Leoni XIV: kur ndihmojmë ata që nuk mund të na e shpërblejnë, bëhemi "vegla në duart e Zotit"
R. Sh. Vatikan
Kur bëhemi "vegla" në duart e Zotit, pasqyrojmë bamirësinë hyjnore, e cila duket veçanërisht tek ndihma që u japim atyre që nuk kanë asgjë për të na e shpërblyer. Nga ky këndvështrim e vlerëson Papa Leoni XIV angazhimin e Rrjetit të Filantropisë Katolike FADICA, në një mesazh me rastin e 50-vjetorit të këtij, botuar sot, më 13 mars.
Kur u kushtojmë kohë të tjerëve dhe u dhurojmë nga të ardhurat tona
Papa e fillon mesazhin e tij duke kujtuar se si organizata, e cila mbledh kontribute nga fondacionet dhe donatorët për të mbështetur nismat e Kishës Katolike në të gjithë botën, bashkëpunon me dikastere të ndryshme të Kuries Romake. Takimi i anëtarëve të saj, i cili zhvillohet gjatë kohës së Kreshmëve, është pjesë e angazhimit të përbashkët të të gjithë të krishterëve "për të kryer vepra mëshire me zell më të madh", si edhe nëpërmjet lutjes dhe agjërimit.
Jezusi na mësoi se, kur kuptojmë si ta ndihmojmë të afërmin, duhet të imitojmë shembullin e Samaritanit të Mirë, i cili i dhuroi pa pritur asgjë në këmbim kohën dhe paratë e tij dikujt që nuk e kishte takuar kurrë më parë.
Afërsi, dhembshuri, dashuri
Shëmbëlltyra e Ungjillit, vazhdon Leoni XIV, tregon "stilin e Zotit", të cilin Papë Françesku e pati përmbledhur me fjalët: "afërsi, dhembshuri dhe dashuri".
Kur i ndihmojmë ata që kanë nevojë, veçanërisht ata që nuk mund të na e shpërblejnë, ne bëhemi vegla në duart e Zotit.
Kjo gjë ndodh, shkruan Papa, duke cituar enciklikën e tij, «Dilexi te», sepse "çdo vepër bamirësie kundrejt tjetrit është në një farë mënyre një pasqyrim i bamirësisë hyjnore".
Drejtësia shoqërore dhe dinjiteti njerëzor
Kontributi i Rrjetit të Filantropisë Katolike FADICA, vë në dukje Leo XIV, shkon nga mbështetja e drejtësisë shoqërore deri te forcimi i arsimit katolik; nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor te kujdesi për më të brishtët.
Shpresoj që puna juaj do të frymëzojë edhe të tjerët për një takim të ripërtërirë me Krishtin nëpërmjet shërbimit ndaj më të voglit prej vëllezërve dhe motrave të Tij dhe për një pjesëmarrje gjithnjë e më të vetëdijshme në misionin e Kishës.
Papa e përfundon mesazhin e tij duke u dhënë zemër të gjithëve të vazhdojnë në “misionin e lavdërueshëm” që kanë marrë përsipër, të bindur se “Zotit të gjithpushtetshëm nuk ia kalon kush për nga bujaria e Tij kundrejt atyre që u shërbejnë atyre që janë më në nevojë”.
