Leoni XIV: informimi të mos jetë megafon i pushtetit, të tregojë fytyrën e vërtetë të luftës

Ati i Shenjtë takon në sallën Klementina redaktorët e Tg2, lajmet e kanalit të dytë të Rai-t, në 50-vjetorin e krijimit të tij. Papa u bën thirrje gazetarëve që, në epokën e inteligjencës artificiale, të bëjnë që gjithmonë të mbizotërojë "paradigma njerëzore", duke dalluar "mjetet nga qëllimet".

R.SH. / Vatikan

Në një botë të përfshirë nga konfliktet, profesionistët e informacionit duhet të përqendrohen tek “vuajtjet që lufta sjell gjithmonë tek popullatat”, të tregojnë fytyrën e vërtetë të saj, “ta rrëfejnë me sytë e viktimave”, për të mos rrezikuar që “ta shndërrojnë në një videolojë”. Ky është mesazhi që Papa Leone i jep gazetarëve gjatë takimit të 16 marsit në orën 12:00 në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik me redaktorët e Tg2, televizioni i rrjetit të dytë publik të Radiotelevizionit Italian (Rai), në rastin e 50-vjetorit të themelimit të tij.

Gjithmonë, por sidomos në rrethanat dramatike të luftës, si ato që po jetojmë, informimi duhet të ruajë distancën nga propaganda. Detyra e gazetarëve, në verifikimin e lajmeve, për të mos u bërë megafon i pushtetit, bëhet edhe më urgjente dhe delikate, mund të them esenciale.

Tregimi i kompleksitetit të realitetit

Papa Leoni universalizon “tiparet dalluese” të linjës editoriale të Tg2 si praktika të mira, të vlefshme për të gjithë gazetarët. Profesionistët e informacionit, shpjegon Papa, duhet të përballen me sfidat e profesionit të tyre me një qëndrim “laik” dhe “pluralizëm të burimeve”: duke refuzuar “parime ideologjike të paracaktuara”, duke u lënë të “surprizohen nga faktet, takimet, shikimet dhe zërat e të tjerëve”, pa në tundimin për të konsideruar “vetëm ato që konfirmojnë opinionet e tyre”.

“Diversiteti” i “pozicioneve kulturore”, vazhdon Papa, është “një vlerë e shtuar” në historinë e televizionit të dytë të Rai. Një tipar që ushqen “dialogun” dhe përfaqëson një antidot, shton Leoni XIV, “në një kohë të dominuar nga polarizimet, mbylljet ideologjike dhe sloganet, që pengojnë të shohin dhe të kuptojnë kompleksitetin e realitetit”.

“Njeriu” si rregull i komunikimit

“Ditëlindja” e Tg2 është një rast për të reflektuar jo vetëm mbi “rrugëtimin e kaluar”, por edhe mbi “sfidat” që presin gazetarinë televizive dhe profesionin e gazetarit.

Mendoj për kalimin nga sistemi analog në atë digjital, që ju e keni përjetuar si protagonistë duke shfrytëzuar mundësitë dhe duke kuptuar se asnjë risi teknologjike nuk mund të zëvendësojë kreativitetin, gjykimin kritik dhe lirinë e mendimit.

“Paradigma njerëzore”, jo ajo “teknologjike”, është faktori që duhet të “rregullojë komunikimin”, sidomos duke marrë parasysh, përfundon Leoni XIV, se “sfida e kohës sonë është inteligjenca artificiale”: kontrolli njerëzor, “që do të thotë, në fund të fundit, të dish të dallosh midis mjeteve dhe qëllimeve”.

 

16 mars 2026, 11:37