Papa me seminaristë nga dioqeza të ndryshme spanjolle (@VATICAN MEDIA) Papa me seminaristë nga dioqeza të ndryshme spanjolle (@VATICAN MEDIA)

Papa, seminaristëve: të rrënjosur në Zotin, për të mos qenë pemë të thata

Duke takuar bashkësitë e katër seminareve spanjolle, Leoni XIV i nxiti të "kenë perspektivë mbinatyrore mbi realitetin" e "marrëdhënie të gjallë" me Zotin. Përndryshe, "praktikat e mira - si studimi, lutja, jeta në bashkësi - mund të bëhen boshe" e "konformizëm i thjeshtë". Themeli i çdo formimi meshtarak është të rrish me Zotin dhe të formohesh nga brenda; ta shohësh Zotin duke vepruar dhe ta njohësh si punon në jetën e vet dhe në atë të popullit të Tij.

R.SH. / Vatikan

Të kesh "marrëdhënie të gjallë dhe konkrete" me Zotin, ta "praktikosh" "praninë" e Tij, të "mësosh të njohësh" "veprimin" e Tij në jetën e përditshme, të jesh i rrënjosur në Të dhe kështu të angazhohesh në çdo veprimtari. Papa Leoni XIV ua kërkoi këtë komuniteteve të seminareve spanjolle të Alcalá de Henares, Toledos e Katalonjës dhe Kartagjenës (ndërdioqezane), pritur sot, 28 shkurt, në audiencë në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. "Burim gëzimi i vërtetë" për Papën, mirëpritur nga priftërinjtë dhe seminaristët, së bashku me familjet e tyre, me himnin augustinian "Tardi t'amai"“Vonë të desha”.

 Tarde te amé, belleza infinita, tarde te amé, tarde te amé, belleza tanto antigua y tan nueva.

(Vonë të desha, bukuri e pafund, vonë të dua, të dua vonë, ty bukuri kaq e vjetër e edhe kaq shumë e re).

 Edhe Papa e këndoi melodinë; pastaj, duke folur pa letër në spanjisht, bëri një shaka të këndshme: "Me këtë këngë të bukur, do të them se do t'i çoj të gjithë seminaristët te augustinianët, e pastaj ipeshkvijtë do të më tregojnë diçka tjetër". Foli kështu e, më pas, shtoi se "fjalët e Shën Agustinit mund të na tregojnë shumë", dhe se "ajo frymë dashurie" për të cilën flet kënga "është diçka që duhet ta jetojmë edhe ne".

 Një marrëdhënie e gjallë me Zotin

Duke rifilluar fjalimin e  përgatitur në lidhje me formimin, Ipeshkvi i Romës rekomandoi leximin e letrës që e dërgoi më 4 nëntor të vitit të kaluar në Seminarin e San Carlos dhe San Marcello në Trujillo, Peru,  institucion në të cilin ai ishte anëtar për disa vite.

Pastaj u përqendrua në "diçka që në heshtje qëndron në themel të gjithçkaje tjetër": "të kesh një perspektivë mbinatyrore mbi realitetin". E për të shpjeguar më tej fjalët e tij, citoi Chesterton, shkrimtar, gazetar, kritik letrar, kritik arti e poet britanik : "Hiqni mbinatyroren dhe nuk do të gjeni të natyrshmen, por të panatyrshmen".

 Njeriu nuk është bërë për të jetuar i mbyllur në vetvete, por në  marrëdhënie të gjallë me Zotin. Kur kjo marrëdhënia errësohet ose dobësohet, jeta fillon të zbulohet nga brenda. E panatyrshme nuk është vetëm skandalozia; mjafton të jetosh duke injoruar Zotin në jetën e përditshme, duke e përjashtuar Atë nga kriteret dhe vendimet me të cilat i afrohemi ekzistencës.

Ta njohësh veprimin hyjnor në ngjarjet e përditshme

Do të ishte e panatyrshme që një seminarist ose një prift të fliste "për Zotin me familjaritet", por të jetonte "brenda vetes sikur prania e Tij të ekzistonte vetëm në nivelin e fjalëve, e jo në thellësitë e jetës", vërejti Leoni, duke paralajmëruar se "asgjë nuk do të ishte më e rrezikshme sesa të mësohesh me gjërat e Zotit, pa jetuar për Zotin". Në vend të kësaj, "gjithçka fillon - dhe gjithmonë kthehet - në marrëdhënien e gjallë dhe konkrete me Atë, që na zgjodhi pa asnjë meritë tonën", theksoi Papa.

Të kesh një vegim të mbinatyrshëm, nuk do të thotë të ikësh nga realiteti, por të mësosh për ta njohur veprimin e Zotit në ngjarjet konkrete të çdo dite. Kjo perspektivë nuk improvizohet, e as nuk delegohet, por mësohet dhe praktikohet në rrjedhën e zakonshme të jetës. Pikërisht për këtë arsye, nëse vegimi mbinatyror është kaq themelor për jetën e krishterë, është edhe më shumë për ata që veprojnë in persona Christi.

Ta vësh Zotin në qendër të jetës së dikujt "duhet të përkthehet në zgjedhje konkrete jetësore çdo ditë", sepse përndryshe "praktikat e mira në thelb - të tilla si studimi, lutja, jeta në bashkësi - mund të bëhen të zbrazura dhe të shtrembëruara nga brenda, duke u shndërruar në konformitet të thjeshtë". "Praktikimi i pranisë së Zotit", megjithatë, "e mban zemrën zgjuar, e jetën, të përqendruar vazhdimisht tek Ai".

Të jesh thellësisht i rrënjosur në Zot

Papa paralajmëroi kundër "intensitetit të aktivitetit" dhe "vëmendjes së thjeshtë ndaj pamjes së jashtme", të cilat nuk janë "frytdhënëse". Ashtu si me pemët, për të cilat thuhet se "'vdesin në këmbë': ato qëndrojnë drejt, duke ruajtur pamjen e tyre të jashtme, por brenda janë tashmë të thara", "diçka e ngjashme mund të ndodhë në jetën e një seminari ose seminaristi - e më vonë në jetën e priftit".

Jeta shpirtërore jep fryte për çka që shihet, por për çka është thellësisht e rrënjosur në Zotin. E kur ajo rrënjë lihet pas dore, gjithçka përfundon duke u tharë nga brenda, derisa, në heshtje, përfundon duke "vdekur në këmbë".

Të formohesh nga brenda

"Të jesh me Mësuesin": kjo është "perspektiva mbinatyrore" që duhet të kemi, këmbënguli Leoni, duke kujtuar se "Jezusi i thirri ata që i donte, 'të rrinin me Të'".

Ky është themeli i çdo formimi meshtarak: të rrish me Të dhe ta lejosh veten të formohesh shpirtërisht; të shohësh Zotin duke vepruar dhe ta vëresh se si punon në jetën tënde dhe në atë të popullit të tij. Prandaj, ndërsa burimet njerëzore, psikologjia dhe mjetet formuese janë të çmuara dhe të nevojshme, ato nuk mund ta zëvendësojnë këtë marrëdhënie.

Veprimi i Shpirtit Shenjt

Në udhëtimin e tij, në çdo mënyrë, Shpirti i Shenjtë është "protagonisti i vërtetë", përfundoi Papa, sepse "Ai e plazmon zemrën, na mëson t'i përgjigjemi hirit dhe përgatit një jetë të frytshme në shërbim të Kishës". Dhe e gjithë kjo ndodh "në ngjarjet e zakonshme të çdo dite, ku secili vendos nëse do të qëndrojë me Zotin, apo do të kërkojë të mbështetet vetëm në forcat e veta".

28 shkurt 2026, 11:46