Leoni XIV pret Presidencën Kolegjiale të Bosnjë-Hercegovinës
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, 9 mars, në Vatikan, Papa Leoni priti Presidencën kolegjiale të Bosnjë-Hercegovinës, të përbërë nga Željko Komšić, kryetar i radhës, Denis Bećirović dhe Željka Cvijanović. Kësht bëri të ditur një komunikate e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Pas audiencës me Papën, Presidenca u takua me imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit – thuhet në komunikatë – u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira dypalëshe. Vëmendje e veçantë iu kushtua “nevojës për një dialog gjithëpërfshirës dhe konstruktiv për të siguruar stabilitetin e vendit dhe barazinë juridiko-shoqërore të të gjithë popujve konstituivë”.
Në qendër të takimit ishin gjithashtu edhe çështjet që lidhen me “fushën rajonale dhe ndërkombëtare, si paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimi i konflikteve në vijim në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”.
