Kërko

Papa Leoni XIV me disa besimtarë Papa Leoni XIV me disa besimtarë

Papa: lutja e ndryshon historinë, një epokë pa luftëra nuk është e paarritshme

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të Takimit Ndërkombëtar për Paqen dhe Pajtimin në Loyola University Chicago, Papa Leoni XIV thekson se lutja ka fuqinë të ndryshojë historinë dhe se një botë pa luftëra nuk është një ideal i paarritshëm.

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni dërgoi një mesazh, sot, e shtunë, pjesëmarrësve në Takimin Ndërkombëtar për Paqe dhe Pajtim që po mbahet në Universitetin Loyola në Çikago, në SHB-së, në kuadrin e nismës “Building Bridges Initiative”.

Në një kohë kur bota përballet me konflikte të shumta, Papa fton njerëzimin të zgjohet nga ndjenja e “pafuqisë” dhe e dorëzimit, që e bën të duket sikur paqja është e pamundur. Ati i Shenjtë bën thirrje për rindërtimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe për një bashkëpunim global ku çdo disiplinë dhe çdo traditë fetare mund të japë kontributin e saj. Sipas tij, “kur njerëz nga fe të ndryshme bashkohen në lutje, ajo mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”.

Takimi në Loyola University Chicago, në SHBA, zhvillohet në kuadrin e nismës “Building Bridges Initiative”, të nisur nga Papa Françesku në vitin 2022, që synon të krijojë dialog dhe bashkëpunim mes studentëve dhe institucioneve për ndërtimin e paqes.

Papa thekson se paqja është një dhuratë e Zotit, jo thjesht mungesë e luftës. Ajo është shumë ndryshe nga “paqja” që ndonjëherë ofron bota, e cila shpesh imponohet përmes dhunës dhe mashtrimit. Prandaj Leoni XIV i fton të gjithë të bëhen bashkëpunëtorë të Krishtit për paqen, duke punuar për harmoni në familje, në komunitete dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një tjetër pikë e rëndësishme është angazhimi i gjithë bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e paqes përtej kufijve, kulturave dhe traditave fetare. Kjo kërkon një bashkëpunim ndërdisiplinor, ku të përfshihen institucione, organizata, shkencëtarë dhe udhëheqës nga fusha të ndryshme.

Papa Prevost kujton gjithashtu se harmonia e vërtetë është një proces i vazhdueshëm pajtimi, që përfshin marrëdhënien me veten, me të tjerët dhe me gjithë krijimin. Në këtë frymë duhet të ndërtohet një kulturë e pajtimit, e aftë të kapërcejë atë që ai e quan “globalizimi i indiferencës” ose i pafuqisë.

Në fund, Leoni XIV nënvizon sërish forcën e madhe të lutjes së përbashkët, duke theksuar se kur njerëzit e feve të ndryshme bashkohen për t’u lutur, ata mund të kontribuojnë realisht në ndryshimin e historisë dhe në ndërtimin e paqes.

Takimi në Loyola University Chicago, në SHBA, mbledh studentë, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të Amerikës. Ai organizohet në bashkëpunim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine dhe përqendrohet në pesë tema kryesore: paqja dhe Kisha, paqja dhe migracioni, paqja dhe ekonomia, kultura dhe arti që frymëzojnë paqen, si edhe marrëdhënia mes paqes, së vërtetës dhe drejtësisë në epokën e inteligjencës artificiale. Në takim marrin pjesë edhe personalitete të ndryshme të Kishës, ndër ta kardinali Blase Cupich, i cili e kryeson këtë aktivitet.

07 mars 2026, 18:32