Kërko

Papa: në Kishë, ushtrimi i drejtësisë duhet të jetë kërkim i së vërtetës në dashuri

Duke hapur Vitin Gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, Leoni XIV nënvizon se administrimi i drejtësisë kontribuon edhe në mbrojtjen e vlerës së unitetit, “element thelbësor i jetës kishtare”. Në dallimin e kujdesshëm të fakteve, në dëgjimin me respekt të personave të përfshirë dhe në zbatimin e saktë të normave për të përfaqësuar besnikërisht parimet e rregullores, “një mision që është bashkërisht juridik dhe shpirtëror”.

R.SH. – Vatikani

“Drejtësia në Kishë nuk është një ushtrim i thjeshtë teknik i normës”, por “një shërbesë në shërbim të Popullit të Zotit” që kërkon “kompetencë juridike”, “urtësi, ekuilibër dhe një kërkim të vazhdueshëm të së vërtetës në dashuri” dhe “çdo vendim, çdo proces dhe çdo gjykim” duhet të “pasqyrojë atë kërkim të së vërtetës që qëndron në zemër të jetës së Kishës”. Në ceremoninë e hapjes së Vitit Gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, në Sallën e Bekimeve në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Papa Leoni XIV e hap fjalimin e tij duke sqaruar se “në dritën e misionit që orienton Kishën”, “drejtësia autentike” është “ushtrimi i një forme të rregullt të dashurisë, e aftë për të ruajtur dhe promovuar bashkësinë”.

Administrimi i drejtësisë në Vatikan

Në veçanti, në rregulloren juridike të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, administrimi i drejtësisë nuk konsiston vetëm në “zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, shpjegon Papa Leoni XIV, por kontribuon në mbrojtjen e unitetit – “element thelbësor i jetës kishtare” – dhe të vetë rendit juridik, duke mbështetur “besueshmërinë e institucioneve”. Prandaj, “respektimi i garancive procedurale, paanshmëria e gjyqtarit, efektiviteti i së drejtës së mbrojtjes dhe kohëzgjatja e arsyeshme e proceseve” nuk janë vetëm “mjete teknike të procedurës gjyqësore”, por edhe “kushte përmes të cilave ushtrimi i funksionit juridik fiton autoritet të veçantë dhe kontribuon në stabilitetin institucional”.

Pra, procesi nuk është “thjesht vendi i konfliktit mes pretendimeve të kundërta”, por është, përkundrazi, “një hapësirë e rregullt në të cilën, përmes ballafaqimit të rregulluar midis palëve dhe ndërhyrjes së paanshme të gjyqtarit, mospajtimi rikthehet brenda një horizonti të së vërtetës dhe drejtësisë”. Për Papën Leoni XIV, në këtë kuptim, mbetet gjithmonë e vlefshme ajo që shkruan Shën Augustini në De civitate Dei: “Pa drejtësinë nuk mund të administrohet shteti; është e pamundur të ketë të drejtë në një shtet ku nuk ka drejtësi të vërtetë”.

Të dashur vëllezër dhe motra, shërbimi juaj merr kështu një vlerë, përveçse institucionale, thellësisht kishtare. Përmes dallimit të kujdesshëm të fakteve, dëgjimit me respekt të personave të përfshirë dhe zbatimit të saktë të normave për të përfaqësuar besnikërisht parimet e rregullores, ju merrni pjesë në një mision që është njëkohësisht e bashkërisht juridik dhe shpirtëror.

Ekuilibri dhe besnikëria ndaj së vërtetës

Nëse “marrëdhëniet janë të rregulluara sipas së vërtetës, bëhet i mundur ai bashkim që është fryti më i lartë i dashurisë”, është ky përfundimi i Papës, i cili në këtë drejtim sheh hapjen e “rrugës drejt dashurisë ”. Prandaj, “rivendosja e drejtësisë” është “kusht për ardhjen e dashurisë”, e cila “është dhuratë e Shpirtit” dhe “parim i unitetit në Kishë”. Ja pse dashuria dhe e vërteta “nuk mund të ndahen”, vëren Leoni XIV, “vetëm duke dashuruar njihet e vërteta, dhe dashuria për të vërtetën të çon në zbulimin e dashurisë si përmbushje të saj”.

Drejtësia, kur ushtrohet me ekuilibër dhe besnikëri ndaj së vërtetës, bëhet një nga faktorët më të qëndrueshëm të unitetit në komunitet. Ajo nuk ndan, por forcon lidhjet që bashkojnë njerëzit dhe kontribuon në ndërtimin e asaj besueshmërie të ndërsjellë që bën të mundur bashkëjetesën e rregullt.

Zbatimi i së drejtës me drejtësi dhe frymë kishtare

Së fundi, Papa përmbledh me pak fjalë frytet e drejtësisë së “ushtruar me integritet dhe besnikëri ndaj së vërtetës”: ajo që gjenerohet është “stabiliteti”, “besimi brenda shoqërisë” dhe “uniteti”.

Nga këtu buron ftesa drejtuar anëtarëve të Autoritetit Gjyqësor të Shtetit të Qytetit të Vatikanit që ta kryejnë shërbimin e tyre “me integritet, maturi dhe frymë ungjillore”, si dhe urimi që “drejtësia të jetë gjithmonë e ndriçuar nga e vërteta dhe e shoqëruar nga mëshira, pasi të dyja gjejnë plotësinë e tyre në Krishtin”.

Në këtë mënyrë, e drejta, e zbatuar me drejtësi dhe frymë kishtare, bëhet një instrument i çmuar për të ndërtuar bashkësinë dhe për të forcuar unitetin e Popullit të Zotit.

 

14 mars 2026, 12:41