Papa Leoni XIV lutet pranë Shpellës së Zojës së Lurdit në Kopshtet e Vatikanit Papa Leoni XIV lutet pranë Shpellës së Zojës së Lurdit në Kopshtet e Vatikanit

Papa u bashkohet kremtimeve të Ditës Botërore të të Sëmurëve

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, siç u njoftua, Leoni XIV u drejtua për në Kopshtet e Vatikanit, ku ndezi një qiri para shtatores së Zojës së Papërlyer dhe u lut së bashku me të sëmurët e pranishëm, me rastin e Ditës së sotme Botërore të të Sëmurit dhe festës së Zojës së Lurdit. Papa kërkoi bekimin e Zotit edhe për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që u qëndrojnë pranë atyre që vuajnë. Maria na mëson se çfarë janë vuajtja dhe dashuria

R.SH. / Vatikan

Është një ditë shumë e bukur që na kujton afërsinë e Marisë, nënës sonë, e cila gjithmonë na shoqëron dhe na mëson aq shumë: çfarë do të thotë vuajtja, dashuria, dhe dorëzimi i jetës në duart e Zotit.

Leoni XIV iu drejtua kështu grupit të njerëzve të sëmurë që e pritën sot paradite te Shpella e Zojës së Lurdit në Kopshtet e Vatikanit, ku Papa shkoi pas audiencës së sotme përgjithshme, mbajtur në sallën Pali VI. Përpara shtatores të së Lumes Virgjër Mari të Lurdit, Papa Leoni ndezi një qiri si shenjë të lutjes së tij “për të gjithë të sëmurët, të cilët sot, në Ditën Botërore të të Sëmurit, i kujtojmë me dashuri të veçantë”, siç pati thënë gjatë audiencës së përgjithshme. Dhe Papa kështu iu drejtua të pranishmëve te Shpella e Zojës së Lurit në Kopshtet e Vatikanit:

Sot, në këtë ditë të të sëmurëve, dëshirojmë të lutemi në bashkim me të gjithë ata që vuajnë në mbarë botën. Lutemi për ju. Sinqerisht ju falënderoj që bëtë këtë përpjekje për të ardhur dhe për të na shoqëruar në këtë çast lutjeje, këtu para nënës sonë, Marisë, në kujtimin e saj liturgjik, Zojës së Lurdit.

Bekimi edhe për mjekët, infermierët dhe asistentët

Përpara lutjes "Të falemi Mari" dhe bekimit i pjesëmarrësve, e Papa e mbylli kështu takimin e sotëm me të sëmurët në në Kopshtet e Vatikanit:

Kërkojmë edhe bekimin e Zotit për ju, për të gjithë të sëmurët në këtë ditë dhe gjithmonë, si dhe për të gjithë ata që shoqërojnë shkencat mjekësore, mjekët, infermierët, dhe njerëzit e shumtë që na qëndrojnë pranë, veçanërisht në çastet më të vështira.

11 shkurt 2026, 13:51