Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: dhimbje për famullitarin në Liban dhe për të gjitha viktimat në Lindjen e Mesme

Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përmes kanalit të saj në Telegram, bën të ditur se Leoni XIV lutet që të pushojë çdo armiqësi në rajonet e Lindjes së Mesme. Nga Papa vjen një mendim për "shumë të pafajshëm, mes të cilëve shumë fëmijë, dhe për ata që u jepnin atyre ndihmë" e që mbetën të vrarë në bombardime, si Atë Pierre El-Rahi, meshtari maronit që vdiq sot si pasojë e një sulmi në Liban.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV shpreh “dhimbjen e tij të thellë për të gjitha viktimat e bombardimeve të këtyre ditëve në Lindjen e Mesme, për shumë të pafajshëm, mes të cilëve shumë fëmijë, dhe për ata që u jepnin atyre ndihmë, si Atë Pierre El-Rahi".

Bëhet fjalë për meshtarin maronit të vrarë këtë pasdite në Qlaya, gjatë një sulmi që kishte goditur një shtëpi në zonën e famullisë së tij, në mal, duke plagosur njërin prej famullitarëve. Siç tregoi françeskani Atë Toufic Bou Merhi për mediat e Vatikanit, Atë Pierre vrapoi me dhjetëra të rinj të tjerë për të ndihmuar famullitarin. Në atë moment ndodhi një tjetër bombardim mbi të njëjtën shtëpi dhe famullitari mbeti i plagosur. I dërguar në një spital të zonës, ai nuk ia doli mbanë.

Mendimi prekës i Papës – i përhapur përmes kanalit Telegram të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – shkon për të dhe për ata që humbën jetën nën sulmet e këtyre ditëve në rajonet e Lindjes së Mesme. Leoni XIV, njofton nota, “ndjek me shqetësim atë që po ndodh dhe lutet që të pushojë sa më parë çdo armiqësi”.

09 mars 2026, 21:25