Kërko

Logoja dhe motoja e udhëtimit të Papa Leonit XIV në Principatën e Monakos më 28 Mars Logoja dhe motoja e udhëtimit të Papa Leonit XIV në Principatën e Monakos më 28 Mars

Papa në Principatën e Monakos: publikohet programi zyrtar

Do të zgjasë afërsisht nëntë orë vizita e Leonit XIV në qytet-Shtetin evropian, më 28 marsin e ardhshëm. Papa do të takohet me Princin Albert, pastaj me bashkësinë katolike, të rinjtë dhe katekumenët, dhe do të kryesojë Meshën në Stadiumin Louis II. U bënë të njohura edhe logoja e motoja, marrë nga Ungjilli i Gjonit: "Je suis le Chemin, la Verité et la Vie" - "Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta".

R.SH. / Vatikan

Një udhëtim prej më pak se nëntë orësh, i përbërë nga katër takime, duke filluar nga ai me Princin Albert, pastaj me bashkësinë katolike, me të rinjtë dhe katekumenët, e së fundit me Meshën që do të kremtohet në Stadiumin Louis II. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot më 9 mars, programin zyrtar për udhëtimin e Papës Leoni XIV në Principatën e Monakos të shtunën, më 28 mars, në prag të Javës së Madhe të Pashkëve.

Ky është udhëtimi i parë evropian i Papës Leoni XIV - dhe i pari nga udhëtimet e tij të huaja në gjysmën e parë të vitit 2026 (i ndjekur nga një udhëtim i gjatë në Afrikë, në prill, dhe një udhëtim në Spanjë, në qershor). Motoja është "Je suis le Chemin, la Verité et la Vie" - Unë jam Udha, e Vërteta e Jeta (Gjn 14,6). Kjo frazë e zgjedhur nga Ungjilli i Gjonit thekson rolin e Papës si mbartës i vetë Krishtit dhe i mesazhit të tij.

Udhëtimi

Leoni XIV do të mbërrijë me helikopter në qytet-shtetin e vogël, Papa i parë që e viziton këtë vend ku katolicizmi është fe shtetërore (siç përcaktohet në Kushtetutë) dhe ku dialogu ndërmjet institucioneve civile dhe Kishës ka rëndësi konkrete, edhe në debatin publik. Papa do të udhëtojë pas ftesave të përsëritura nga autoritetet monegaske. Do të jetë një mundësi, siç shpjegoi Kryeipeshkvi Dominique-Marie David, për të riafirmuar lidhjen shekullore të familjes Grimaldi dhe Pasardhësve të Pjetrit dhe për të çuar më tej angazhimet e shumta të përbashkëta për respektimin e jetës njerëzore "nga fillimi, deri në fund të saj", shqetësimin për ekologjinë integrale dhe mbrojtjen e "shtëpisë sonë të përbashkët", dhe një pasion për sportin. Vetë Alberti II - i pritur në Vatikan më 17 janar - së bashku me Princeshën Charlène pohojnë se vizita papnore është pjesë e vazhdimësisë së "marrëdhënieve të lashta dhe të besueshme diplomatike ndërmjet Principatës së Monakos dhe Selisë së Shenjtë" dhe se udhëtimi, në fund të marsit, do të jetë ngjarje me "përmasa si institucionale, ashtu edhe baritore" që do të përbëjë "një shenjë të fortë shprese, në frymën e dialogut, paqes dhe përgjegjësisë së përbashkët".

Arkidioqeza e Monakos është gati të mirëpresë Papën Leoni XIV
Arkidioqeza e Monakos është gati të mirëpresë Papën Leoni XIV

Takimet

Vizita e parë papnore do të fillojë me vizitën në familjen princore. Nisja me helikopter nga Vatikani është planifikuar për në orën 7:00 të mëngjesit; mbërritja në Heliportin e Monakos, është në orën 9:00 të mëngjesit, e ndjekur nga pritja zyrtare dhe ceremonia e mirëseardhjes në Pallatin Princier. Në rezidencën e lashtë, me arkitekturën e saj baroke dhe rinashimentale, do të zhvillohet vizita e mirësjelljes  princit, e ndjekur nga një përshëndetje nga Papa, i pari nga katër fjalimet e udhëtimit.

Së dyti është një predikim, të cilin Leoni XIV do ta mbajë para bashkësisë katolike, të cilën do ta takojë në orën 11:00 të mëngjesit në Katedralen e Zojës së Papërlyer. Ky takim, 45 minuta më vonë, do të pasohet nga një tjetër me të rinjtë dhe katekumenët në zonën përpara Kishës së Sainte-Devote, vend adhurimi katolik i shekullit të 19-të në lagjen La Condamine, ku ndodhet famullia me të njëjtin emër, në Kryedioqezën e Monakos. Papa Leoni, me këtë rast, do të mbajë  një fjalim. Pas pushimit të drekës dhe çlodhjes së shkurtër, Papa do të shkojë në Stade Louis II, kompleks sportiv me emrin e Princit Louis II, i cili mbretëroi nga viti 1922 deri në vitin 1949, e ku Monako luan ndeshjet e saj në shtëpi dhe pret kampionatin francez të Ligue 1. Në Stadium Leoni do të kryesojë Meshën dhe do të mbajë predikimin. Pas kremtimit, Papa do të largohet nga Principata e Monakos pas ceremonisë zyrtare të lamtumirës në Heliport. Nisja  planifikohet për në orën 17:45, dy orë pas mbërritjes në Romë.

 Motua e logoja

Së bashku me programin, sot u publikuan logoja dhe motoja e lartpërmendur. Logoja, siç thuhet në shpjegim, paraqet, në pjesën e sipërme majtas, një portret bardh e zi të Papës, duke buzëqeshur dhe duke bekuar, i veshur me rroba liturgjike, një mitër dhe një krosier, "duke shprehur përmasën shpirtërore dhe baritore të vizitës". Në të djathtë është e dukshme figura e stilizuar e kullës së Pallatit të Princit të Monakos, që të kujton identitetin dhe sovranitetin e Principatës. Kulla është tërësisht me ngjyrë verdhë, kështu që e gjithë pjesa e sipërme, e parë si një e tërë, të kujton flamurin e Vatikanit. Pjesa e poshtme është e zënë nga mbishkrimi që njofton udhëtimin, i  dominuar nga emri "Léon XIV", e i vendosur me shkronja të mëdha në qendër, si dhe fjala "Monaco", e cila bie në sy kundrejt të kuqes së ndezur të flamurit kombëtar dhe stemës princërore. Në përgjithësi, shpjegohet, "logoja nxjerr në pah figurën e Papës dhe misionin e tij apostolik, në harmoni me natyrën mikpritëse të Principatës, feja shtetërore e së cilës është katolicizmi".

09 mars 2026, 15:04