Leoni XIV: Kisha mirëpret bijtë e fyer në dinjitet me një propozim për jetë të plotë

Në Meshën e kremtuar në Kishën e "Santa Maria della Presentazione", Leoni XIV u bë i afërt me realitetin e famullisë të Romës, duke e inkurajuar atë të kujdeset, “si një nënë”, për brishtësinë e atyre që trokasin në derën e saj “pa i gjykuar, përkundrazi duke i mirëpritur – pohon Papa – duke i dëgjuar dhe mbështetur përballë rrezikut”.

R.SH. – Romë

Ka ende dritë, shenjë e një pranvere gjithnjë e më të avancuar, kur Papa del nga ambientet e famullisë romake të "Santa Maria della Presentazione", pas takimeve me familjet më të brishta dhe të sëmurët, dhe në procesion hyn në Kishë për të kremtuar Meshën. Bashkëkremtues janë kardinali Baldo Reina, vikari i Papës për dioqezën e Romës, famullitari don Paolo Stacchiotti dhe meshtarët e tjerë që gjallërojnë jetën e "Santa Maria della Presentazione" në Torrevecchia, don Jokens Antony dhe don Richard Kenneth.

Në banka të Kishës janë besimtarët, protagonistë të jetës së kësaj famullie periferike, të cilët me shërbimin e tyre vullnetar përpiqen të frenojnë vështirësitë që përjeton zona. E Papa i kujton ato në homelinë e tij të përqendruar në takimin e Jezusit me gruan samaritane, sipas Ungjillit të kësaj së diele të tretë të Kreshmës. Një episod që duket se i përgjigjet nevojës për “ujë të ri” që Krishti Zot zgjon në zemrën e çdo njeriu. Ungjilli i kësaj së diele, në fakt, pohon Leoni XIV, “përveçse na flet ne, flet për ne” dhe i flet “një territori me sfida të ndryshme”.

Nuk mungojnë situatat e margjinalizimit që shqetësojnë, varfëritë materiale dhe morale. Edhe adoleshentët e të rinjtë rrezikojnë të rriten të mashtruar nga shitësit e vdekjes ose të zhgënjyer për të ardhmen. Shumë po presin një shtëpi, një punë që garanton një jetë dinjitoze, ambiente të sigurta ku mund të takohen, të luajnë e të projektojnë së bashku diçka të bukur.

Të etur për shpresë

Një kuadër me ngjyra të forta: por është pikërisht tek uji që shuan etjen, te “pusi i Ungjillit”, ku diçka ndryshon.

Në këtë famulli kishtare mbërrijnë burra dhe gra të lënduar në shpirt, të fyer në dinjitet dhe të etur për shpresë. Ju takon juve detyra, urgjente dhe çliruese, të tregoni afërsinë e Jezusit, vullnetin e Tij për të shpëtuar ekzistencën tonë nga të këqijat që e kërcënojnë, me një propozim për një jetë të drejtë, të vërtetë dhe të plotë.

Kisha nënë

Papa tregon rrugën për komunitetin e krishterë duke u nisur nga Eukaristia, duke u kthyer te Fjala e Zotit që “buron në ne – pohon Ati i Shenjtë – si burim i së vërtetës” dhe që është e aftë të ndihmojë “secilin të hapë sytë, për të ditur të vlerësojë me urtësi atë që është e mirë dhe atë që është e keqe, duke formuar kështu ndërgjegje të lira dhe të rritura”.

Ju inkurajoj të bëni që aktivitetet famullitare të jenë shenjë e një Kishe që – si një nënë – kujdeset për bijtë e vet, pa i ndëshkuar, përkundrazi duke i mirëpritur, dëgjuar dhe mbështetur përballë rrezikut.

Të ecim përpara me besim

Besimi është fjala që Leoni i lë lagjes romake Torrevecchia; besimi te Zoti që është pranë dhe që, siç bëri me samaritanen, çliron me vështrimin e Tij mëshirëplotë nga plagët, duke u bërë “dhuratë” jete dhe duke e bërë atë që e pranon “një burim të së vërtetës”. Ftesa është të rizbulojmë gjatë Kreshmëve hirin e Pagëzimit i cili, “si një portë”, na futi në fe dhe në jetën e krishterë. “Zoti – shton Papa – na shoqëron gjithmonë, aty ku jetojmë dhe ashtu siç jemi”, duke na falur dhe “duke na bërë të aftë të bëhemi edhe ne nga ana jonë dhuratë për vëllezërit”.

Të dashur vëllezër dhe motra, ecni përpara me besim! Në çdo situatë, Zoti ecën me ne dhe na mbështet gjatë rrugës. Virgjëra e Shenjtë shoqëroftë gjithmonë hapat tuaj në fe dhe ju dhashtë gëzimin e të qenit lajmëtarë të përulur dhe guximtarë të Ungjillit të saj.

Në përfundim të Meshës, famullitari don Paolo Stacchiotti i dhuron Papës një kopje të ikonës së Zojës Shtegtare, e cila gjatë muajit maj dërgohet në shtegtim brenda lagjes Bastogi, ku prej tridhjetë vitesh jetojnë Silvia dhe Donatella, dy laike të kushtuara të Vëllazërisë së Mishërimit.

08 mars 2026, 18:54