Kërko

FILE PHOTO: Illustration shows AI (Artificial Intelligence) letters and robot hand miniature

Leoni XIV: Të nxitet zhvillimi i algoritmeve që i japin fytyrë njerëzore fushës dixhitale

Në një mesazh të nënshkruar nga kardinali Parolin për Ditën Ndërkombëtare të Matematikës, e cila bie nesër, më 14 mars, Papa Leoni kujton kohën e tij si mësues i kësaj lënde. Më tej në mesazh, Ati i Shenjtë Prevost nxit përdorimin e kësaj shkence në fushën e inteligjencës artificiale, duke i dhënë asaj mundësi të jetë në dobi të "vëllazërimit dhe të kreativitetit".

R.Sh. Vatikan

Matematika është një fushë që Papa Leoni XIV e njeh mirë pasi është diplomuar në këtë lëndë nga Universiteti i Villanovës në vitin 1977 dhe ka kaluar një periudhë të jetës së tij si mësues i matematikës dhe i fizikës. Kjo vetëdije mplekset me angazhimin e tij për zbatimin e disiplinave shkencore në fushën e inteligjencës artificiale: jo një angazhim thjesht intelektual, por një rrugë e denjë për të humanizuar fushën dixhitale. Dhe pikërisht për këtë shpresë flet Papa në mesazhin e tij të botuar sot, më 13 mars, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinal Pietro Parolin, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Matematikës, e cila bie nesër.

"Matematika dhe Shpresa"

Në letrën e tij kushtuar Ditës Botërore të Matematikës, drejtuar kryetares së kësaj Dite,  profesoreshës Betül Tanbay, Papa ndalet te tema e kësaj dite, "Matematika dhe Shpresa", në kohën e shumë sfidave me të cilat po përballet familja njerëzore, "jo më pak zhvillimin e shpejtë teknologjik me të gjithë fuqinë e tij, për të mirë apo të keq".

Shkenca dhe kuptimi i jetës

Leoni XIV i inkurajon pjesëmarrësit në webinar të kenë parasysh përdorimin e algoritmeve për të nxitur "rritjen personale të gjithanshme", duke kuptuar drejt "përmasën morale të këtyre teknologjive në zhvillim". Duke kujtuar të kaluarën e tij si mësues, Papa kujton gjithashtu thirrjen e tij për studentët që erdhën në Romë, vitin që shkoi, për Jubileun e Arsimit Botëror:

Nuk mjafton të kemi shkencë të madhe nëse nuk e dimë se kush jemi dhe cili është kuptimi i jetës.

Papa lutet që t’i kushtohet vëmendje më e madhe "nevojave të thella shpirtërore të zemrës njerëzore", në mënyrë që ato të mund të udhëheqin përparimin e teknologjisë, si hapësirë bashkimi dhe kreativiteti.

13 mars 2026, 15:00