Iran, Leoni XIV: paqja nuk ndërtohet me kërcënime të ndërsjella as me armë
R.SH. – Vatikan
Erërat e luftës që fryjnë në Iran dhe në mbarë Lindjen e Mesme, ku po jetohen "orë dramatike", ngjallin "shqetësim të thellë" tek Papa. Në lutjen e Engjëllit, të dielën e dytë të Kreshmëve, u kërkoi palëve të përfshira të veprojnë "me përgjegjësi" për të shmangur skenarin shkatërrues, duke braktisur armët, dhunën dhe kërcënimet, në favor të dialogut dhe të diplomacisë. E gjithashtu, duke parë edhe mirëqenien e ardhshme të popullit.
Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen nëpërmjet kërcënimeve të anasjellta, as me armë, të cilat mbjellin shkatërrim, dhimbje dhe vdekje, por vetëm nëpërmjet dialogut të arsyeshëm, të vërtetë, të përgjegjshëm. Përballë mundësisë së një tragjedie me përmasa të mëdha, u bëj thirrje palëve të përfshira të marrin përgjegjësinë morale për të ndaluar spiralen e dhunës, përpara se të shndërrohet në humnerë të pariparueshme! Uroj që diplomacia ta rifitojë rolin e saj dhe të promovojë të mirën e popujve, të cilët dëshirojnë bashkëjetesë paqësore, të bazuar në drejtësi. E le të vazhdojmë edhe të lutemi për paqe.
Dialogu i Pakistanit me Afganistanin
Leoni XIV e shikon me dhimbje edhe një skenar tjetër lufte, atë që po jetohet në Pakistan dhe në Afganistan: skenën e përleshjeve në ditët e fundit.
Lartoj lutjen time për kthimin e ngutshëm në dialog. Të lutemi së bashku që harmonia të mbizotërojë në të gjitha konfliktet e botës. Vetëm paqja, dhuratë nga Zoti, mund t’i shërojë plagët ndërmjet popujve.
Lutje për Brazilin e mendim për Kamerunin
Papa, më në fund, siguron afërsinë e tij me popullin e shtetit brazilian të Minas Gerais, "të prekur nga përmbytjet e dhunshme", me lutje për "viktimat, për familjet që humbën shtëpitë e tyre dhe për ata që përfshihen në përpjekjet e ndihmës". Në përfundim, një përshëndetje të veçantë grupit të kamerunezëve,“që jetojnë në Romë, të shoqëruar nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të atij vendi të cilin - kujtoi Papa - me vullnetin e Zotit, do të kem gëzimin ta vizitoj në prill".
