Papa: shëndeti në rrezik për faj të luftës, cënimi më i pabesueshëm i jetës
R.Sh. Vatikan
Mbrojtja e jetës dhe e shëndetit vihet në rrezik nga shfrytëzimi i "burimeve të mëdha ekonomike, teknologjike dhe organizative" për prodhimin e armëve dhe pajisjeve të tjera luftarake. Ky është denoncimi i fortë i Papa Leonit në anglisht në audiencën e paraditen e sotme , 16 shkurt, që u shqiptua para pjesëmarrësve në Asamblenë Plenare të Akademisë Papnore për Jetën, e cila u përqëndrua te tema e Kujdesit Shëndetësor për të Gjithë:
Qëndrueshmëria dhe Barazia.
Papa Leoni XIV në audiencë foli për "pabarazi të mëdha" në lidhje me mundësinë për shfrytëzimin e kujdesit mjekësor dhe parandalimin e sëmundjeve në "një botë të shkatërruar nga konflikti", faktorë që ndikojnë tek jetëgjatësia e njerëzve.
Fatkeqësisht, sot nuk mund t’i injorojmë luftërat, të cilat nuk kursejnë objektet civile, përfshirë spitalet, dhe përbëjnë sulmin më të pakuptimtë që vetë njeriu drejton kundër jetës dhe shëndetit të të gjithëve.
Jo të gjitha jetët janë të barabarta
"Shpesh thuhet," nënvizoi me të madhe Papa, "se jeta dhe shëndeti janë vlera të rëndësishme njëlloj për të gjithë, por një deklaratë e tillë është hipokrite nëse në të njëjtën kohë lëmë në harresë shkaqet strukturore dhe politikat që përcaktojnë pabarazitë."
«Pavarësisht deklaratave dhe fjalimeve, në të vërtetë, jo të gjitha jetët respektohen njëlloj, dhe shëndeti nuk mbrohet e as nuk ka përkujdesje shëndetësore të njëllojtë për të gjithë.» - tha mjaft haptas Ati i Shenjtë Leoni XIV.
Një vështrim i përgjithshëm rreth disa faktorëve të ndryshëm
Duke kujtuar fjalët e Papa Françeskut rreth shëndetit si një "e drejtë universale, për të cilën shërbimet shëndetësore nuk mund të quhen privilegj", Papa u përqendrua te lidhja që ka midis shëndetit të secilit prej nesh me atë të të gjithëve. Kjo lidhje u demonstrua qartë nga pandemia Covid-19, e cila nxori në pah se si "ndihma e ndërsjellë dhe varësia që kemi nga njëri-tjetri janë themeli i shëndetit tonë dhe i vetë jetës".
Kjo varësi nga njëri-tjetri kërkon dialog midis fushave të ndryshme siç janë politika dhe etika, dhe gjithashtu nënkupton "veprime politike, sociale dhe teknologjike" në lidhje me "familjen, punën, mjedisin dhe shoqërinë në tërësi". Prandaj, thirrja për përgjegjësinë e të gjithëve për ta parë shëndetin si një grup faktorësh që duhet kundruar në të gjithë anët e ndërlikuara që ka.
«Do të doja të përsërisja se ne duhet të përqendrohemi jo "te fitimi i menjëhershëm, por tek ajo që do të jetë gjëja më e mirë për të gjithë, duke ditur të jemi të duruar, bujarë dhe mbështetës, duke krijuar lidhje dhe duke ndërtuar ura, duke krijuar rrjete, duke optimizuar burimet, në mënyrë që të gjithë të ndihen veprimtarë dhe përfitues nga puna e përbashkët".»
Pabarazitë që vërehen te jetëgjatësia
Papa gjithashtu thekson rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve, gjithmonë nga një këndvështrim më i gjerë, sepse "gjendja ku jetojnë komunitetet, janë rezultat i politikave sociale dhe mjedisore, dhe këto kanë ndikim te shëndeti dhe jeta e njerëzve".
«Kur shqyrtojmë jetëgjatësinë – dhe jetën plot shëndet – zbulojmë pabarazi të mëdha në vende dhe grupe të ndryshme shoqërore. Këto pabarazi varen nga faktorë të tillë si pagat, kualifikimet arsimore deri edhe tek lagjja (madje edhe brenda të njëjtit qytet).» – u shpreh Leoni XIV.
"Një shëndet"
Duke pasur parasysh sa thamë, nocioni "Një shëndet", që nxitet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një qasje shumëdisiplinore, e plotë dhe e përbotshme, përfaqëson një rrugë për t'u ndjekur për zhvillim më të ekuilibruar. Kjo temë na tregon se jeta njerëzore nuk ekziston pa krijesat e tjera, dhe pikërisht kjo metodë, pohon Leoni XIV, është në harmoni me bioetikën gjithëpërfshirëse – një fushë studimesh kjo për Akademinë Papnore të Jetës.
Lidhur me veprimtarinë publike, Papa shtoi se nisma “Një Shëndet” kërkon të plotësohet përmasa e nocionit të shëndetit në të gjitha politikat (transporti, strehimi, bujqësia, punësimi, arsimi e kështu me radhë), me vetëdijen se shëndeti ndërtohet me ndërthurjen e të gjitha anëve të jetës shoqërore".
«Prandaj, ne duhet të forcojmë kuptimin dhe punën tonë në dobi të së mirës së përbashkët, në mënyrë që ajo të mos neglizhohet nën presionin e interesave të veçanta, individuale dhe kombëtare.»
Besimi kundrejt mosbesimit
"E mira e përbashkët": një shprehje që sjell ndërmend afërsinë mes njerëzve dhe për këtë arsye, mundësinë e "kombinimit të efikasitetit, solidaritetit dhe drejtësisë", nëpërmjet një kulture demokratike së cilës i pëlqen pjesëmarrja. "Ne duhet," shpjegon Papa, "ta fitojmë rishtas qëndrimin përballë kujdesit shëndetësor si mbështetje dhe afërsi me të tjerët," sepse të gjithë jemi të cënueshëm.
Vetëm kështu do të jemi në gjendje të zhvillojmë sisteme më efikase dhe të qëndrueshme të kujdesit shëndetësor, që përmbushin nevojat shëndetësore në një botë me fonde të kufizuara. Kështu do të rivendosim besimin te mjekësia dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor, pavarësisht keqinformimit dhe mosbesimit në lidhje me shkencën.
Në fund të fjalës së vet, Papa Leoni XIV grishi që të forcohen marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shumëpalëshe për bashkëpunimin dhe bashkërendimin për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit – detyra këto të organizatave ndërkombëtare. Urimi i Papës Prevost ishte që këto organizma të dëshmojnë "stilin e Zotit", i cili kujdeset për secilin prej fëmijëve të Tij.
