Famullia romake e Santa Maria Regina Pacis në Ostia Lido Famullia romake e Santa Maria Regina Pacis në Ostia Lido

Papa në famullinë "Regina Pacis" të Ostias, takim me të rinjtë, të varfrit dhe të sëmurët

Vikariati i Romës publikon programin e vizitës së parë baritore nga pesë vizitat që Papa do të kryejë në famullitë romake në prag të Pashkëve. Në bashkësinë e besuar Etërve Pallotinë, ku do të mbërrijë të dielën më 15 shkurt, Leoni XIV do të takojë realitete të ndryshme, duke përfshirë fëmijët e katekizmit, qindra të rinj, të sëmurë, vullnetarë, dhe më pas do të kremtojë Meshën në orën 17:00.

R.SH. - Vatikan

Famullia kishtare e "Santa Maria Regina Pacis" në Ostia Lido, afër Romës, do të jetë e para që do të pranojë vizitën baritore të Papa Leonit XIV: të dielën e ardhshme, Ati i Shenjtë do të jetë në bashkësinë famullitare që ndodhet në numrin 13 të sheshit me të njëjtin emër, e besuar Kongregatës së Shoqërisë së Apostullimit Katolik (Etërve Pallotinë). Leoni XIV do të mbërrijë në orën 16:00 dhe menjëherë do të takojë fëmijët e katekizmit dhe të rinjtë, gjithsej rreth 400 djem e vajza, të cilët do ta Papën presin në fushën pas Kishës. Më pas do të jetë radha e të moshuarve, të sëmurëve, të varfërve dhe vullnetarëve të Caritas-it (400 persona gjithsej), të cilët do ta presin Atin e Shenjtë në palestër.

Kremtimi Eukaristisë

Në orën 17:00, Papa Leoni do të kryesojë Meshën e Shenjtë, e cila do të bashkë-meshëhohet nga kardinali Vikar i dioqezës së Romës Baldo Reina, nga ipeshkvi i sektorit të Jugut dhe zëvendësi i dioqezës, imzot Renato Tarantelli Baccari, si dhe nga famullitari dom Giovanni Vincenzo Patanè. Mes të tjerëve, do të jenë të pranishëm edhe famullitarët e Ostias, kapelani i Guardia di Finanza don Francesco Chiantera dhe prefektët e sektorit të Jugut të qytetit të Romës. Në përfundim të kremtimit të Eukaristisë, Papa do të takojë këshillin baritor në një sallë të famullisë. Më pas, para se të kthehet në Vatikan, Ati i Shenjtë do të ndalojë për të përshëndetur besimtarët e mbetur jashtë, të cilët do ta kenë ndjekur Meshën përmes ekranit gjigant të montuar për këtë rast.

Famullitari: një privilegj i madh

"Është domethënëse që famullia e parë e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për vizitat e tij baritore i kushtohet Marisë, Mbretëreshës së Paqes – vëren famullitari don Patanè –; që nga fillimi i papnisë të tij, Leoni XIV ka treguar vëmendje të madhe ndaj kësaj teme dhe ka folur për 'paqen e çarmatosur dhe çarmatosëse'. Ostia, gjithashtu, ndonëse pjesë e dioqezës së Romës, ka veçantinë e saj që ka pajtorin e vet qiellor, Shën Augustinin, shumë i dashur për Papën tonë i cili është rregulltar augustinian".

Lajmi i kësaj vizite baritore, tregon më tej don Patanè, është pritur me emocion të madh nga e gjithë bashkësia famullitare. "Për të mos krijuar pabarazi, biletat i kemi shpërndarë me short", shpjegon ai. "E jetojmë si privilegj faktin që jemi bashkësia e parë që viziton Papa Leoni XIV... është gjithashtu edhe një rast i mirë për të bërë pastrimin e ambienteve dhe për të rregulluar disa gjëra!", bën shaka meshtari. "Është Papa, por për ne ai është mbi të gjitha ipeshkvi ynë, bariu që viziton Kishën e tij".

12 shkurt 2026, 12:24