Kërko

Papa në audiencë në seancën plenare të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve Papa në audiencë në seancën plenare të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve

Papa: dëgjimi i viktimave është thelbësor në parandalimin e abuzimit

Leoni XIV duke pritur sot Komisionin Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, kujtoi se dëgjimi i viktimave është pikë themelore për parandalimin, mbasi hap "rrugë të besueshme shprese e ripërtëritjeje". Ftoi, më pas, për të krijuar "kulturën e kujdesit", duke mbështetur "bashkësinë brenda Kishës", që askush të mos "ndihet i vetmuar në këtë detyrë".

R.SH. / Vatikan

Kujdesi për të miturit dhe njerëzit në situata të vështira nuk është fushë e izoluar e jetës kishtare, por përmasë që përshkon kujdesin baritor, formimin, qeverisjen dhe disiplinën. Çdo hap përpara në këtë udhëtim është hap drejt Krishtit e drejt një Kishe më ungjillore dhe më origjinale.

Ky fragment nga Papa Leoni, në anglisht, është përmbledhje. Na kujton se si Kisha synon të vazhdojë të punojë për të "ndërtuar kulturën autentike të kujdesit".

Papa ua drejtoi këto fjalë pjesëmarrësve në Asamblenë Plenare të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, pritur në audiencë sot paradite, 16 mars, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan. Më pas vijoi me përshkrimin e një vizioni "shprese" dhe "ripërtëritjeje", që duhet ndjekur duke dëgjuar përvojat e dhimbshme të viktimave dhe të mbijetuarve, "pika themelore referimi”, “që e nxjerrin me forcë të vërtetën në dritë" dhe mësojnë "përvujtërinë".

Kultura e kujdesit

Papa shprehu mirënjohje për shërbimin ndaj Kishës e ndaj Komisionit Papnor për punën e tij "kërkuese", "nganjëherë të heshtur, shpesh të rëndë, por themelore për jetën e Kishës dhe për ndërtimin e një kulture autentike kujdesi".  Kujtoi, më pas, vendimin e paraardhësit të tij, Papës Françesku, për ta përfshirë Komisionin brenda Kuries Romake;  vendim, që përfaqëson një drejtim shumë të saktë.

Parandalimi i abuzimit nuk është detyrë fakultative, por dimension përbërës i misionit kishtar.

Një proces kthese

Duke shkuar më thellë, Leoni vlerësoi dialogun e nisur me Seksionin Disiplinor të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, sepse "parandalimi" dhe "disiplina vigjilente" janë sinergji e frytshme. Parandalimi - kujtoi - nuk është kurrë thjesht një sërë protokollesh ose procedurash", por lind nga formimi i një kulture kujdesi në të cilën mbrojtja e të miturve nuk është "detyrim i imponuar nga jashtë", por proces konvertimi "në të cilin vuajtjet e të tjerëve dëgjohen dhe na shtyjnë të veprojmë".

Përvojat e viktimave dhe të mbijetuarve janë pika themelore referimi. Ndonëse sigurisht të dhimbshme dhe të vështira për t'u dëgjuar, e nxjerrin fuqishëm të vërtetën në dritë dhe na mësojnë përulësinë, ndërsa përpiqemi të ndihmojmë viktimat dhe të mbijetuarit. Në të njëjtën kohë, pikërisht nëpërmjet pranimit të dhimbjes së provuar, hapet një rrugë e besueshme shprese dhe përtëritjeje.

Shpresë e maturi

Papa Leoni, më pas, nxiti bashkëpunimin edhe më të madh me Dikasteret për Doktrinën e Fesë, duke pasur parasysh se puna e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve kërkon "përçapje shumëdisiplinore dhe gjithëpërfshirëse". Dikasteret e Kuries Romake, gjithashtu, mund të përfitojnë nga puna e realizuar në njëmbëdhjetë vjet shërbimi, veçanërisht në dëgjimin "e vëmendshëm dhe të sinqertë" të viktimave, të mbijetuarve dhe familjeve të tyre. Këtë theksoi Papa, që në vijim kujtoi se Raporti vjetor i Komisionit "është mjet me rëndësi të madhe", por edhe "mjet i shpresës e i maturisë, që duhet të shkojnë krah për krah për të mirën e Kishës". 

Shpresa na pengon të dorëzohemi para çkurajimit; maturia na ruan nga improvizimi e nga cektësia në përpjekjen për parandalimin e abuzimeve.

Askush nuk duhet të ndihet i vetmuar.

"Dëgjimi i viktimave dhe shoqërimi i tyre", pohoi Papa Leoni XIV, "duhet të gjejë shprehje konkrete në çdo bashkësi dhe institucion kishtar". Nxitja u drejtohet edhe Ordinarëve si dhe Eprorëve të Mëdhenj, pasi puna e Komisionit duhet të bëhet "burim" për të gjithë, në mënyrë që "asnjë bashkësi brenda Kishës të mos ndihet e vetmuar në këtë detyrë". Gjithashtu "e vlefshme" - vijoi Papa Leoni - është edhe nisma "Memorare", e themeluar në vitin 2023, e cila synon t’i ndihmojë Kishat lokale dhe të bashkëpunojë me to në të gjithë botën, në formimin dhe forcimin e kapacitetit të tyre për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rriturve të ligshtë.

Mbështetja e Kishave lokale, veçanërisht aty ku mungojnë burimet ose kompetencat, do të thotë t'i japësh shprehje konkrete solidaritetit kishtar.

Shenjat e kohës

Në pritje të raportit të tretë vjetor "mbi progreset inkurajuese, tashmë të kryera", Papa kujtoi se ka dy fusha, tashmë të shqyrtuara, që duhen thelluar më tej: "koncepti i ligështisë në lidhje me shpërdorimin dhe parandalimin e fëmijëve, i lehtësuar nga teknologjia në hapësirën dixhitale".

Duke lexuar këto "shenja të kohërave", ndihmojeni Kishën t’i përballojë me guxim sfidat e kohës së saj.

16 mars 2026, 14:17