Kërko

Papa jeta është një udhëtim besimi në Fjalën e Zotit

Leoni XIV viziton famullinë e Të Shëlbuemit, në periferinë lindore të Romës, një territor i përshkuar nga shumë brishtësi dhe i plagosur nga kriminaliteti. Nga Papa vjen inkurajimi për të marrë vështrimin e besimit të Abrahamit, një dritë që Krishti ua tregoi apostujve duke u shndërruar në malin Tabor: “Përballë problemeve që shpërfytyrojnë njeriun, të shpallim Ungjillin që shndërron jetën. Përballë të keqes, ta bëjmë të prekshme Mbretërinë e Zotit”.

R.SH. - Vatikan

"Jeta është një udhëtim që kërkon besim, kërkon mbështetje te Fjala e Zotit që na thërret dhe që na kërkon, ndonjëherë, të lëmë gjithçka. Atëherë mund të tundohemi t'i ikim pasigurisë si një marramendje që na trondit, ndërkohë që pikërisht brenda saj mund të vlerësohet një premtim madhështie të papritur. Ndodh çdo ditë – sepse bota kështu arsyeton – që ne marrim masat për çdo gjë, mundohemi me mish e me shpirt të kemi gjithçka nën kontroll. Por në këtë mënyrë humbasim rastin për të zbuluar thesarin e vërtetë, perlën e çmuar, siç na mëson Ungjilli, të cilën Zoti e ka fshehur në mënyrë befasuese në arën tonë". Kështu u shpreh Papa Leoni XIV gjatë homelisë në Meshën e kryesuar sot pasdite në famullinë e Ngjitjes së Zotit tonë Jezu Krisht në Qiell, në Quarticciolo, në Romë.

Në homelinë e tij gjatë Meshës kremtuar në famullinë e Të Shëlbuemit në Quarticciolo, në Romë (1 mars 2026), Papa Leoni XIV shprehu gëzimin që ndodhej mes bashkësisë dhe reflektoi mbi dy figura biblike: udhëtimin e Abrahamit dhe Shndërrimin e Jezusit.

Ati i Shenjtë theksoi se jeta është një udhëtim feje e besimi, si ai i Abrahamit, që kërkon të lëmë sigurinë tonë dhe t’i besojmë Fjalës së Zotit. Shpesh duam të kontrollojmë gjithçka dhe kemi frikë të humbasim, por vetëm duke besuar zbulojmë “thesarin e vërtetë” që Zoti ka fshehur për ne.

Edhe nxënësit e Jezusit, sikur dëshmon Ungjilli i kësaj së diele të dytë të Kreshmës nga Mateu, u përballën me një udhëtim të vështirë drejt Jerusalemit, ku Jezusi do të jepte jetën e Tij. Ata patën frikë dhe kundërshtuan, por duhej të mësonin se bekimi vjen duke dhuruar veten. E diela është ndalesë në këtë udhëtim, ku mblidhemi rreth Jezusit për të gjetur forcë dhe drejtim.

Në Shndërrimin mbi mal, Jezusi u shfaq në lavdi përpara Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit, duke treguar se rruga e kryqit çon në dritë. Zëri i Atit fton: “Ky është Biri im i dashur, dëgjojeni!”. Papa Leoni XIV e përsëriti këtë thirrje: të dëgjojmë Jezusin dhe të jetojmë sipas logjikës së dashurisë pa kushte.

Ati i Shenjtë inkurajoi famullinë të vazhdojë misionin e saj si dritë dhe shpresë në një territor me shumë vështirësi, duke shëruar plagët me pasion, dashuri, bashkëndarje dhe krijimtari. Leoni XIV Vlerësoi angazhimin e të rinjve në projektin “Magis”, që i nxit të synojnë më shumë dhe të zgjedhin një jetë të guximshme me Krishtin si model.

Në përfundim, Papa i quajti besimtarët “shenja shprese”, duke i ftuar të mos dorëzohen përballë së keqes, por të dëshmojnë Ungjillin që shndërron dhe jep jetë. Ai e besoi bashkësinë ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Nënës së Kishës.

01 mars 2026, 15:52