Papa pret kryeministren e Lituanisë

Inga Ruginienė u prit në audiencë në Pallatin Apostolik në Vatikan. Në bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit,u përqendruan te çështjet me karakter ndërkombëtar dhe te konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, me shpresën që të punohet për zgjidhje diplomatike që të ndalin luftën.

R.SH. / Vatikan

Sot paradite, më 7 mars, Leoni XIV priti në audiencë, në Vatikan, kryeministren e Republikës së Lituanisë, Inga Ruginienė, e cila më pas u takua me imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedime në Sekretarinë e Shtetit

“Gjatë bisedës së përzemërt në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit – njofton një komunikatë e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Lituanisë, duke vënë në dukje kontributin pozitiv të Kishës Katolike në mbrojtje të dinjitetit të njeriut dhe për të mirën e përbashkët të shoqërisë”.

“Më pas – vazhdon komunikata – u ndalën në disa çështje me karakter ndërkombëtar, me referencë të veçantë ndaj situatave të konfliktit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, duke shprehur shpresën që të punohet, në çdo nivel, për kërkimin e zgjidhjeve diplomatike që të ndalin luftën”.

07 mars 2026, 11:35