Papa: rendi publik të luftojë krimin dhe gënjeshtrat që lëndojnë shoqërinë

Në fjalimin e tij drejtuar prefektëve të Italisë, Leoni XIV pohon se një hapësirë civile e lirë nga trazirat favorizon pritjen e më të nevojshmëve, qetësinë e të moshuarve dhe besimin tek e ardhmja për familjet, të sëmurët dhe të rinjtë. Angazhimi për të mbrojtur të mirën e përbashkët, thekson Ati i Shenjt[, është "i pakonkurrueshëm me aspektet materiale", pasi prek edhe trashëgiminë "morale dhe shpirtërore" të Republikës.

R.SH. – Vatikan

Të reduktosh mbrojtjen e rendit publik vetëm në represionin "e detyrueshëm" të krimit dhe trazirave do të thoshte ta varfërosh atë, ta zbrazësh nga përmasa e tij "morale dhe shpirtërore". Rendi në një hapësirë civile është mjedisi ku nevojtarët gjejnë pritje pa pengesa, të moshuarit mund të banojnë në qytet me qetësi, familjet mund të ndërtojnë e jetojnë me besim, dhe të sëmurët e të rinjtë mund të shohin drejt së nesërmes pa frikë, të mbështetur nga shërbimet efikase dhe marrëdhëniet e solidariteti. Ky është vizioni i gjerë dhe i lartë i të mirës së përbashkët që Papa Leoni XIV u beson prefektëve të Italisë në fjalimin e mbajtur sot paradite, 16 shkurt, në Sallën Klementine në Vatikan.

Shën Ambrozi: shembull i ndërthurjes mes Shtetit dhe Kishës

Ati i Shenjtë Leoni XIV vuri në pah se si përvoja e jetës së pajtorit qiellor të prefektëve, Shën Ambrozit të Milanos, mishëron afrimin mes Shtetit dhe Kishës. Nga zyrtar i kryeqendrës lombarde, Milano, ai u bë ipeshkëv "me thirrjen e popullit", duke ushtruar shërbesën e tij në një mënyrë të përtërirë, duke vënë autoritetin shpirtëror në shërbim të popullit. Një analogji tjetër, vëren Papa, shfaqet në epokën e lashtësisë së vonë, kur roli i prefektit dhe shërbesa episkopale pasqyroheshin në titujt që tregonin si menaxhimin e gjësë publike, ashtu edhe administrimin e komunitetit të krishterë.

Rendi publik si hapësirë etike

Duke u kthyer në të tashmen, misioni i prefektëve për t'i shërbyer Shtetit duke garantuar sigurinë e qytetarëve mbetet i paprekur. Konteksti i sotëm, i shënuar nga konflikte ndërkombëtare, përforcon rëndësinë e mbrojtjes së të mirës së përbashkët, e cila përfshin thesarin moral të Republikës Italiane.

Kur hapësira civile është e lirë nga çrregullimet, të varfrit gjejnë më lehtë pritje, të moshuarit provojnë më shumë qetësi dhe shërbimet për familjet e të rinjtë përmirësohen. Mbrojtja e rendit nuk është vetëm luftë kundër kriminalitetit, por kërkon një angazhim "këmbëngulës" kundër çdo forme të "dhunës, gënjeshtrës dhe vulgaritetit, sjelljes së pahijshme" që gris indin social.

Shërbimi dhe ndërgjegjja

Papa citon Shën Augustinin: "Ata që urdhërojnë janë në shërbim të atyre që duket se urdhërohen... jo nga etja për sundim, por nga detyra e kujdesit". Ky parim përputhet me nenin 98 të Kushtetutës Italiane, që pohon se punonjësit publikë janë në "shërbimin ekskluziv të Kombit".

"Nga njëra anë, ligjet janë shprehje e vullnetit popullor, nga ana tjetër ndërgjegjja bëhet interpretuese e njerëzisë suaj personale: të dyja duhen ruajtur të lira nga presionet", u tha Papa prefektëve të Italisë. Të jesh prefekt kërkon "disiplinë të brendshme" dhe një "ndërgjegje të pastër". Ati i Shehnjtë shfaqi shpresën se autoriteti i tyre do të ndihmojë në përmirësimin e fytyrës së burokracisë.

Sfidat e reja: Inteligjenca Artificiale dhe migracioni

Roli i prefektit shfaqet më së miri në raste urgjencash dhe fatkeqësish natyrore. Papa Leoni XIV përmendi edhe sfidat e inteligjencës artificiale në administratën publike, e cila duhet të qeveriset me kujdes që të jetë në dobi të të gjithëve dhe jo vetëm të një elite.

Leoni XIV e mbylli fjalimin duke siguruar bashkëpunimin e vazhdueshëm të Kishës, veçanërisht përmes ipeshkvijve për pritjen e emigrantëve dhe mbështetjen e nevojtarëve. Besimi i komunitetit të krishterë dhe vlerat fetare që ai mishëron, përfundoi Papa Leoni XIV fjalimin drejtuar prefektëve të Italisë, kontribuojnë kështu në rritjen kulturore dhe sociale të Italisë.

16 shkurt 2026, 11:54