Papa rregulltarëve: shkoni drejt më të varfërve dhe atyre që askush nuk i arrin
R. SH. – Vatikan
Ungjilli i shpallur ndërmjet plagëve të historisë e të botës. Dinjiteti i mbrojtur kur njeriu trajtohet si ingranazh produktiv. E guximi i një "po"-je, që mund të kushtojë jetën e dikujt. Ky, filli i kuq i Misionarëve Oblatë të Marisë së Papërlyer - në 200-vjetorin e miratimit të Rregullave dhe Kushtetutave të tyre - dhe Motrave të Zojës së Apostujve, 150 vjet pas themelimit. Duke i pritur në audiencë sot paradite, më 21 shkurt, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik të Vatikanit, Papa Leoni XIV u kërkoi të dyja palëve ta ruajnë "frymën familjare" të vërtetë dhe bujare, të aftë për t'i bërë bashkësitë "pasqyra të dashurisë së Zotit në botë".
Afërsia me punëtorët e shfrytëzuar si "burime prodhuese"
Papa u përqendrua fillimisht në moton e zgjedhur nga Shën Eugjeni de Mazenod për themelimin e Misionarëve Oblatë: "Ai më dërgoi për t’i ungjillëzuar të varfrit", marrë nga Libri i Izaisë Profet - i quajtur manifest guximi. Kjo shprehje u poq në një kontekst historik, ndërmjet shekujve 18-të e 19-të, kur "Evropa ishte e tronditur nga ngjarje të ndërlikuara dhe dramatike", duke e bërë shpalljen e Ungjillit urgjente për të fundmit të shoqërisë.
Janë të forta fjalët dhe veprimet e tij në mbrojtje të dinjitetit të të varfërve, punëtorëve dhe fermerëve, të shfrytëzuar si burime prodhuese e të injoruar në nevojat më të thella të natyrës së tyre njerëzore.
Bindja ndaj frymëzimeve të Shpirtit
Po aq i mprehtë dhe "provokues", vëren Papa Leoni XIV, është guximi me të cilin Shën Eugjeni, ish-Ipeshkëv i Marsejës, iu përgjigj kërkesës për ndihmë nga Kryeipeshkvi i Montrealit, Imzot Bourget, duke dërguar rregulltarë fillimisht në Kanada, e më pas në Evropë, Afrikë dhe Azi. Bujari, që i dha jetë një vepre të lulëzuar misionare e profesionale.
Kjo dëshmon se bindja ndaj frymëzimeve të Shpirtit Shenjt dhe vëmendja ndaj nevojave urgjente të bamirësisë janë, për çdo fondacion, burim frytdhënës dhe katalizator për rritje.
Drejt atyre që "askush nuk i arrin"
Sot, me më shumë se tre mijë rregulltarë të pranishëm në shtatëdhjetë vende të botës, shërbesa e Misionarëve Oblatë vijon t’i kushtohet më të vegjëlve, theksoi Papa. Vepra vijon të pasurohet nga ndërkulturaliteti në rritje, "dhuratë", e në të njëjtën kohë "shenjë", e cila mbetet kujtim i gjallë i origjinës së institutit. Leoni XIV, më pas, u bëri jehonë fjalëve të Papës Françesku drejtuar Misionarëve Oblatë gjatë një audience, në tetor 2022:
Kësaj Kishe, të cilën Themeluesi ju mësoi ta doni si nënë, ofrojani zellin tuaj misionar dhe jetën tuaj, duke marrë pjesë në heksodin e saj në periferitë e botës së dashur nga Zoti dhe duke jetuar karizmën që ju tërheq tek më të largëtit, më të varfrit, atyre që nuk i arrin askush.
Dëshmi ungjillore, ndërmjet sëmundjeve e martirizimit
Më pas Papa u drejtohet Motrave të Zojës, duke nisur përsëri me moton e tyre, të frymëzuar nga Veprat e Apostujve: "Me Marinë, Nënën e Jezusit". Kjo moto u propozua nga Atë Augustine Planque, themelues, një shekull e gjysmë më parë, i kongregatës që siguron "praninë e domosdoshme femërore" në veprat e Shoqërisë së Misioneve Afrikane.
Shumë gra iu përgjigjën thirrjes së tij, nga Franca e shumë vende të tjera, duke pranuar sfidën e qëndrimit me Marinë, për të qenë, si ajo, dëshmitare të Krishtit ndërmjet apostujve e në botë. Shumicës prej tyre, ajo "po" u kushtoi jetën, për shkak të ashpërsisë së punës misionare, ekspozimit ndaj sëmundjeve e, në kohët e fundit, martirizimit.
Kjo nuk i çkurajoi rregulltaret, të cilat vazhdojnë të punojnë në rrethana të vështira, duke i ofruar shërbim të vëmendshëm çdo njeriu dhe duke dëshmuar vëllazërinë e paqen, siç u kërkon ta bëjnë vetë Papa, duke kujtuar thirrjen e Shën Gjon Palit II me rastin e Ditës VI të Jetës së Kushtuar, në shkurt 2002.
"Familjariteti i përbashkët"
Leoni XIV e përfundoi fjalimin e tij duke kujtuar "njohjen" e përbashkët të dy instituteve fetare. Ajo lindi nga takimi me Zotin e rrjedh nga Eukaristia, nga lutja dhe adhurimi, si dhe nga dëgjimi i Fjalës dhe kremtimi i Sakramenteve të tjera.
Prej andej, nga Altari dhe Tabernakuli, rritet në zemra, duke i mbushur me ndjenjat e ndarjes së përbashkët dhe të dashurisë, të kujdesit dhe afërsisë së durueshme, të cilat duhet të na karakterizojnë gjithmonë e të na bëjnë pasqyrë të dashurisë së Zotit në botë.
