Kërko

Papa: vetëm zemrat e paqta mund të ndërtojnë paqe të drejtë e të qëndrueshme

Publikojmë tekstin e hyrjes së pabotuar të Papës Leoni XIV për librin “Peace be with You!” - "Paqja qoftë me ju!", botuar nga HarperCollins, në libraritë e Shteteve të Bashkuara dhe në vendet anglishtfolëse, nga 24 shkurti. Bëhet fjalë për variantin anglez të vëllimit "Dhe Let There Be Peace!", botuar në gusht 2025 nga Libreria Editrice Vaticana.

R.SH. / Vatikan

LEONI XIV

Paqja është një nga temat e mëdha të kohës sonë e, njëkohësisht, dhuratë e angazhim: dhuratë nga Zoti, e ndërtuar nga burra dhe gra gjatë shekujve.

Jetojmë në një botë të plagosur nga shumë konflikte e të goditur nga armiqësi të përgjakshme. Nacionalizmi ekstrem shkel të drejtat e më të ligshtëve. E para se të mundet në fushën e betejës, paqja mposhtet në zemrën njerëzore kur i dorëzohemi egoizmit e lakmisë, e kur lejojmë që interesat egoiste të mbizotërojnë, në vend që të shikojmë drejt së mirës së përbashkët. Shumë autorë kanë thënë se kjo ndodh kur nuk duam t’i dëgjojmë historitë e njerëzve të tjerë, të cilët nisim t'i zhveshim nga dinjiteti i tyre. Shpersonalizimi i të tjerëve është hapi i parë drejt çdo lufte. Ndërsa t’i njohësh të tjerët, do të thotë ta parashijosh paqen. Por për ta njohur, së pari duhet të dimë si të duam. Shën Augustini ka thënë se "nuk njihet askush ndryshe, përveçse nëpërmjet miqësisë" (Tetëdhjetë e tri pyetje të ndryshme, 71).

 Dëshiroj të reflektoj këtu mbi këtë përmasë të dyfishtë të paqes, e cila është vertikale (paqja, si dhuratë nga lart) dhe horizontale (paqja si përgjegjësi e çdo personi).

Paqja është dhuratë, që Zoti ua dhuroi burrave dhe grave të të gjitha kohërave, nëpërmjet lindjes së Jezusit në Betlehem. Engjëjt shpallën paqen në tokë, sepse Zoti u bë njeri. Ai e përqafoi njerëzimin aq thellësisht, sa me kryqin e tij e shkatërroi armiqësinë e mëkatit. Shën Augustini shkruan: "Edhe ne do të jemi lavdi e Zotit në qiejt më të larta kur, në ringjalljen e korpit shndërruar në shpirt, të rrëmbehemi mbi retë për të takuar Krishtin; me kusht që, tani, kur jemi në tokë, të kërkojmë paqe me vullnet të mirë" (Fjalime, 193). Lavdia e Zotit zbriti mbi dhe për të na bërë pjesëmarrës në mirësinë e tij të pafundme. Kjo dhuratë kërkon përgjegjësinë e përgjigjes sonë, të "vullnetit tonë të mirë", siç shkruan shenjti i Ipponës.

Për më tepër, paqja është dhurata që Krishti Ngjallur u ofroi dishepujve të tij. Paqe e "plagosur" nga varrët e kryqëzimit, sepse paqja e Jezusit rrjedh nga një zemër që e do dhe e lejon veten të preket nga vuajtjet e çdo kohe, e të çdo vendi. "Pas ngjalljes së tij, Jezusi Zot iu duk dishepujve dhe i përshëndeti “Paqja qoftë me ju”. Ja, paqja është përshëndetja e shpëtimit, pasi vetë fjala 'shpëtim' e merr emrin nga shpëtimi" (Shën Agustini, Fjalime, 116).

 Megjithatë, paqja është edhe angazhim e përgjegjësi për secilin prej nesh. Paqe do të thotë t'u mësojmë fëmijëve t’i respektojnë të tjerët dhe të mos i ngacmojnë kur luajnë. Paqe do të thotë ta mposhtim krenarinë tonë personale dhe t'u bëjmë vend të tjerëve, në familjet tona, në punë, në sport. Paqe është kur zemrat tona dhe jeta jonë pushtohen nga heshtja, meditimi dhe dëgjimi i Zotit; sepse Zoti nuk e bekon kurrë dhunën, nuk e miraton kurrë shfrytëzimin e të tjerëve ose abuzimin frenetik të Tokës së vetme, që po e shpërfytyron Krijimin, një përkëdhelje nga Krijuesi.

Mund të ndjehemi të pafuqishëm përballë shumë luftërave që po luftojnë në mbarë botën. Mund t'i përgjigjemi në mënyra të ndryshme asaj, që unë e quajta "globalizimi i pafuqisë": besimtarët, para së gjithash, mund t'i japin zë lutjes. Lutja është forcë "e paarmatosur", që kërkon vetëm të mirën e përbashkët, pa përjashtime. Duke u lutur, ne çarmatosim veten tonë dhe bëhemi të aftë për bujari dhe sinqeritet.

Për më tepër, zemra jonë është fusha më e rëndësishme e betejës. Atje  duhet të mësojmë fitoren pa gjak, por të domosdoshme mbi shtytjet e vdekjes dhe prirjet drejt sundimit: vetëm zemrat paqësore mund të ndërtojnë botën e paqes. Ne duhet të praktikojmë kulturën e pajtimit, duke krijuar laboratorë jo të dhunshëm, vende ku mosbesimi ndaj të tjerëve mund të bëhet mundësi për takim. Zemra është gurra e paqes; këtu duhet të mësojmë të takohemi me njëri-tjetrin, në vend që të përplasemi; të besojmë, në vend që të mosbesojmë; të dëgjojmë dhe të kuptojmë, në vend që të mbyllemi brenda vetes, larg të tjerëve.

 Së fundmi, politika dhe bashkësia ndërkombëtare kanë përgjegjësinë për të lehtësuar ndërmjetësimin në konflikte, duke përdorur artin e dialogut dhe të diplomacisë.

“O Zot Hyj, […] na e jep paqen, paqen e pushimit, paqen e së shtunës, paqen pa perëndim”: me këto fjalë të Shën Augustinit, i kërkojmë Zotit Atë t’i dhurojë botës sonë, të gjithë njerëzve, veçanërisht atyre më të harruarve e që vuajnë më shumë, hirin e bekuar të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

24 shkurt 2026, 15:18