Kërko

Papa: jo kundërshtimeve, shërbejini njerëzimit të etur për të vërtetën e drejtësinë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së tretë të Kreshmëve, kur “mund ta shpejtojmë shtegtimin tonë”, kujton Papa Leoni, historia e samaritanes na këshillon të përpiqemi e të kërkojmë takime të vërteta me të tjerët, të lirë nga çdo paragjykim. Kjo do t'u krijojë edhe "të përjashtuarve" mundësinë për ta shuar etjen në burimin shpirtëror, që është Jezusi. "Sa njerëz e kërkojnë në Kishë të njëjtën ndjeshmëri, e edhe të njëjtën gatishmëri!".

R.SH. / Vatikan

Sot, e Diela e tretë e Kreshmëve, përkon me Ditën Ndërkombëtare të Gruas. E pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni (Gjn 4, 5-42 )ofron historinë e njërës prej grave më interesante ndër Ungjij, e para ndërmjet shumë lajmëtareve të Lajmit të Mirë - Ungjillit: ajo e gruas samaritane që shkon te pusi për të mbushur ujë, e gjen aty Jezusin. Takimi me Të krijon brenda secilit prej nesh "një burim uji, që gurron për jetën e pasosur ", siç lexohet në tekstin e Shën Gjonit. Gjatëë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa ndalohet tek kjo etje dhe tek uji i Mesisë, ujë ringjallës!

Jezusi, përgjigjja e etjes sonë.

Për të nxjerrë në pah çlirimin shpirtëror të jetuar nga gruaja samaritane, Leoni XIV kujton një grua tjetër të jashtëzakonshme, të renë Etty Hillesum, mistiken hebraike që vdiq në Aushvic dhe që, edhe në kampet e përqendrimit, vazhdonte të besonte në njerëzimin. Etty Hillesum (1914–1943) është një nga figurat më rrezatuese dhe më të thella të spiritualitetit të shekullit XX. Kardinali Koovakad e përmendi kohët e fundit në një konferencë kushtuar grave, lidershipit dhe dialogut. Në ditarin e saj Etty Hillesum shkroi se gurra shpirtërore shpesh i shfaqej, e mbuluar me gurë e me rërë: "atëhere Zoti është varrosur. Atëhere duhet ta zhvarrosim përsëri". Është figura e një rikthimi në dritë:

Miq të dashur, nuk ka energji të shpenzuar më mirë, sesa ajo që ia kushtojmë çlirimit të zemrës. Për këtë arsye, Kreshmët janë dhuratë.

Në Kishë kërkohet butësia e gatishmëria

"Atje ku ne nuk shohim asgjë, Hiri i Zotit është tashmë në veprim dhe frytet janë gati për t'u mbledhur", vëren pasardhësi i Pjetrit, duke komentuar fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve e duke i ftuar të shikojnë të papriturat e bukura në fushat gati për korrje. Jezusi tejkalon konventat e kohës që sugjeronin një qëndrim paragjykimi dhe distancimi ndaj grave që, ashtu si ajo, nuk ishin më të lidhura me burrat e tyre. Jezusi "i flet asaj, e dëgjon, i jep asaj merita pa motive të fshehta dhe pa përbuzje". Prej këndej, mësimi për sot:

Sa njerëz e kërkojnë në Kishë të njëjtën butësi, të njëtën gatishmëri! Dhe sa e bukur është kur humbasim ndjenjën e kohës për t'u kushtuar vëmendje atyre që takojmë, ashtu siç janë.

Në shërbim të njerëzimit të etur për të vërtetën dhe drejtësinë

Dëshmia e gruas samaritane ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është shumë aktuale: "Nga fshati i saj i të përbuzurve dhe të refuzuarve", pohon Papa, shumë vijnë te Jezusi, e edhe në ta, besimi buron si uji i pastër. Takimi është faktor vendimtar, shpjegoi Papa Leoni XIV, takimi i sinqertë, i hapur, i aftë të kapërcejë çdo stigmë shoqërore.

Le të jemi në gjendje sot t'i shërbejmë, me Jezusin dhe si Jezusi, njerëzimit të etur për të vërtetën dhe drejtësinë. Kjo nuk është koha për kundërshtim ndërmjet një tempulli e një tjetri, ndërmjet "nesh" dhe "të tjerëve".

08 mars 2026, 14:05

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >