëkati të thyejë vërtet unitetin me Zotin është, në realitet, shpërfillje e dinjitetit të njeriut që është - dhe mbetet - i lirë e për këtë arsye, edhe përgjegjës për veprimet e veta.

Shumë priftërinj u bënë shenjtorë në rrëfyesore

Meshtarëve dhe seminaristëve të rinj, që presin shugurimin, e studentëve të Kursit, Papa u kujton se "E gjithë jeta e një prifti mund të realizohet plotësisht duke e kremtuar këtë Sakrament me zell e besnikëri". E shumë meshtarë u bënë shenjtorë në rrëfyestore, duke nisur nga Shën Gjon Vianney - te Shën Leopoldo Mandić dhe, më së fundmi - Shën Pio i Pietrelçinës dhe i Lumi Michał Sopoćko.

Pajtimi është unitet i rivendosur me Kishën.

Së fundmi, Leoni XIV thekson se uniteti i rivendosur me Zotin nëpërmjet rrëfimit është gjithashtu unitet me Kishën, e cila pasurohet nga shenjtëria e përtërirë e fëmijëve të saj të penduar, e të falur.

Në rrëfyestore, vëllezër të dashur, ne bashkëpunojmë në ndërtimin e vazhdueshëm të Kishës: një, e shenjtë, katolike dhe apostolike; dhe duke vepruar kështu, i japim energji të re shoqërisë dhe botës.

Në rrëfyestore për të rinjtë, përgjigje për pyetje ekzistenciale

E Papa përfundon duke sqaruar se uniteti me Zotin dhe me Kishën është parakusht për unitetin e brendshëm të njerëzve, kaq i nevojshëm sot, në këtë kohë shpërbërjeje që na u dha ta jetojmë. Një unitet i brendshëm që është dëshirë e vërtetë, veçanërisht për breznitë e reja:

Premtimet e paplotësuara të konsumizmit të shfrenuar dhe përvoja zhgënjyese e një lirie të ndarë nga e vërteta, me mëshirën hyjnore, mund të shndërrohen në mundësi për ungjillëzim: duke nxjerrë në dritë ndjenjën e mangësisë, zgjojnë ato pyetje ekzistenciale të cilave vetëm Krishti u përgjigjet plotësisht.

Zoti, përfundon Papa, u bë njeri për të na shpëtuar, "e këtë e bën edhe duke edukuar ndjenjën tonë fetare, kërkimin tonë të papërmbajtshëm për të vërtetën dhe dashurinë".

13 mars 2026, 16:02