Papa: Oratorët janë vendimtarë për të ndihmuar të rinjtë të dalin nga vetmia.
R.Sh. Vatikan
Guri i themelit që u vendos mbi hirin e oratorit të vjetër "San Giovanni Bosco" në Olgiate Comasco, një qytet i vogël i Lombardisë, vetëm tetë kilometra larg kufirit italo-zviceran, është shenjë e gjallërisë së këtyre institucioneve, thelbësore për jetën e Kishës dhe të shoqërisë në tërësi. Janë vende të caktuara për të ndërtuar "lidhje të vërteta", në gjendje të kapërcejnë "izolimin e kohës sonë", veçanërisht atë të të rinjve. Kështu shprehet në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Kardinal Pietro Parolin, Papa Leoni XIV i cili përcolli përshëndetjet e tij me rastin e vendosjes së gurit të parë të oratorit të ri, që mban emrin e Dom Boskos, themeluesit të Salezianëve. Ceremonia u zhvillua të dielën, më 1 mars, në prani të kardinalit Oscar Cantoni, ipeshkëv i Komos.
Qendra vëllazërimi dhe formimi
Në mesazhin drejtuar atë Flavio Crosta-s, famullitarit të Kishës së Shenjtërve Hipolit dhe Kasian, kishë pranë së cilës do të ndërtohet qendra e re rinore, Papa uroi që kjo të ofrojë "hapësira vëllazërimi të vërtetë njerëzor dhe formimi të krishterë". Famullitari, në fjalimin e tij të së dielës, kujtoi se për të rinjtë nuk mjafton të vlerësohen: "ata duhet ta dinë se të tjerët i duan". Vendosja e gurit të themelit përfaqësonte gjithashtu "fundin e një udhëtimi të gjatë pritjesh dhe telashesh të ndërlikuara", i cili filloi me mbylljen e oratorit të vjetër në vitin 2017. Tetë vjet të mbushura me nostalgjinë e atyre që u rritën duke ruajtur kujtimet e ditëve të fëmijërisë pa shqetësime, deri më 18 nëntor, kur kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit për Klerin, dha miratimin përfundimtar për ndërtimin e strukturës së re.
Rizbulimi i kuptimit të bashkësisë në epokën e "Tokës së askujt"
Projekti për oratorin e ri, i konceptuar dhe i zhvilluar nga arkitektja Alessandra Mastrogiacomo dhe i miratuar nga arkitekti Carlo Valentini, i ka shndërruar hapësirat e mëparshme të ndara dhe nganjëherë jopraktike në hapësira mikpritëse dhe shumë funksionale. Kontributi vullnetar i "djelmoshave dhe i vajzave të djeshme" – tani profesionistë me nam ose të porsa dalë në pension – ishte gjithashtu thelbësor. Ata i ofruan bujarisht aftësitë e tyre komisionit në mbështetje të famullitarit.
Edhe të rinjtë e sotëm bënë përshëndetjet e tyre gjatë ceremonisë, duke ngritur pyetje për një reflektim të thellë: "A jemi vërtet të humbur? Në epokën që e quajmë si “Tokë e askujt”, ne e kemi rizbuluar veten si bashkësi, pa mure. Kemi mësuar të qëndrojmë së bashku; pa çati, kemi mësuar të ndërtojmë një shtëpi, sepse një orator nuk lind nga betoni, por nga vështrimi i atyre të cilët, tek një i ri ose e re, pikasin diçka të vlefshme."
