Kërko

2022.11.24 25 Novembre Giornata internazionale per l'eliminazione della violenza contro le donne 2022

Papa: mos e nënvlerësoni kurrë dhunën kundër grave, denoncojeni pa frikë

Leoni i përgjigjet një lexuesi të revistës "Piazza San Pietro", që kërkon ndihmë për të ndaluar a vrasjet e grave dhe bën thirrje për aleancën shkollë-Kishë, që të përhapet "kultura e respektit" ndërmjet të rinjve. Papa kërkon mbështetje për "gjenialitetin femëror": gratë, pohon ai, janë shenjë e "lirisë, barazisë, solidaritetit, drejtësisë", vlera "të luftuara nga një mentalitet i rrezikshëm që ngjall egoizëm, paragjykime dhe diskriminim", ndoshta edhe pse për këtë goditen e vriten" edhe sot

R.SH. / Vatikan

Është një ode për gratë, Letra nga Leoni XIV, e botuar në numrin e këtij muaji të revistës Piazza San Pietro, publikuar sot, 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas. I kushtohet  atyre, që  shpesh "merren në shënjestër dhe vriten", sepse janë shenjë kontradikte në shoqërinë e hutuar dhe të dhunshme, e njëkohësisht, thirrje e fuqishme për t'i mbështetur e për t’i mbrojtur ato, duke e denoncuar dhe duke mos e nënvlerësuar kurrë çdo akt dhune.

Papa Leoni XIVi  përgjigjet - si zakonisht - kërkesës së një lexuesi për ndihmë, ose ushqim për mendime dhe veprime mbi çështjet aktuale. Në mars, Giovanna nënshkroi një letër, nga Roma: "Shkruaj me lot në sy", duke folur hapur për tragjedinë e shumë grave, për të cilat "të duash një burrë, të martohesh me të, ose të zgjedhësh të jetosh me të, të krijosh një familje" bëhet "kurth". "Pse?" pyet ajo: "Si mund ta shpjegojmë sot dhunën, tani shumë të shpeshtë dhe të dhimbshme, që kaq shumë burra përdorin kundër grave të cilat pretendojnë se i duan? Deri në pikën e vrasjes së tyre. Brutalisht, me urrejtje, sikur të ishin fajtore, që nuk i duan më".

Të mbështetet gjenialiteti femëror

Përgjigja e Leonit XIV është e gjatë dhe e menduar, e rrënjosur në ndjenjën e "vuajtjes së madhe" që i shkakton kjo çështje: "Dhuna në marrëdhënie, e në veçanti dhuna ndaj grave". Papa citon Shën Gjon Palin II dhe shprehjen e famshme të "gjenialitetit femëror", të asaj gjeni që "në një botë shpesh të sunduar nga mendimi i dhunshëm, do të duhej të mbështetej edhe më shumë".

Shenjë kontradikte

Gratë janë "protagoniste dhe krijuese të një kulture kujdesi dhe vëllazërie që është e domosdoshme për të siguruar të ardhme dhe dinjitet për të gjithë njerëzimin", pohon Papa. "Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ato janë në shënjestër dhe vriten sot”, sepse, këmbëngul Papa Leoni, "janë shenjë kontradikte në këtë shoqëri të hutuar, të pasigurt dhe të dhunshme, e sepse na drejtojnë drejt vlerave të besimit, lirisë, barazisë, shpresës, solidaritetit dhe drejtësisë". Këto janë "vlera të mëdha" që, në vend të kësaj, "sulmohen nga një mendësi e rrezikshme, që infekton marrëdhëniet, duke prodhuar vetëm egoizëm, paragjykime, diskriminim dhe dëshirë për sundim".

Dhuna, kufiri që ndan qytetërimin nga barbarizmi

Që në predikimin e tij të Rrëshajëve më 8 qershorin e kaluar, duke kujtuar edhe Jubileun e Lëvizjeve, Leoni XIV e denoncoi këtë qëndrim, i cili "shpesh çon në dhunë, siç tregojnë me trishtim rastet e fundit të vrasjeve të grave". "Dhuna, çdo dhunë, është kufiri që ndan qytetërimin nga barbarizmi", theksoi Papa. "Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë një akt dhune, e as të kemi frikë ta denoncojmë, duke e paraqitur atë si klimë justifikimi ose që zbut a mohon përgjegjësinë".

Aleancë Shkollë-Kishë

Papa Leoni shprehu, më pas, shqetësimin e tij të thellë për kërkesën e Giovannës, që bën thirrje për punë "nga poshtë" mbi kulturën dhe edukimin e të rinjve, në mënyrë që të "kontribuojë në nxitjen e respektit për seksin e kundërt dhe për të tjerët, në një kuptim më të gjerë. Për ata që janë të ndryshëm nga ne". E kjo është detyrë - sipas lexuesit romak të revistës së redaktuar nga Atë Enzo Fortunato - që Shkolla dhe Kisha mund ta ndërmarrin së bashku: "Kush tjetër përveç Shkollës dhe Kishës mund t'i ndihmojë brezat e rinj duke përhapur kulturën e respektit, të dashurisë dhe, mbi të gjitha, të lirisë? Mesazh ky, që na mëson të mos i konsiderojmë gratë si objekte për t'u sunduar..."

Projekte specifike

Prandaj Giovanna bën thirrje për "aleancë arsimore gjithnjë e më të fortë", e Papa Leoni përsërit domosdoshmërinë absolute të saj: "Të ecësh së bashku në respekt të ndërsjellë për njerëzimin tënd, nuk është ëndërr, por realiteti i vetëm i mundshëm për të ndërtuar një botë drite për të gjithë", shkruan Papa në letër. "Kisha", shton, "me familjet, shkollat, famullitë, lëvizjet dhe shoqatat, kongregatat fetare dhe institucionet publike mund të  marrin pjesë së bashku në urgjencën e zbatimit të projekteve specifike, për të parandaluar e për ta ndaluar dhunën kundër grave".

Edukimi i të rinjve

Prej këndej, thirrja e mëtejshme - pas asaj të shprehur më 25 nëntor, me rastin e Ditës ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës së grave - për ta "ndaluar dhunën" duke nisur me "edukimin e të rinjve" dhe duke u përpjekur ta hapim "zemrën e të gjithëve për të kuptuar se çdo njeri është qenie njerëzore që meriton respekt, dinjitet për burrat dhe gratë, e për të gjithë".

"Duhet ta zhdukim këtë dhunë - përfundon Papa - të kërkojmë mënyra për të formuar mentalitetin, e duhet të jemi njerëz të paqes, që i duan fort të gjithë”.

08 mars 2026, 08:52