Papa në Santa Maria della Presentazione, afërsi me një zonë të vështirë të Romës
R.SH. / Vatikan
Famullia kishtare Santa Maria della Presentazione, në numrin 1104, në Via di Torrevecchia, në Romë, do të mirëpresë Leonin XIV të dielën e ardhshme, më 8 mars. Papa do të mbërrijë në orën 16:00 në bashkësinë besuar klerit dioqezan. Do ta mirëpresin Vikari Papnor i Dioqezës së Romës, kardinali Kardinali Baldo Reina dhe meshtari i famullisë, Dom Paolo Stacchiotti, që e udhëheq famullinë që nga dhjetori i kaluar.
Mbi të gjitha, Papa Leoni do të mirëpritet ngrohtësisht nga fëmijët e katekizmit, të rinjtë dhe familjet, të cilët do të jenë në oborrin e Kishës - ku do të vendoset një ekran i madh për këtë rast - me këngë, banderola dhe vizatime. Papa do të ndalohet për të folur me ta përpara se të vazhdojë vizitën brenda kompleksit të famullisë së Santa Maria della Presentazione. Në zona të ndryshme, do të takojë personat me aftësi të kufizuara dhe të sëmurët; së fundmi, në sallën e famullisë, do ta presin afërsisht gjashtëdhjetë vetë, me aftësi të ndryshme të kufizuara. Në orën 17:00, Papa Leoni do të kremtojë Meshën; më pas do të takohet me këshillin baritor e me meshtarët, pastaj, përshëndetja e fundit dhe kthimi në Vatikan.
Lagje e vështirë
Kjo është vizita e katërt e Papës në një famulli romake. "E presim Atin Shenjt me gëzim", thotë Dom Stacchiotti. "Këtu erdhi për vizitë Shën Gjon Pali II. Ishte viti 1982, kështu që kanë kaluar më shumë se dyzet vjet. Prania e Papës na bën ta ndiejmë afërsinë e tij dhe atë të mbarë Kishës, edhe pse kjo zonë ka shumë nevojë për të". Ndërmjet lagjet romake Bastogi dhe banesave publike të Torrevecchia-s, "kjo nuk është lagje e lehtë - shpjegon famullitari - por lajmet nuk e vlerësojnë drejtë të mirën, që nuk mungon aspak këtu. Ky është komunitet i bashkuar, plot me njerëz bujarë që nuk e kursejnë asnjë përpjekje për ta ndihmuar njëri-tjetrin".
Forcimi i lidhjeve
Vizita e Papës është edhe një mundësi për t’i "forcuar lidhjet, për të punuar së bashku, madje edhe në organizimin praktik të ngjarjes, vazhdon famullitari, për të bërë bashkim. Papës do t'i dhurojmë një ikonë të Zojës Shtegtaretë realizuar nga gratë e kushtuara, që jetojnë prej tridhjetë vjetësh në Bastogi. Është kopje e Zojës Shtegtare, që shetitë nëpër lagje gjatë muajit maj. Nuk është dhuratë e çmuar, por simbol i famullisë sonë dhe devocionit popullor".
