Papa, shtegtar në Afrikë: publikohet programi i udhëtimit apostolik
R.SH. – Vatikan
Dhjetë ditë, katër vende, njëmbëdhjetë qytete, afërsisht 25 fjalime, përshëndetje dhe homeli, fluturime të përditshme me avion vendas e, nganjëherë, edhe dy herë në ditë. Udhëtimi që Papa Leoni XIV po përgatit të ndërmarrë në Afrikë, nga 13 deri më 23 prill, premton të jetë i pasur, intensiv dhe sigurisht interesant. Algjeria, Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale janë etapat e këtij shtegtimi, të cilin vetë Ati i Shenjtë e pati paralajmëruar në fluturimin e kthimit nga Bejruti, kur pohoi se kishte dëshirë të vizitonte kontinentin afrikan, duke filluar me Algjerinë, tokën e Shën Augustinit.
Në Algjeri, në gjurmët e Shën Augustinit
E pikërisht nga kryeqyteti i këtij vendi, Algjeri, do të fillojë shtegtimi i gjatë ndërkombëtar i Papës - i treti i tij pas Turqisë dhe Libanit (27 nëntor - 2 dhjetor 2025) dhe pas Principatës së Monakos (28 mars). Programi zyrtar u publikua sot. Papa do të niset nga aeroporti i Romë-Fiumicino në orën 8.00 për në qytetin afrikanoverior e do të mbërrijë një orë më vonë në aeroportin ndërkombëtar Houari Boumédiène të Algjerit, ku do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjejes. Në orën 9.45, Leoni XIV do të vizitojë Monumentin e Martirëve “Maqam Echahid”, memorial i përuruar në vitin 1982, në 20-vjetorin e pavarësisë së Algjerisë nga Franca dhe në nderim të të rënëve të luftës çlirimtare. Do të vijojnë takime institucionale, të ndjekura nga një vizitë te Presidenti i Republikës, Abdelmadjid Tebboune, në Pallatin Presidencial, si edhe nga një takim në Qendrën e Konferencave "Djamaa el Djazair" me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, të cilëve do t'u mbajë fjalimin e parë të udhëtimit. Pasdite, në orën 15.15, Papa do të ndalet në Xhaminë e Madhe të Algjerit, në Mohammadia, në periferi të kryeqytetit, një nga vendet më të mëdha të kultit islamik në botë, që zë 120.000 besimtarë. Menjëherë pas, ai do të shkojë te Motrat Misionare Augustiniane në Bab El Oued për të vizituar qendrën e miqësisë së drejtuar prej tyre. Vizita do të jetë private, ndërsa takimi me bashkësinë algjeriane në Bazilikën e Zojës së Afrikës, në orën 16.40, do të jetë publik. Duke ndjekur një traditë të filluar nga Papa Françesku, që, gjatë udhëtimeve të tij apostolike, u rezervonte gjithmonë një takim sivëllezërve të tij jezuitë, Leoni XIV do të takohet privatisht me anëtarët e Urdhrit Augustinian, në shtëpinë e bashkësisë, në orën 12.10. Programi do të rifillojë pasdite, në orën 15.30, me meshën në Bazilikën, që mban emrin e themeluesit të urdhrit, Shën Augustinit. Pas kremtimit, Papa do të kthehet në Algjer. Nisja në orën 18.00, mbërritja në orën 19.10.
Tre ndalesa në Kamerun
Ati i Shenjtë do të niset nga kryeqyteti algjerian të nesërmen, më 15 prill, me një ceremoni në aeroport në orën 9.40, për t’u larguar në orën 10.10. Destinacioni: Yaoundé, Kamerun, ku Papa do të mbërrijë në orën 15.20. Në Yaoundé, Leoni XIV do të vizitojë presidentin Paul Biya në Pallatin Presidencial, do të takohet me autoritetet dhe Trupin diplomatik në Palais des Congrès dhe, në orën 17.45, do të vizitojë jetimoren Ngul Zamba, ku do të përshëndesë të strehuarit në të dhe personelin. Dita do të përfundojë në orën 18.25 me një takim privat me ipeshkvijtë e Kamerunit, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore.
Itinerari kamerunas vazhdon në Bamenda, qytet në pjesën perëndimore të vendit, kryeqytet i departamentit Mezam. Mbërritja e Papës parashikohet në orën 10.05, të enjten, më 16 prill; në orën 11.30, Leoni XIV do të marrë pjesë në Takimin e Paqes me bashkësinë vendase në katedralen e Shën Jozefit. Pasdite, në orën 15.15, do të kremtojë meshën në aeroportin ndërkombëtar, nga ku do të niset me avion për t'u kthyer në Yaoundé.
E nga Yaoundé, Papa do të shkojë, më 17 prill, në qytetin e tretë më të madh të Kamerunit: Douala, kryeqyteti i rajonit Littoral në Gjirin e Guinesë, një nga qendrat më të mëdha urbane, konsideruar kryeqyteti tregtar i vendit falë portit, aeroportit dhe tregut. Udhëtimi është një fluturim i shkurtër 55-minutësh. Edhe ndalesa në Douala do të jetë e shkurtër, me meshën e Papës të planifikuar në orën 11.00 në stadiumin Japoma dhe me vizitën private në spitalin katolik Saint Paul, në orën 13.20. Në orën 14.10 fillon udhëtimi i kthimit për në Yaoundé, ku pasdite do të mbahet një takim me bashkësinë universitare në Universitetin Katolik të Afrikës Qendrore.
Udhëtimi për në Angolë
Papa do t'i japë lamtumirën Kamerunit të shtunën, më 18 prill, duke kremtuar meshën në orën 9.30, në aeroportin Yaoundé-Ville. Do të pasojë ceremonia e lamtumirës, por këtë herë në aeroportin ndërkombëtar Yaoundé-Nsimalen. Ati i Shenjtë do të niset në orën 12.30 dhe do të mbërrijë në Angolë dy orë e gjysmë më vonë - etapa e tretë e udhëtimit të tij apostolik. Në aeroportin ndërkombëtar "4 de Fevereiro" të Luandës, Papa do të pritet nga përfaqësues të vendit jugor afrikan. Ai do të zhvillojë takime të ndryshme institucionale, të ndjekura nga një vizitë mirësjelljeje te presidenti João Manuel Gonçalves Lourenço në Pallatin Presidencial dhe nga një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe diplomatët. Gjithçka, në mes të pasdites, ndërsa, në mbrëmje, një takim privat me ipeshkvijtë e Angolës.
Ashtu si në Kamerun, edhe në Angolë, Papa nuk do t'i kufizojë vizitat në kryeqytet, por do të shkojë edhe qytete të tjera. Të dielën, më 19 prill, ai do të udhëtojë për në Muxima, në provincën e Bengos, e njohur për bukuritë e saj natyrore. Aty ndodhet shenjtërorja mariane "Mama Muxima". Para nisjes, Leoni XIV do të kremtojë meshën në lagjen Kilamba të Luandës, në orën 10.00. Pasdite, në orën 15.40, Papa do të shkojë me helikopter për në Muxima. Do të mbërrijë pas një udhëtimi prej gjysmë ore dhe menjëherë do të shkojë në sheshin përpara shenjtërores për të thënë Rruzaren me besimtarët. Kthehet në Luanda në orën 17.45.
Ndalesa e tretë dhe e fundit angoleze do të jetë Saurimo, në Lundën Jugore, një qytet, popullsia e të cilit është rritur në mënyrë eksponenciale nga emigrantët e shumtë, që largohen nga zonat e luftës. Leoni XIV do të mbërrijë në Saurimo më 20 prill, në orën 9.20 dhe takimi i tij i parë do të mbahet në Shtëpinë e të Moshuarve, dhjetë minuta nga aeroporti Deolinda Rodrigues. Më pas, Papa do të kremtojë meshën në sheshin e Saurimos. Menjëherë pas drekës, në orën 13.45, do të niset për në Luandë. Në kryeqytet, ku do të mbërrijë në orën 15.15, Ati i Shenjtë do të takohet me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët dhe me punonjësit baritorë, në famullinë e Zojës së Fatimës. Kjo është edhe veprimtaria e fundit e vizitës së tij në Angolë, nga ku Leoni XIV do të niset të martën, më 21 prill, për të shkuar drejt Guinesë Ekuatoriale.
Në Guinenë Ekuatoriale
Fluturimi nga Luanda për në Malabo, ish-kryeqyteti i vendit në bregdetin verior të ishullit Bioko, zgjat afërsisht dy orë e gjysmë. Paradite, vizita tek presidenti Teodoro Obiang Nguema Mbasogo dhe takimi me autoritetet në Pallatin Presidencial. Pasdite, takimi me botën e kulturës në Kampusin "León XIV", një kampus universitar me emrin e Papës. Pas takimeve zyrtare, Ati i Shenjtë do të shkojë, në orën 17.15, në spitalin psikiatrik Jean Pierre Olie, që mban emrin e një psikiatri të njohur francez, konsideruar "mik" i Guinesë Ekuatoriale. Në objektin e përuruar dhjetorin e kaluar pas gati dhjetë vjetësh - qendër kujdesi psikiatrik me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare - Leoni XIV do të përshëndesë punonjësit dhe pacientët. Takimi me ipeshkvijtë e Guinesë, i planifikuar për atë mbrëmje në orën 19.00, do të jetë privat. Dita më e ngarkuar e turneut afrikan të Papës do të jetë e mërkura, 22 prill, me dy udhëtime në të njëjtën ditë. Në orën 8.10 të mëngjesit, Papa do të niset nga Malabo për në Mongomo, ku do të kremtojë meshën në Bazilikën e Zojës së Papërlyer. Në orën 12.30, do të vizitojë "Escuela Tecnologica Papa Francesco", një projekt me emrin e Papës argjentinas. Në orën 15.10, Leoni XIV do të niset për në Bata, kryeqyteti politik i vendit. Aty do të përjetojë tre momente: së pari, vizita në burg; pastaj, lutja në Memorialin për viktimat e shpërthimit të një armerie, më 7 mars 2021, që shkaktoi 20 të vdekur dhe afërsisht 500 të plagosur. Së fundi, Ati i Shenjtë do të takohet me të rinjtë dhe familjet në stadium e do të kthehet në mbrëmje, në Malabo.
Këtu, akti i fundit i udhëtimit papnor në Afrikë: mesha në stadium mëngjesin e 23 prillit, në orën 10.00. Në orën 12.45, Papa do t'i japë lamtumirën vendit dhe do të hipë në avionin, që do ta kthejë në Romë. Mbërritja është planifikuar për në orën 19.55.
Motot dhe Logot
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot edhe logot e motot për katër fazat afrikane të udhëtimit të Papës Leoni XIV. Logoja algjeriane, e frymëzuar nga një basoreliev i lashtë, paraqet dy pëllumba që pinë nga e njëjta kupë, simbol paqeje dhe bashkimi, si edhe Chi Rho, emblema e Krishtit, e kombinuar me një hartë të Algjerisë. Ngjyrat jeshile, e kuqe dhe e bardhë kujtojnë flamurin algjerian, ndërsa e verdha i referohet Vatikanit. Në qendër dhe poshtë shihet motoja në arabisht, amazigh dhe frëngjisht: "La paix soit avec vous" (Paqja qoftë me ju), e përkthyer në arabisht me përshëndetjen "Assalamu Alaykom". Ajo përfaqëson dialogun dhe takimin ndërmjet të krishterëve e myslimanëve dhe është ftesë universale për të përjetuar paqen, vëllazërimin dhe bashkëjetesën në harmoni.
Logoja për udhëtimin në Kamerun paraqet një Bibël të hapur, themelin e jetës së krishterë, mbi të cilën mbështetet harta e vendit me shirita jeshilë, të kuq dhe të verdhë, ngjyrat e flamurit kombëtar. Nga brezi i majtë ngrihet Kryqi, simbol i kumtimit të Ungjillit, ndërsa poshtë tij shihet monograma e Marisë. Në qendër, një pëllumb i artë rrezaton dritë, duke përfaqësuar veprimin e Shpirtit Shenjt dhe përhapjen e Lajmit të Mirë në të gjithë vendin. Në të djathtë, Papa Leoni XIV paraqitet në lutje, si shenjë e bashkimit dhe e shoqërimit baritor të Popullit të Zotit. Faqet e Biblës mbajnë moton "Que tous soient un / Qofshin të gjithë një" (Gjoni 17:21), e cila kujton temën e unitetit në Krishtin dhe është e lidhur me moton ipeshkvnore të Papës, "In Illo uno unum".
Ndërkaq, logoja e Angolës, me nuanca të kuqe, kujton gjakun e derdhur në historinë e kësaj toke. Harta e vendit kurorëzohet nga një vijë e zezë në formë vale, e cila kujton si bekimin, ashtu edhe identitetin afrikan, duke evokuar mbrojtjen hyjnore që shoqëron kombin. Në qendër, një gjysmërreth i verdhë i rrethuar nga petale aludon ingranazhin, një alegori pune në flamurin kombëtar, ndërsa, i kombinuar me kryqin, përfaqëson Eukaristinë. Petalet evokojnë mulembën, pemën simbolike të vendit, ndërsa vijat blu përfaqësojnë lumenjtë e vendit. Pra, logoja paraqet një Angolë të bekuar nga Zoti dhe të udhëhequr nga Papa, duke ecur drejt një të ardhmeje paqeje, dinjiteti dhe shprese të ripërtërirë, siç thotë motoja, poshtë djathtas: "Papa Leoni XIV, shtegtar i shpresës, i pajtimit dhe i paqes, bekon Angolën".
Një kryq i artë, që simbolizon Krishtin e Ngjallur dhe fenë e krishterë, është hollësia e parë, që të bën përshtypje në logon e Guinesë Ekuatoriale. Qendra paraqet, në njërën anë, hartën dhe flamurin e vendit dhe, në anën tjetër, familjen, të përfaqësuar nga siluetat e një burri, të një gruaje dhe të një fëmije. Më poshtë, një person në një barkë, me një libër në duar, kujton mbërritjen e ungjillëzuesve të parë nga deti, 170 vjet më parë. Ngjyrat e arta, e gjelbërta, e bardha dhe e kuqja kujtojnë përkatësisht dritën e Krishtit, tokën, paqen dhe luftën për liri. Motoja "Krishti, drita e Guinesë Ekuatoriale, drejt një të ardhmeje shprese" shpreh kujtimin e së kaluarës dhe besimin në një udhëtim feje dhe shprese drejt së ardhmes.
