Në foto: Leoni XIV gjatë vizitës në famullinë e Zemrës së Krishtit, në  Castrio Pretorio, Romë, 22 shkurt 2026. Në foto: Leoni XIV gjatë vizitës në famullinë e Zemrës së Krishtit, në Castrio Pretorio, Romë, 22 shkurt 2026.

Vizita e Papës në famullinë Quarticciolo – shpresë për një zonë të lënë në harresë

Leoni XIV do të vizitojë Kishën e të Ngjiturit të Zotit tonë Jezu Krishtit në Qiell, të dielën, më 1 mars – vizita e tretë e tij në famullitë e dioqezës së Romës para Pashkëve. Papa do të takohet me anëtarë të ndryshëm të famullisë, e cila i është besuar Etërve dehonianë, përfshirë fëmijët e katekizmit, të rinjtë, familjet e tyre, si edhe katër nëna të rinjsh që kanë probleme me drogën e që gjenden në burg. Më pas, Papa do të kremtojë Meshën në orën 17:00.

R.Sh. Vatikan

Quarticciolo "po pret me padurim" vizitën e Leonit XIV. Papa do të shkojë në famullinë e të Ngjiturit të Zotit tonë Jezu Krisht në Qiell, në Via Manfredonia, n 5, në Romë, që i është besuar rregulltarëve Etërve dehonianë, të dielën e ardhshme, më 1 mars, në orën 16:00. Aty do t’i dalin para, ndër tjerë, kardinali mëkëmbës i dioqezës së Romës Baldo Reina dhe famullitari, Atë Daniele Canali.

Papa Leoni XIV do të ndalet fillimisht në oborrin e Kishës, në uratore, ku do të takohet me fëmijtë e katekizmit, të rinjtë dhe familjet e tyre. Më pas, në sallën e famullisë, Leoni XIV do të takohet me "njerëzit më të cënueshëm të kësaj zone", siç i përkufizon famullitari. Ndër këta do të ketë të moshuar, të sëmurë, të varfër dhe persona me aftësi të kufizuara, si edhe vullnetarë që kujdesen për ta. Mes tyre, në këtë lagje që mbahet si një nga qendrat më të mëdha të trafikimit të drogës në Romë, janë katër nëna të rinjsh të varur nga droga e që po vuajnë dënimin me burgim. "Ato janë shenja shprese: njëra është katekiste dhe një tjetër është vullnetare e Caritas-it", shprehet famullitari atë Daniele Canali.

Emocion dhe pritje

Papë Leoni do të takohet më pas me këshillin baritor në një sallë famullie dhe, në orën 17:00, do të kremtojë Meshën në Kishën e famullisë. Në mbyllje të vizitës, Papa do të takohet me bashkësinë e rregulltarëve dehonianë.

Për ata që nuk mund të hyjnë në Kishë, një ekran i madh do të vendoset jashtë. "Kjo është vizita e tretë papnore në bashkësinë tonë", kujton famullitari. "Papa Shën Gjoni XXIII erdhi më 3 mars 1963 dhe Papa Shën Gjon Pali II, më 3 mars 1980." Ndërsa tani është radha e Papës Leoni XIV. "Ka entuziazëm të pashoq dhe mezi po pritet kjo vizitë," shton Atë Canali, ndërsa thekson: "Ne po përgatitemi jo vetëm praktikisht sepse po ndreqim gjithçka rreth e qark famullisë, por mbi të gjitha shpirtërisht, me «leximin javor». Të gjitha grupet po reflektojnë rreth figurës së Pjetrit."

Një shenjë rilindjeje

Prania e Papës është një shenjë e madhe shprese për një zonë të Romës si Quarticciolo. "Kjo bashkësi famullitare është e vogël dhe ka përjetuar kohë shumë të vështira për këtë zonë," thekson rregulltari, "por po dëshmoj se askush nuk është dorëzuar, kurrë; bashkësia ka qëndruar gjithmonë e vendosur. Më vjen ndërmend fragmenti i Izaisë profet: 'Roje, edhe sa do të zbardh dita?'.  Papa vjen të na tregojë se dita është afër. Unë e shoh kështu vizitën e Atit të Shenjtë në famullinë e Kishës tonë, si një shenjë rilindjeje për ne".

26 shkurt 2026, 17:27