Kërko

Papa: teologjia shërben për të çuar përpara misionin e Kishës

Në audiencë me anëtarët e Fakultetit Teologjik të Pulias dhe Institutit Teologjik të Kalabrisë, Papa vuri në dukje se “feja duhet të shpallet dhe të inkulturohet”. Nga teologjia duhet të burojë “një angazhim kishtar më i mishëruar në territor”; në Kalabri dhe në Pulia “kriza e punës, fenomeni i emigrimit dhe të gjitha ato forma të shtypjes, skllavërisë dhe padrejtësisë” kërkojnë “një ndërgjegje të re dhe një angazhim guximtar nga ana e të gjithëve”.

R.SH. - Vatikan

"Teologjia shërben për kumtimin e Ungjillit", e për këtë arsye "është pjesë integrale dhe themelore e misionit të Kishës". Leoni XIV e shpjegoi këtë në fjalimin e tij të sotëm, 2 mars, drejtuar anëtarëve të bashkësive të Fakultetit Teologjik të Pulias dhe Institutit Teologjik të Kalabrisë, pritur në audiencë në Vatikan. Ndër të pranishmit në audienën e Papës ishte edhe Imzot Imzot Donato Oliverio, Epark (Ipeshkëv) i Eparkisë së Ungrës (Lungro) për Arbëreshët e Italisë Kontinentale.

E në vijim theksoi se "formimi teologjik" është "thirrje drejtuar të gjithëve", e jo "fat për disa specialistë". Është e nevojshme të "thellohet misteri i fesë dhe të merren mjetet e nevojshme për ta ndjekur me pasion 'angazhimin këmbëngulës ndaj ndërmjetësimit kulturor dhe shoqëror' të Lajmit të Mirë". Ipeshkvi i Romës bëri thirrje për teologji të mishëruar, që ofron perspektivë më të gjerë për realitetin shoqëror.

Formimi teologjik kontribuon në lindjen e mendimit kritik e profetik, duke përfaqësuar, kështu, investim kulturor për të ardhmen, i aftë të çaktivizojë logjikën e dorëzimit e të indiferencës.

Udhëtim në dy drejtime

Duke folur me dy institucionet, nga dy rajone të Italisë jugore, "lagur nga bukuria dhe pafundësia e detit", Leoni XIV huazoi fjalët që Papa Françesku ia drejtoi bashkësisë së shkrimtarëve në La Civiltà Cattolica nëntë vjet më parë, duke rekomanduar: "Lundroni në det të hapur. Katoliku nuk duhet të ketë frikë prej tij; nuk duhet të kërkojë strehën e porteve të sigurta”. Për Leonin, "ky qëndrim është shumë i nevojshëm, veçanërisht në viset ku feja duhet të shpallet dhe të inkulturohet sot". E kjo "nuk është çështje e fitimit të njohurive për të përmbushur detyrimet akademike", por "udhëtim" që ka "drejtim të dyfishtë". Nëse nga njëra anë është e nevojshme të “zbresim në thellësi, duke shqyrtuar thellësitë e misterit të Zotit dhe përmasat e ndryshme të fesë së krishterë”, nga ana tjetër është e nevojshme të “shkojmë përtej, të shqyrtojmë horizonte të tjera e kështu të gjejmë forma dhe gjuhë të reja për të shpallur Ungjillin në situata të ndryshme të historisë”.

Të bëjmë teologji së bashku

“Të bëjmë teologji së bashku”: kjo, ftesa e Papës Prevost, që shpreh vlerësimin e tij për “rrugën e unitetit” të nisur nga Fakulteti Teologjik i Pulias dhe Instituti Teologjik i Kalabrisë, një “sinergji vërtet e rëndësishme” që, në praktikë, “ndihmon bashkimin ndërmjet dioqezave, nxit kapërcimin e parokializmit të lashtë e, mbi të gjitha, inkurajon udhëtimin kishtar të shënuar nga uniteti dhe vëllazëria”. Mbi këtë rrugë “mund të ndërtohet një horizont i përbashkët mendimi dhe një konvergjencë mbi sfidat dhe kërkesat baritore të ungjillëzimit”.

Formimi, që i shërben kumtimit të Ungjillit, është i mundur vetëm së bashku, duke lundruar në "det të hapur", por jo si lundërtarë të vetmuar.

Kjo mund të bëhet "duke lënë portin e sigurt", shtoi Papa, "e duke shkuar përtej kufijve territorialë dhe kishtarë, në takim dhe diskutim, në dëgjim dhe dialog të ndërsjelltë", në "bashkim ndërmjet Kishave që lidh burimet, aftësitë e karizmat".

Një angazhim kishtar më i mishëruar në zonën lokale

Ka shumë fryte pozitive që lindin nga "teologjia së bashku". Leoni XIV i numëroi hollësisht dhe nxiti ndjekjen e rrugës "me entuziazëm e me vendosmëri, por pa u joshur nga tundimi për t'u kthyer pas".

Duke bërë teologji së bashku, horizontet intelektuale, shpirtërore dhe baritore zgjerohen dhe përzihen, duke krijuar perspektiva të përbashkëta dhe angazhim kishtar më të mishëruar në zonën lokale, duke ju ofruar mundësinë për të rinovuar stilet dhe gjuhët e fesë në kontekstin real në të cilin ndodheni.

E "të bësh teologji së bashku" mund të jetë "laborator që përgatit priftërinjtë dhe punonjësit baritorë të ardhshëm, për të jetuar marrëdhënie kishtare në stil sinodal", vazhdoi Papa, në mënyrë që shërbesat individuale dhe karizmat kishtare të plotësojnë njëra-tjetrën, "duke kapërcyer çdo mendje të mbyllur". Për më tepër, ne jemi "më të aftë të mirëpresim pyetjet dhe sfidat e kontekstit shoqëror dhe kulturor". Në këtë drejtim, Papa Leoni XIV tërhoqi vëmendjen tek "problemet e shumta sociale" të Kalabrisë dhe Pulies, "krizën e papunësisë, fenomenin e emigrimit dhe të gjitha ato forma të shtypjes, skllavërisë dhe padrejtësisë që kërkojnë vetëdije të re dhe angazhim të guximshëm nga ana e të gjithëve".

Një mozaik uniteti e bashkimi

Papa Leoni uroi "të zhvillohet një bashkësi akademike, në të cilën kandidatët për shërbesën e shuguruar, burrat dhe gratë e shuguruara e laikët dhe laiket të formohen së bashku dhe t'i ndihmojnë bashkësitë e krishtera "të bëhen shenja të Ungjillit e kantiere të shpresës".

Prej këndej Papa u shprehu falënderimet atyre që, me durim e punë të palodhur, po e ndërtojnë "këtë mozaik uniteti dhe bashkimi" që "na ndihmon ta jetojmë botën ndërmjet besnikërisë dhe krijimtarisë, traditës dhe risisë, unitetit dhe diversitetit, gjithmonë të vëmendshëm ndaj asaj që, edhe sot, Shpirti i Zotit dëshiron t'ia thotë Kishës".

02 mars 2026, 13:08