Leoni XIV pret pjesëmarrësit në takimin "Kryesia e Mikpritjes" Leoni XIV pret pjesëmarrësit në takimin "Kryesia e Mikpritjes"

Papa: prania dhe mbrojtja për t'iu përgjigjur shqetësimeve të të rinjve

Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në "Katedrën e mirëpritjes", një ngjarje kulturore e lindur nga shoqata Fraterna Domus dhe realitete të tjera kishtare, Leoni XIV i fton pjesëmarrësit të jenë "edukatore dhe edukatorë të mirëpritjes" dhe të vazhdojnë të "promovojnë të mirën dhe vëllazërinë në komunitetin e krishterë dhe në shoqëri".

R.SH. – Vatikan

Prania dhe mbrojtja janë përmasa të pandashme: nuk mund të mbrosh pa qenë i pranishëm, dhe nuk mund të jesh i pranishëm pa marrë përsipër përgjegjësinë për tjetrin. Janë dy fjalë kyçe – prania dhe mbrojtja – që udhëheqin reflektimin e Papa Leonit në audiencën e sotme, 12 mars, në Sallën Klementine, në Vatikanit, drejtuar pjesëmarrësve të edicionit të katërt të "Katedrës së mirëpritjes", kushtuar temës "Të rinjtë dhe Kisha. Mirëpritje që gjenerojnë përkatësi". Një ngjarje kulturore dhe formuese që përfundon nesër në Sacrofano, në provincën e Romës, e lindur nga Fraterna Domus për të promovuar kulturën e solidaritetit dhe dialogut së bashku me realitete të tjera kishtare dhe shoqërore, me bashkëpunimin e Universitetit Papnor Lateranens.

Në dëgjim të të rinjve

Papa kujton se thirrja e krishterë gjeneron bashkësi dhe se kjo lind nga aftësia për të mirëpritur të tjerët, "duke ofruar dëgjim, mikpritje dhe asistencë". Gjithçka nis nga marrëdhënia e cila, nëse është e vërtetë, është e aftë të shndërrohet në përvojë komunitare. Të rinjtë në veçanti, edhe "në një kohë të përshkuar nga transformime të thella kulturore dhe shoqërore", janë, pohon Papa, "e ardhmja e shoqërisë dhe e Kishës", por gjithashtu "përbëjnë tashmë të sotmen saj të gjallë dhe gjeneruese".

Pyetjet dhe shqetësimet e tyre, në fakt, na ftojnë të ripërtërijmë stilin e raporteve tona. Të mirëpritësh të rinjtë do të thotë, mbi të gjitha, të vihesh në dëgjim të zërave të tyre, të kryqëzosh vështrimet e tyre dhe të pranosh se, në ekzistencën dhe në gjuhët e tyre, Shpirti vazhdon të veprojë dhe të na sugjerojë shtigje të ripërtërira të pranisë dhe mbrojtjes.

Pika referimi të qëndrueshme

Prania dhe mbrojtja, nënvizon Papa Leoni XIV, bashkëveprojnë për të ndriçuar kuptimin e krishterë të mirëpritjes. Që nga lindja, çdo person përballet me realitete si familja, shkolla dhe puna, "hapësira të përzgjedhura të identitetit, detyra parësore e të cilave përcaktohet pikërisht nga prania". Të jesh i pranishëm në jetën e të tjerëve do të thotë të ndash kohën, përvojat, kuptimet, duke ofruar pika referimi të qëndrueshme në të cilat të tjerët mund të njohin veten dhe të rriten.

Jo një Zot sipas masës sonë

Ndonjëherë pikat e referimit mund të humbasin; duke parë Marinë dhe Jozefin që humbasin Jezusin në tempull, kuptohet se "prania e tjetrit nuk është një automatizëm, por rezultat i një kërkimi konstant". Të humbësh dikë me të cilin je i lidhur shpesh bën të zbulosh çmueshmërinë e asaj pranie. Kjo ndodh edhe në jetën e fesë: ndonjëherë Jezusi merret si i mirëqenë, derisa papritmas "duket se Ai nuk është më aty ku e kemi lënë". Atëherë, nënvizon Papa, "jemi të thirrur ta kërkojmë Atë me besim, me guximin për të përshkuar rrugë të paeksploruara, duke e parë botën me sy të rinj, plot shpresë".

Në këtë mënyrë, do të pushojmë së kërkuari një Zoti sipas masës sonë për ta takuar Atë aty ku Ai banon. Të kërkosh Jezusin do të thotë, pra, të kalosh nga siguria e bindjeve tona te përgjegjësia e takimit, duke mësuar të shohim dhe të mirëpresim praninë e Zotit që është gjithmonë "përtej".

Të ruajmë të brishtët

Papa Leoni fton më pas të shohim Shën Jozefin, praninë dhe mbrojtësin e familjes, të aftë për të qëndruar pranë, duke respektuar zgjedhjet dhe duke u kujdesur për tjetrin. Edhe familja njerëzore është e thirrur të ruajë atë që i është besuar: marrëdhëniet, krijimin, jetën e motrave dhe vëllezërve, veçanërisht të atyre që vuajnë dhe janë më të brishtë.

Edukatorë dhe edukatore të mirëpritjes

"Dy llamba" i dorëzohen kështu nga Papa"Katedrës së mirëpritjes": prania dhe mbrojtja; llamba që ndriçojnë dhe hapen ndaj "shtigjeve të shenjtërisë, në një perspektivë kurrë autoreferenciale, por gjithmonë relacionale dhe vëllazërore", siç sugjeron enciklika Fratelli tutti.

"Ju falënderoj për angazhimin tuaj të heshtur dhe diskret. Ju inkurajoj të jeni edukatore dhe edukatorë të mirëpritjes. Kultivoni karizmën e mirëpritjes në dëgjim të Shpirtit Shenjt, fryti i të cilit, na thotë Shën Pali, «është dashuria, gëzimi, paqja, duresa, mirëdashja, mirësia, besnikëria, butësia, vetëpërmbajtja» (Gal 5,22). Kështu do të mund të vazhdoni të gjeneroni së bashku mjedise të afta për të promovuar të mirën dhe vëllazërinë në komunitetin e krishterë dhe në shoqëri."

 

12 mars 2026, 12:26