Kërko

Ushtrimet shpirtërore, Papa: përvojë e thellë, u ndjeva i ftuar të reflektoj

Leoni XIV ndërhyri spontanisht në përfundim të javës së reflektimit për Kreshmën në Kapelën Paolina me Kurien Romake: "Të gjendemi të gjithë së bashku, një moment shumë i rëndësishëm i jetës sonë". Papa falënderoi predikuesin imzot Erik Varden për meditimet e përqendruara mbi dëshminë e jetës murgare dhe nënvizoi temat e shpresës, lirisë dhe së vërtetës. Së fundi, duke cituar Shën Palin, Ati i Shenjtë nxiti që të sillemi "në mënyrë të denjë për Ungjillin e Krishtit".

R.SH. – Vatikan

R.SH. – Vatikan

“Duhet të pranoj se personalisht u gjenda në disa momente veçanërisht i ftuar për të reflektuar. Për shembull këtë mëngjes, kur flitej për zgjedhjen e Papës Eugjeni III dhe Shën Bernardi tha: ‘Çfarë keni bërë? Hyji pashtë mëshirë për ju’”. Me një ndërhyrje të shkurtër spontane – dhe një batutë që ngjalli buzëqeshje te anëtarët e Kuries Romake të pranishëm në Kapelën Paolina, në Vatikan – Leoni XIV mbylli këtë mbrëmje, 27 shkurt, javën e Ushtrimeve Shpirtërore të Kreshmës që kishin nisur pasditen e së dielës së kaluar. Papa ndërhyri në mbrëmje pas meditimit të njëmbëdhjetë dhe të fundit të predikuesit imzot Erik Varden, ipeshkëv i Trondheimit në Norvegji, të cilit Leoni i drejtoi mirënjohje të thellë për shoqërimin e tij dhe të Kuries në këto ditë lutjeje dhe reflektimi.

Përvojë e thellë

“Një përvojë e thellë, shpirtërore, shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë kreshmor”, i cilësoi Leoni XIV Ushtrimet, të cilat u zhvilluan në një vend po aq simbolik: Kapelën Paolina, në Vatikan. Pikërisht kapela ku të gjithë kardinalët ishin mbledhur më 8 maj 2025 – ditën e zgjedhjes së Robert Francis Prevost – për kremtimin e Eukaristisë. Ajo që e goditi Papën, sot si atëherë, është mbishkrimi i vargut të Letrës së Shën Palit drejtuar Filipianëve: “Sepse për mua të jetuarit është Krishti e të vdekurit fitim”. Një lexim biblik që Leoni tha se e ka rrimarrë gjatë Ushtrimeve shpirtërore si “reflektim mbi shpresën dhe mbi burimin e vërtetë të shpresës që është Krishti”. Nga shkrimi paolin Papa citoi edhe një pasazh tjetër, atë ku apostulli i popujve nxit: “Silluni, pra, në mënyrë të denjë për Ungjillin e Krishtit”. Pikërisht kjo është ftesa që Leoni XIV u drejtoi të gjithëve në fund të këtyre ditëve të lutjes: “Silluni, pra, në mënyrë të denjë për Ungjillin e Krishtit”.

Liri, e vërtetë, shpresë

“Me këtë shpirt edhe të bashkimit tonë, të gjithë ne të mbledhur punojmë së bashku”, tha Papa. Ndonjëherë jemi të “ndarë”, prandaj “të gjendemi në lutje” është “një moment shumë i rëndësishëm i jetës sonë, duke reflektuar mbi shumë çështje që janë të rëndësishme për jetën tonë dhe për Kishën”. Duke shfletuar shpejt ditët që sapo kaluan, Papa Leoni përshkoi disa nga tematikat e dala gjatë njëmbëdhjetë meditimeve, duke filluar nga referenca për John Henry Newman, kardinalin anglez të shpallur prej tij Doktor i Kishës, dhe poezinë Ëndrra e Geroncit, ku teologu udhëheq lexuesin “të kundrojë frikën e vet nga vdekja dhe ndjenjën e vet të qenurit të padenjë para Hyjit”. Më pas përmendi elemente të tjera si “liria” dhe “e vërteta” të cilat, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë “aq të rëndësishme në jetën tonë”.

Falënderimi për muzikën që lartëson shpirtin drejt Hyjit

Në mbyllje të ndërhyrjes së tij spontane, erdhi edhe një falënderim nga ana e Ppa për imzot Vardenin për bashkëndarjen e “urtisë” dhe “dëshmisë” së tij dhe të jetës murgare të Shën Bernardit, për “pasurinë e reflektimeve të tij” që do të jenë edhe për shumë kohë “burim bekimi” dhe “hiri”. Mirënjohje gjithashtu edhe për bashkëpunëtorët e Zyrës së Kremtimeve Liturgjike për përgatitjen e materialit dhe për korin që shoqëroi lutjen me muzikë, e cila, vuri në dukje Papa, “na ndihmon në një mënyrë që fjalët nuk mund ta bëjnë, për të lartësuar shpirtin tonë drejt Zotit”.

27 shkurt 2026, 21:24