Papa Vullnetarëve të Mëshirës: në shërbim të të tjerëve me thjeshtësi e dashuri
R.SH. / Vatikan
Të pranishëm në "situata të ngutshme, në zona lufte" dhe në jetën e përditshme me "një mijë shërbime të fshehura solidariteti", "të përkushtuar" për të ecur përkrah të tjerëve, duke i njohur si "vëllezër" dhe "motra", "secili me dinjitetin dhe historinë e vet". Këto janë Misericordie-t, përvoja vullnetare, të cilat që nga Mesjeta i ndihmuan ata që kanë nevojë e vuajnë, me çdo formë ndihme të mundshme, si materiale, ashtu edhe morale. Papa Leoni XIV e kujtoi këtë në audiencën me anëtarët e Konfederatës Italiane, sot paradite, më 14 shkurt, në Vatikan. Mbi 200 përfaqësues nga gjithë Italia ishin të pranishëm, së bashku me delegacione ndërkombëtare nga Misericordie-t e Ivano-Frankivskut (Ukrainë), Elbasanit (Shqipëri), Varshavës (Poloni) dhe Betlehemit (Toka e Shenjtë), përfshirë edhe Imzot Franco Agostinelli-n, Korrektorin e Përgjithshëm, dhe Domenico Giani-n, Presidentin Kombëtar të Konfederatës.
Të rritesh në shpirt
Gjatë fjalimit të tij, Papa u përqendrua në fillimet e shoqatës së Misericordie-s, pastaj u drejtoi të pranishmëve një inkurajim të fortë:
Synoni të rriteni në shpirt dhe të shërbeni me gëzim e thjeshtësi, larg nga çdo logjikë pushteti, të kushtuar lavdisë së Zotit e të mirës së atyre, që Zoti i vendos në rrugën tuaj.
Lindur "në Firencen e shekullit të 13-të, në një klimë luftërash dhe konfliktesh të brendshme "civile dhe kishtare", me nxitjen e Shën Pjetrit Martir dhe Piero di Luca Borsit, të cilët i inkurajuan disa besimtarë laikë të "ndiqnin rrugë të ndryshme përkushtimi dhe shërbimi", Misericordiet u përhapën më pas "me shpejtësi" "së pari në të gjithë gadishullin italian, pastaj në vise të tjera", "nga Portugalia e, prej andej, në Amerikë", kujtoi Papa.
Përshpirtëria
Historia e Misericordie-ve, që sot përfshin mbi 670,000 anëtarë dhe 100,000 vullnetarë aktivë, afërsisht në 700 degë italiane dhe "që mishëron tri përmasa të rëndësishme të jetës së krishterë laike: përshpirtërinë, bamirësinë dhe vëmendjen ndaj nevojave të sotme", shton Papa. Lidhur me aspektin e parë, nxit "formimin e krishterë të anëtarëve, përmes lutjes, katekizmit e besnikërisë ndaj sakramenteve - veçanërisht Meshës të së Dielës dhe rrëfimit - si dhe koherencës morale në zgjedhjet dhe stilet e jetesës, sipas vlerave të Ungjillit dhe traditës së shoqatës".
Domethënëse, për Papën Leoni, Misericordie-t: figurat e "Rojtarëve të Mëshirës, laikëve që frymëzojnë laikët" dhe "korrektorëve", domethënë "ndihmësve shpirtërorë, parë jo si udhërrëfyes të jashtëm ndaj bashkësisë, por si 'bashkë-rektorë', ndihmës, lehtësues dhe shoqërues udhëtimi, shërbesa e të cilëve ushtrohet dhe pranohet në një klimë bashkëpërgjegjësie, përkatësie emocionale dhe bashkimi" në "përpjekjen e përbashkët për t'u rritur në përsosjen e krishterë".
Bamirësia
Lidhur me përmasën e bamirësisë, Papa renditi disa nga nismat e Misericordie-s: "Shtëpitë e Noi, Emporiumet e solidaritetit, Bankat ushqimore, kujdesi në shtëpi dhe shërbimet e dëgjimit e të mbështetjes", përmes të cilave "vendosen marrëdhënie besimi dhe shtigje riintegrimit shoqëror me njerëzit".
Historia juaj dëshmon se një jetë e vërtetë feje nuk mund të reduktohet në spiritualizëm të patrup, por rrjedh domosdoshmërisht në ndjeshmëri ndaj nevojave të të tjerëve dhe në shërbim bujar dhe të pakursyer.
Vëmendje ndaj nevojave të sotme
Lidhur me "vëmendjen ndaj nevojave të sotme", vëren Papa, atë e ushqejnë "themeli i fortë shpirtëror dhe komunitar" dhe "zelli për të mirën e të tjerëve".
Për shekuj me radhë, Misericordie-t qenë dëshmitare të aftësisë për t'u përshtatur e për t’u përditësuar, duke dëshmuar se puna "së bashku" dhe "me dashuri" na ndihmon të veprojmë lirisht dhe në mënyrë krijuese. Kjo është e dukshme në aktivitetet e shumta dhe të larmishme që u përqafuan gjatë qindra viteve, sipas nevojave të të tjerëve.
Ndërmjet nismave të ndryshme, kujtojmë ato të "fratres - vëllazërive", lindur kohët e fundit për të promovuar kulturën e dhënies përmes dhurimit të gjakut, organeve dhe indeve, dhe "'Mëshira e Vogël', në të cilën mësohet të praktikohet bamirësia që nga fillimi, që në fëmijëri".
