Leoni XIV: Zoti gjithmonë jep dritë, shpresë dhe paqe. Ai nuk mund të rekrutohet nga terri.
R.Sh. Vatikan
Ka një vijë të artë që mbështjell gungën e kishës së Zemrës së Shenjtë të Jezusit, në periferi të Romës, në Ponte Mammolo. Ajo fillon në majë të tabernakullit dhe rrezaton në të gjithë kupolën e saj. Është një mozaik i projektuar dhe i realizuar nga famullitari i mëparshëm i famullisë, Atë Gabriele Bruscagin. Është diçka që bie në sy porsa hyn në kishë, e cila, nga ana tjetër është mjaft e thjeshtë. Ajo përfaqëson pemën e jetës, burimin e shpëtimit që rrjedh nga Krishti. Është zemra e Jezusit që i ofrohet botës, duke i dhuruar dritë dhe paqe. Një imazh që përputhet mirë me atë që përkujton e Diela e Galdimit, e Diela e "gëzimit", që kremton liturgjia sot, në gjysëm të Kreshmëve.
Është e Diela "e galdimit", përmendi Papa në homelinë e tij, por energjitë luftarake që kanë shpërthyer nëpër botë përplasen me dritën që sjellë Zoti, dhe rrezikojnë ta errësojnë, ta dobësojnë atë. Leoni XIV na nxit ta rizbulojmë këtë dritë, të tërhiqemi vazhdimisht prej saj, ta ushqejmë këtë dritë, me të njëjtin vështrim si Jezusi kur vështroi të verbtin, njeriun e braktisur nga të tjerët. Një vështrim që kthen në jetë. Nuk është zjarri i armëve, por zjarri i dashurisë.
Duhet të dialogojmë pareshtur për paqen
Papa shpreh shqetësimin e tij për fatin e njerëzimit që vuan nga lufta:
Në botën e sotme, shumë nga vëllezërit dhe motrat tona vuajnë nga luftra të shkaktuara nga idea absurde se problemet dhe telashet mund të zgjidhen me luftë, në një kohë kur duhet të dialogojmë pareshtur për paqen. Disa madje përpiqen ta përfshijnë Zotin në këto vendime që sjellin vdekjen, por Zoti nuk mund të rekrutohet nga terri. Përkundrazi, Ai gjithmonë vjen për t'i dhënë dritë, shpresë dhe paqe njerëzimit, dhe ata që e thërrasin në ndihmë, duhet t’I kërkojnë paqen.
Drita e Krishtit na çliron nga verbëria e së ligës.
Rrëfimi i shën Gjonit ungjilltar i takimit ndërmjet Jezusit dhe njeriut të lindur të verbër dhe Libri i Parë i Samuelit na bëjnë të drejtojmë një pyetje themelore: çfarë do të thotë të "shikosh me sytë e Zotit"? Kjo është pyetja që përsëriti Ipeshkvi i Romës, Papa Prevost duke shpjeguar se para së gjithash se ka të bëjë me "kapërcimin e paragjykimeve të atyre që, kur shohin dikë që vuan, vërejnë vetëm një të braktisur, një të përçmuar, ose një çështje që duhet shmangur, dhe mbyllen në kështjellën e egoizmit". Dashuria është ajo që duhet të shkëlqejë në sytë tanë. Jezusi e shikoi të verbërin "jo si një qenie inferiore ose një njeri që bezdis, por si një njeri të dashur që ka nevojë për ndihmë". Rikthimi i shikimit është mrekullia dhe akti simbolik që tregon se si dikush bëhet dëshmitar i dritës.
Pavarësisht nga çfarëdolloj humnere në të cilën njeriu mund të bjerë për shkak të mëkateve të tij, Krishti vjen për të sjellë një dritë më të fortë, që e çliron atë nga verbëria e së keqes, në mënyrë që njeriu të fillojë një jetë të re.
Nuk ka ditë të shenjtë "Shabat" që pengon një vepër dashurie.
Papa thekson paradoksin e një shërimi që, në kohën e ngjarjeve që tregon Ungjillit, përfundon duke u përdorur si pretekst nga ata që e akuzojnë Jezusin se ka shkelur Shabatin, që për hebrejtë ishte dita e pushimit.
Është verbëri, pohon Papa Prevost, "madje edhe më serioze kur nuk shohim fytyrën e Zotit ndërsa e kemi Atë para vetes. Prandaj personat që përmend fragmenti i Ungjillit shkëmbejnë mundësinë e një takimi shpëtimtar me sigurinë kallpe që u jep respektimi i një disipline të thatë". Nuk ka asnjë marrëveshje që vlen, vëren Papa, duke kujtuar:
"Askush nuk mund ta lërë në harresë thirrjen për ndihmë të një vëllai apo motre që vuan".
Mos u dorëzoni para atyre që shfrytëzojnë në mënyrë të paskrupullt më të ligështit.
Homelia e Papës u mbyll kur përmendi Shën Augustinin, me fjalët që përdor ky shenjt kur përshkruan bamirësinë: "Mbajeni, përqafojeni: asgjë nuk është më e ëmbël se ajo". Dhe ka kaq shumë bamirësi që përcillet me dashuri të madhe në famullinë që Papa vizitoi sot. Kështu, Papa Leoni është i kënaqur me të dhe citon ndihmën e dhënë emigrantëve, për të "mësuar gjuhën, për të gjetur një shtëpi dinjitoze dhe për të gjetur punë të ndershme dhe të sigurt". Përmend "kujdesin e veçantë që tregohet kundrejt varfërisë, margjinalizimit"; strehët familjare për gratë dhe nënat; veprimtarinë e të rinjve që gjallërojnë oratorin.
"Nuk mungojnë vështirësitë," nënvizoi Papa. "Për fat të keq, ndonjëherë përkeqësohen nga ata që, në mënyrë të paskrupullt, përfitojnë nga varfëria e më të varfërve për të mbrojtur interesat e veta". Megjithatë, pikërisht për t'iu kundërvënë këtij rreziku, Ati i Shenjtë Prevost na nxit të mos dorëzohemi, ashtu sikurse nuk u dorëzuan bashkësitë e para të krishtera: "Të forcuara nga dhurata e Pagëzimit, ato u përpoqën të jetonin si krijesa të reja, duke jetuar në bashkësi dhe paqe me të gjithë dhe duke gjetur te bashkësia një familje që i shoqëronte dhe i mbështeste".
Vazhdoni me këtë angazhim në udhëtimin tuaj. Zemra e Shenjtë e Jezusit, së cilës i është kushtuar famullia juaj, le ta formojë dhe ta mbrojë gjithmonë këtë bashkësi të bukur, në mënyrë që, me të njëjtat ndjenja si Krishti, të jetojë dhe të dëshmojë me gëzim dhe përkushtim visarin e hireve që keni marrë.
