Leoni XIV: sipërmarrësit të promovojnë zhvillimin njerëzor duke respektuar krijimin
R.SH. - Vatikani
Të kesh një vështrim të orientuar drejt "rritjes së njerëzve" dhe jo vetëm drejt fitimit. Këtë rekomandon Papa Leoni XIV në një letër, në gjuhën frënge, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit tò Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar Lëvizjes së Sipërmarrësve dhe Drejtuesve të Krishterë (Edc), të mbledhur në Lion të Francës, me rastin e njëqindvjetorit të organizatës. "Në një epokë të shënuar nga ndryshime të thella dhe nga një brishtësi shoqërore e përhapur", kontributi i fesë së krishterë është themelor, nënvizon Papa në këtë tekst të cilësuar si "afërsi shpirtërore". Nëse jetohet në "botën e ekonomisë dhe të ndërmarrjes", feja gjeneron "përgjegjësi, kreativitet dhe respekt për dinjitetin njerëzor".
Sfidat e punës, e paqes, e drejtësisë shoqërore dhe e mbrojtjes së krijimit (mjedisit) janë ngushtësisht të lidhura dhe kërkojnë një vështrim të aftë për të rrokur unitetin e tyre, me qëllim orientimin dhe kryerjen e zgjedhjeve autentike njerëzore.
Kontributi i sipërmarrësit të krishterë për komunitetin
Nisur nga këto premisa, Papa Leoni XIV kujton profilin e "drejtuesit të krishterë", i cili edhe pse vepron "brenda dinamikave legjitime të tregut", nuk mund të ketë si qëllim "kërkimin e thjeshtë të fitimit" apo vetëm "menaxhimin e burimeve", por duhet ta kuptojë zhvillimin e ekonomisë si një "bashkësi personash të thirrur për t'u rritur së bashku", siç ishte ritheksuar nga Papa Leoni XIII në dokumentin themeltar të doktrinës sociale të Kishës, që është enciklika Rerum novarum,
Lëvizja juaj, e lindur dhe e zhvilluar në një frymë ekumenike, dëshmon se si Ungjilli mund të jetë një tharm i unitetit dhe i pajtimit, edhe në botën ekonomike. Është në këtë perspektivë që përfshihet mësimi i enciklikës Rerum novarum, e cila i fton sipërmarrësit të respektojnë dinjitetin e çdo punëtori dhe të mbrojnë më të dobëtit.
Roli shoqëror i ndërmarrjes, argumenton më tej Papa Prevost, nuk mund të interpretohet vetëm "në terma ekonomikë", si një mjet "prodhimi apo grumbullimi", por në funksion të aftësisë së saj për të "promovuar atë që është njerëzore", për të forcuar lidhjet e shoqërisë dhe për të "respektuar krijimin".
Mundësi dhe vende pune të qëndrueshme për të rinjtë
Mendimi i Leonit XIV shkon më pas te pozita e gjeneratave të reja në tregun e punës. Një ekonomi e ushqyer nga feja e krishterë u jep atyre "besim" dhe u ofron "mundësi", "vende pune të qëndrueshme", si një akt "përgjegjësie dhe shprese" i aftë për të parandaluar "përjashtimin dhe margjinalizimin".
Drejtuesit e krishterë janë kështu të thirrur të promovojnë një ekonomi që di të ndërthurë efikasitetin dhe humanizmin, duke u ofruar të rinjve jo vetëm punë, por edhe shtigje rritjeje, formimi dhe pjesëmarrjeje të përgjegjshme, të afta për të gjeneruar një zhvillim autentikisht njerëzor.
Së fundi, në mbyllje të mesazhit, Papa rinovon "vlerësimin" e tij për punën e Lëvizjes së Sipërmarrësve dhe Drejtuesve të Krishterë dhe inkurajon anëtarët e saj të vazhdojnë në "rrugëtimin e tyre" dhe të ndërtojnë përditë, si "pjesë integrale e bashkësisë kishtare", Mbretërinë e Zotit.
