Kërko

Një moment nga  audienca e Papës me Fondacionin Katolik Një moment nga audienca e Papës me Fondacionin Katolik

Papa: të përtëritet angazhimi katolik për shoqërinë dhe mbrojtjen e të cenuarve

Leoni XIV pret, në 20-vjetorin e themelimit, Fondacionin Katolik dhe inkurajon mbështetjen e situatave të brishtësisë dhe margjinalizimit. Papa vlerëson historinë e lëvizjes katolike në Itali dhe rekomandon edhe për sot një "stil ungjillor" koherent mes qëllimeve dhe mjeteve.

R.SH. - Vatikani

Të vijohet me mbështetjen "për komunitetet, personat dhe familjet që jetojnë në kushte të brishtësisë më të madhe dhe margjinalizimi shoqëror" dhe, në veçanti, "të promovohet formimi i të rinjve përmes rrugëtimeve edukative, kulturore dhe pjesëmarrëse". Kjo është detyra e besuar nga Leoni XIV këshillit drejtues të Fondacionit Katolik të "Generali Italia", gjatë audiencës së sotme në Sallën e Koncistorit, në Vatikan.

Për një prani aktive të katolikëve në shoqëri

Papa shpreh mirënjohje për Fondacionin dhe Shoqërinë Katolike të Sigurimeve për "angazhimin e vazhdueshëm" në favor të një "pranie aktive" të katolikëve në shoqërinë italiane.

Vizita juaj, për më tepër, më ofron rastin të nënvizoj se sa e rëndësishme është, në kohën tonë, të studiohet dhe të vlerësohet historia e lëvizjes katolike në Itali, për të nxjerrë frymëzim prej saj dhe për të mishëruar në realitetin e sotmen intuitat dhe përvojat e burrave dhe grave që në jetën e tyre kanë bashkuar fenë dhe angazhimin për drejtësi.

Si përgjigje ndaj "Rerum novarum"

Në fakt, vëren Papa, lindja e kooperativave, arkave rurale dhe shoqatave të ndihmës së ndërsjellë ishin "përgjigjja konkrete" ndaj ftesës së drejtuar nga Papa Leoni XIII me Enciklikën Rerum novarum, për t'u organizuar edhe në nivel ekonomik për të përballuar "çështjen sociale".

Në këtë drejtim, Leoni XIV citon ndër pionierët e këtyre nismave edhe themeluesit e Shoqërisë Katolike të Sigurimeve: një grup meshtarësh dhe laikësh të cilët, në vitin 1896 në Verona, i dhanë jetë një shoqërie kooperative me pjesëmarrje të gjerë popullore, e cila më pas u zhvillua së bashku me vendin, "duke ndihmuar komunitetet të kapërcenin traumat e dy luftërave botërore".

Kontributi për mbrojtjen e më të cenuarve

Më pas Ati i Shenjtë Prevost kujton lindjen, "duke u nisur nga po ato rrënjë", të Fondacionit Katolik, njëzet vjet më parë, dhe njohjen e rolit "thelbësor të Sektorit të Tretë në mbështetjen e komuniteteve, personave dhe familjeve që jetojnë në kushte të varfërisë, brishtësisë më të madhe dhe margjinalizimi shoqëror".

Në këtë mënyrë, duke favorizuar nismat e shumë shoqatave dhe ndërmarrjeve sociale, fondacioneve dhe enteve fetare, ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm për kohezionin social dhe mbrojtjen e njerëzve më të cenuar.

Stil ungjillor për koherencën mes mjeteve dhe qëllimeve

Papa rekomandon vëmendje ndaj të brishtëve dhe të margjinalizuarve, si dhe përfshirjen e djemve dhe vajzave: më pas i beson Fondacionit Katolik misionin për të kultivuar "stilin ungjillor" të sipërmarrjes së treguar deri më tani, në mënyrë që të ketë "koherencë" mes qëllimeve të propozuara dhe mjeteve e instrumenteve të përshtatshme për t'i ndjekur ato.

Që nga lindja e tij në vitin 2006, Fondacioni Katolik "Generali Italia" ka mbështetur realizimin e mbi 4,.800 projekteve të shoqatave vullnetare, ndërmarrjeve sociale të Sektorit të Tretë dhe enteve kishtare.

Së fundi, Papa tregon si frymëzues mësimin e të Lumit Giuseppe Toniolo, shembull i një besimtari katolik të angazhuar për të ndihmuar më nevojtarët.

13 mars 2026, 13:57