Papa në Castel Gandolfo Papa në Castel Gandolfo

Papa: të punojmë për paqen, më pak urrejtje. Të kërkojmë zgjidhje pa armë

Leoni XIV jep një deklaratë të shkurtër për gazetarët në Castel Gandolfo, jashtë rezidencës papnore, dhe përsërit thirrjen për "të punuar për paqen" dhe "për të nxitur dialogun".

R.SH. - Vatikan

"Të lutemi për paqen, të punojmë për paqen, më pak urrejtje. Urrejtja është duke u rritur gjithmonë në botë". Kjo thirrja që Papa Leone XIV ka ndarë me një grup gazetarësh jashtë rezidencës papnore në Castel Gandolfo, ku dje ka kaluar ditën e zakonshme të pushimit dhe punës.

Ndërsa në Lindjen e Mesme sulmet po shtohen dhe frika dhe tensioni po rriten në botë, Papa inkurajon të ndiqet qëllimi i paqes. Po ashtu, Ati i Shenjtë fton që "vërtetë të kërkojmë të promovojmë dialogun" dhe "të kërkojmë zgjidhje, pa armë, për të zgjidhur problemet".

Fjalë që vijnë në vazhdën e atyre të shqiptuara të dielën e kaluar gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kur, duke iu referuar sulmit të SHBA-së e Izraelit ndaj Iranit dhe bombardimeve të këtij të fundit në rajone të ndryshme të Lindjes së Mesme, Leoni XIV kishte thënë: "Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me kërcënime të ndërsjella, as me armë, të cilat mbjellin shkatërrim, dhimbje dhe vdekje, por vetëm përmes një dialogu të arsyeshëm, autentik dhe të përgjegjshëm.

Përballë mundësisë së një tragjedie me përmasa gjigante, u drejtoj palëve të përfshira thirrjen e përgjëruar që të marrin përgjegjësinë morale për të ndalur spiralen e dhunës përpara se ajo të kthehet në një humnerë të pariparueshme!". “Uroj që diplomacia - kjo ishte dëshira e Papës nga dritarja e Pallatit Apostolik gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit - të rigjejë rolin e saj dhe të promovohet e mira e popujve, të cilët lëngojnë për një bashkëjetesë paqësore, të bazuar mbi drejtësinë. Dhe le të vazhdojmë të lutemi për paqen".

04 mars 2026, 09:05