Kërko

Leoni XIV: shqetësim për luftën e re në Lindjen e Mesme. Të lutemi për paqe!

Papa Leoni XIV, duke vizituar famullinë romake të të Ngjiturit të Zotit tonë Jezu Krisht në Qiell në Quarticciolo, Romë, kujtoi tragjedinë e mijëra fëmijëve të vrarë në Gazë, shpërthimin dramatik të konfliktit të ri në Iran dhe epideminë e drogës që prek kaq shumë familje në këtë lagje periferike të kryeqytetit italian. «Zoti dëshiron paqe për të gjithë! Do të na duhet të lutemi shumë.»

R.Sh. Vatikan

Duke filluar nga ky çast, jam shumë i shqetësuar për situatën në Lindjen e Mesme, dhe nuk e dimë sa ditë do të zgjasë. Luftë përsëri! Dhe ne duhet të jemi lajmëtarë të paqes së Jezusit, të cilën Zoti e dëshiron për të gjithë! Do të na duhet të lutemi shumë për paqe, të jetojmë të bashkuar dhe të largojmë tundimin për t’u bërë keq të tjerëve, sepse dhuna nuk është kurrë zgjedhja e duhur.

Kështu, Papa Leoni XIV mbërriti këtë pasdite, më 1 mars, në oborrin e madh të uratores së famullisë të Të Shëlbuemit në lagjen Quarticciolo të Romës, ku, mbasi u ul në një belveder të përgatitur për të, iu përgjigj pyetjeve të fëmijëve, duke theksuar shqetësimin e tij për konfliktin e ri që shpërtheu vetëm pak orë më parë në Iran, vend që u sulmua nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, gjë që vetëm sa po i shton vuajtjet dhe tensionin në të gjithë rajonin.

Rakelja e vogël e uroi: «Mirë se vjen!». Reneja, nga ana tjetër, e pyeti pse kaq shumë njerëz sillen keq dhe pse, në përgjithësi, ekziston e keqja. Pastaj Federiko, 29 vjeç, nga grupi rinor «Magis», e përqafoi Papën në shenjë vëllazërie. "Ne e dimë që e keqja ekziston," u përgjigj Papa, "por më e rëndësishme është që e mira ekziston, dashuria ekziston dhe që në këtë famulli ekziston drita e dashurisë."

Fëmijët e Gazës, pa familje, pa shtëpi e pa shkollë

Papa më tej – përsëri i nxitur nga pyetjet e fëmijëve – kujtoi tragjedinë e luftës në Lindjen e Mesme, në Gazë, ku vdiqën mijëra fëmijë.

Shumë fëmijë nuk kanë familje, shtëpi, ushqim, një shtrat. Kjo është një tragjedi në mesin tuaj! Ne të gjithë kemi parë tragjedi në Gaza vitet e fundit, ku shumë fëmijë kanë vdekur, kanë mbetur pa prindër, pa shkolla, nuk kanë ku të jetojnë. Ne të gjithë duhet të kërkojmë të njëjtën përgjigje, siç na thotë Jezusi: të jemi nxitës të paqes, duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut dhe jo dhunës.

T’i themi «jo!» drogës dhe çdo gjëje tjetër të dëmshme

Në fund, Papa përmendi tragjedinë e drogës që prek kaq shumë familje këtu, në një lagje të klasës punëtore në periferi të Romës, ku shumë vetë jetojnë dita me ditë, pa siguri për të ardhmen.

Ne duhet të mësojmë të respektojmë njëri-tjetrin, t’u themi jo gjërave që janë të dëmshme dhe të zgjedhim gjithmonë atë që është e mirë, duke hedhur poshtë atë që është e dëmshme për shëndetin tonë, për shembull, duke i thënë jo drogës, një problem edhe këtu në këtë zonë! T’i themi gjithmonë «jo!» drogës dhe t’i themi gjithmonë «po!» asaj që është e shëndetshme!

Edhe ju, të rinj, keni një përgjegjësi në këtë drejtim, një dëshmi që mund t’i ndihmojë fëmijët dhe gjithashtu të përpiqeni t’i zhdukni këto probleme nga rrugët!

01 mars 2026, 19:18