Papa në Ostia:"të mësojmë përputhshmërinë mes fesë dhe jetës"
R.Sh. Vatikan
Ostia – qyteza e kripës dhe e historisë, ku puhiza e detit përkëdhel mermerin e lashtë, një vend shenjtorësh dhe lundërtarësh, ku plagët e bandave kriminale shërohen nga puna e njerëzve të ndershëm, të varfër përsa i përket mjeteve, por të pasur në qëllime. Sot kjo qytezë mirëpriti Papa Leonin XIV. Ati i Shenjtë Prevost mbërriti në bregdetin romak rreth orës 15:45 pasdite për një vizitë në famullinë e Santa Maria Regina Pacis, e para nga pesë famullitë që do të vizitojë deri para Pashkëve. Aty i uroi mirëseardhjen kardinali mëkëmbës i dioqezës së Romës, Baldo Reina dhe famullitari, Atë Giovanni Patané. Turma brohoriti me hare të jashtëzakonshme për Papën, por edhe me krenari meqë është famullia e parë që mirëpret Papën. Në këtë port të antikitetit ku zbritën prej anijeve apostujt e parë të Jezu Krishtit, pikërisht këtu, Papa Leoni nisi vizitat e tij nëpër famullitë e Romës, si ipeshkëv që është.
«Kjo është vizita e parë në një famulli në dioqezën time të re. Jam shumë i lumtur që po filloj prej këndej, prej Ostias. Aq më tepër, pastaj, në një famulli që mban emrin e Shën Marisë Mbretëreshë të Paqes, kaq e rëndësishme për këtë kohë që po jetojmë.»
Dhuna ekziston dhe plagos
Qyteza e Ostias del shpesh në lajme për dhunën që "ekziston dhe plagos", – denoncoi vetë Papa në predikimin e tij gjatë Meshës. Dhunë që nganjëherë zë rrënjë midis të rinjve dhe adoleshentëve, "ndoshta e nxitur nga përdorimi i narkotikëve" ose "nga organizatat kriminale që shfrytëzojnë njerëzit, duke i përfshirë në krime e që ndjekin interesa të padrejta me metoda të paligjshme dhe të pamoralshme". Për këtë arsye, Leoni XIV u dha zemër të pranishme të shikojnë lart, si perspektivë, por në të njëjtën kohë "poshtë", domethënë, të vërejnë shoqërinë, për t'i dhënë jetë veprimit baritor dhe edukues që ngjall respekt, harmoni me "fuqinë çarmatosëse të butësisë". Këto kundërshtojnë "kulturën e abuzimit dhe të padrejtësisë".
Pritja me krahëhapur e popullit
Këto fjalë, kuptimplote dhe të vërteta, Ati i Shenjtë Leoni XIV i shqiptoi përpara një numri të madh të rinjësh, familjesh dhe emigrantësh, të varfërish dhe të sëmurësh, meshtarësh, murgeshash, vullnetarësh, punonjësish baritorë dhe përfaqësuesish të autoriteteve civile. Të gjithë kishin dalur ta prisnin Papën Prevost nëpër vendet ku u zhvillua vizita e tij, nën një diell të pazakontë gati pranveror dhe një erë të ftohtë deti. Fëmijët kërcenin dhe këndonin ndërsa më të rinjtë brohoritnin "Papa Leoni!". Më pas, lëshuan në ajër një tullumbace me formën e një luani të vogël. Më të moshuarit duartrokitnin dhe u kërkonin fqinjëve të tyre t'i ndihmonin duke përhapur me mjetet e komunikimit një video: "Shikoni kush është këtu: Papa në Ostia!"
Ndërkaq, Leoni XIV i shikonte të gjithë. I përshëndeste të gjithë, u jepte bekimin fëmijëve, dhe përkëdhelte kapelat të rinjëve skaut, pa harruar të përkulej për të përshëndetur invalidët dhe të sëmurët në karroca me rrota. Leoni madje bëri shaka me disa çifte dhe fëmijë më të gjallë. Papa iu drejtua grupeve të ndryshme duke improvizuar, duke u kërkuar atyre të luten me të "Falemi Mari" ose "Ati Ynë".
Papa të rinjve: "Ju jeni shpresa."
Të parët, të mbledhur në oborr, janë fëmijët dhe të rinjtë e grupeve të katekizmit, të uratores, të lëvizjes «Ripërtëritja në Shpirt», të «Ecjes Neokatekumenale» dhe skautët e Evropës, të cilët i dhuruan Papës shaminë e tyre. Të gjithë brohoritnin me gjithë shpirt për të tërhequr vëmendjen e Papës dhe për ta afruar drejt zonave ku kishin zënë vend. Aty, Papa Leoni XIV mori në dorë mikrofonin. Famullitari Atë Giovanni Patané e paraqiti Ipeshkvin e Romës, Papën Leonin XIV para besimtarëve, dhe i kërkoi një "fjalë shprese dhe bekimi" për të pranishmit.
Menjëherë Papa filloi të flasë: «Famullitari juaj më kërkon t’ju them një fjalë shprese: ju jeni shpresa! Dhe ju duhet ta pranoni se në zemrat tuaja, në jetën tuaj, në rininë tuaj, ka shpresë, për sot dhe nesër.»
Leoni XIV ripohoi gëzimin që gjendej në Ostia dhe për "kremtimin e Eukaristisë, ku të gjithë ripërtërijmë besimin tonë në Krishtin" – nënvizoi ai. "Jezusi është gjallë, me ne, dhe na jep shpresë për të jetuar në paqe, dashuri dhe miqësi", – u tha Papa besimtarëve.
«Paqja qoftë në familjet tona, Zoti i bekoftë të gjitha familjet tona, të gjitha familjet e kësaj famullie dhe paqja mbretëroftë vërtet midis nesh të gjithëve.» – vijoi Ati i Shenjtë.
Në mes të moshuarve dhe të sëmurëve
Mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve, vizita vazhdoi në palestrën aty pranë. "Ja ku është!" vjen nga jashtë, u dëgjua menjëherë një thirrje e madhe që shpërtheu nga tribunat. Ishin djemtë e një klubi lokal basketbolli me trajnerët e tyre. Papa i përshëndeti dhe madje vuri nënshkrimin e tij te një top dhe disa uniforma, por së pari kaloi pranë të sëmurëve, të ulur në rreshtin e parë, të veshur me shalle dhe batanije. Ata i shtrënguan dorën Papës dhe disa shpërthyen në lot. Ndër ta, një grua mburreje me fjalët se në jetë kishte përshëndetur katër Papë. Një grup fëmijësh, gjithashtu të veshur me të gjelbër, u mblidhën rreth skenës së kuqe ku Leoni XIV foli përsëri pa letër:
«Kur po hyja, disa prej jush më thanë diçka të bukur, dhe dua të filloj me ato fjalë, më thatë, "Mirë se vini!" Dhe po them se ndihem vërtet i mirëpritur midis jush! Faleminderit që më uruat mirëseardhjen!» – tha Ati i Shenjtë buzagaz.
Pas duartrokitjeve të zjarrta, Papa përshëndeti me kokë dhe buzëqeshi.
"Kjo është një nga shumë shenjat e një bashkësie autentike të krishterë, të një famullie të vërtetë, ku të gjithë mësojmë të themi 'Mirë se vini'", vazhdoi ai. Nuk është vetëm një fjalë, por shenjë e një fryme mikpritëse: "Hapni derën dhe mirëpritni të gjithë: katolikë, jokatolikë, besimtarë ose jobesimtarë. Le të jemi gjithmonë një komunitet mikpritës."
Vlerat e sportit
Duke iu drejtuar atletëve të rinj, Papa foli më pas për sportin, dhe përmendi edhe Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Milano-Cortina.
«Sporti na mëson të jemi vëllezër dhe motra, të lëmë mënjanë dallimet dhe të themi: "Ne të gjithë duam të punojmë si një skuadër", "Ne duam të jemi pjesë e një grupi që i lë mënjanë dallimet dhe gjithmonë kërkon qëllimin.» – pohoi edhe një herë Leoni XIV.
Mesha
Në Kishën famullitare, e cila në 2028 do të festojë 100-vjetorin e saj, por është rinovuar me një stil modern, Papa hyri pas një procesioni të shkurtër jashtë, shoqëruar me himne liturgjike dhe përshëndetjet e qindra njerëzve në oborrin e kishës që ndiqnin vizitën e tij në ekrane gjigante. Atmosfera – brenda dhe jashtë – ndryshoi kur nisi Mesha. Askush nuk duartrokiste ndërsa Papa ecte drejt altarit. Të gjithë bënin shenjën e kryqit. Të ulurit ishin rreth 400 vetë: "Janë zgjedhur me short për të mos treguar asnjë preferencë", shpjegoi Dom Giovanni, famullitari.
Prej kësaj kishe, pasqyrë e jetës në qytetin e Ostias, Papa Leoni u foli besimtarëve për "besnikëri ndaj Zotit të bazuar te respekti dhe kujdesi për të tjerët në shenjtërinë e tyre të pacënueshme, gjë që duhet kultivuar, e që renditet para gjesteve dhe fjalëve, te zemra jonë". Sepse pikërisht në zemër lindin "ndjenjat më fisnike", por edhe "përdhosjet më të dhimbshme": kyçja në vetevete, zilia, xhelozia, ndjenjat e liga.
«Kur e vërejmë se edhe ne po na gjykojnë dhe po na përçmojnë të tjerët, le të na bjerë ndërmend se e liga që shohim në botë i ka rrënjët pikërisht aty ku zemra bëhet e ftohtë, e ngurtë dhe pamëshirshme.» – nuk ngurroi të thoshte Papa.
Famullia: shkollë ndershmërie dhe mikpritjeje, kundër abuzimit dhe padrejtësisë
Ostia i përjeton të gjitha këto dukuri të mbrapshta. Në këtë pikë, Papa denoncoi me të madhe veset e mbrapshta me fjalët: "Për fat të keq, dhuna ekziston dhe dhemb". Ajo është e përhapur midis të rinjve, nxitet nga trafiku i drogës ose nga organizatat kriminale që shfrytëzojnë, bllokojnë dhe synojnë "interesa të padrejta dhe për t’i arritur, përdorin metoda të paligjshme dhe të pamoralshme".
Këto janë dukuritë që Papa na nxiti të gjithëve t'i përballojmë duke dhënë nga vetja "me bujari dhe guxim" në mënyrë që të përhapim "farën e mirë të Ungjillit" në rrugë dhe shtëpi.
«Mos iu dorëzohuni kulturës së abuzimit dhe padrejtësisë. Në vend të kësaj, përhapni respektin dhe harmoninë, duke filluar me çarmatosjen e gjuhës dhe më pas me investim energjish dhe fondesh për arsimin, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.»
Famullia mund të jetë me të vërtetë një shkollë ndershmërie, mikpritjeje dhe dashurie. Një dashuri "që i tejkalon kufijtë". Ftesa e Leonit XIV ishte, në fakt, të "mësojmë të ndihmojmë jo vetëm ata që na e shpërblejnë të mirën por edhe ata që nuk na përshëndesin; t'u drejtohemi të gjithëve lirisht dhe pa kërkuar shpërblim; të mësojmë koherencën midis besimit dhe jetës". – nënvizoi Papa Leoni XIV
«Edhe ata që janë skllevër të së ligës, le të takojnë, nëpërmjet teje, Hyjin e dashurisë, të vetmin që çliron zemrën dhe sjell lumturi të vërtetë.»
Thirrja për paqe në qiellin me re të zeza të botës
Me të njëjtën frymë, Papa i besoi një detyrë edhe më të madhe familjes së Mbretëreshës së Paqes, e cila – përmendi ai – u pat krijuar nga Benedikti XV në kulmin e Luftës së Parë Botërore, si "një rreze drite në qiellin ngjyrë plumbi të luftës". Dhe pas më shumë se njëqind vjetësh, ka ende shumë "re" që e errësojnë botën, "me përhapjen e logjikave që i bien ndesh Ungjillit, të cilat lartësojnë epërsinë e më të fortit, nxisin arrogancën dhe ushqejnë mujshinë me çdo kusht, janë logjika të shurdhta ndaj britmës së atyre që vuajnë dhe të pambrojturve".
«Le t'i kundërvihemi kësaj prirjeje me fuqinë çarmatosëse të butësisë, duke vazhduar të kërkojmë paqe dhe të mirëpresim e kultivojmë dhuratën e saj me këmbëngulje dhe përulësi.» – nënvizoi Leoni XIV
Takim me Këshillin baritor
Para Meshës, Papa u takua me anëtarët e këshillit baritor. Ishte një takim që ai vetë e kërkoi, në përputhje me një traditë që e ka ruajtur gjithmonë gjatë vizitave të tij në famulli, në Peru: "Një nga gjërat që gjithmonë e konsideroja shumë të rëndësishme ishte pikërisht takimi – sado i shkurtër – me këshillin baritor të famullisë". "Lutja" dhe "përvoja e besimit" janë ato që Papa ua la amanet atyre që, ndonjëherë edhe me "sakrificë", e kalojnë kohën e tyre në famulli:
"Ka kaq shumë për të bërë. Nganjëherë shqetësohemi e themi, a po vjen Papa? Si do të organizohemi? Po për të Mërkurën e Përhime? apo për veprimtari të tjera e festa famullie. Shumë mirë! Megjithatë, nëse nuk jemi një bashkësi që beson, që jeton dhe dëshmon çfarë do të thotë të jesh dishepuj të Jezusit, besimtarë, atëherë të gjitha veprimtaritë në fund të fundit dalin paksa boshe, sepse u mungon ndjenja e vërtetë e të qenit katolik, i krishterë, miq të Jezusit".
Më pas, Ati i Shenjtë, vijoi e vuri në dukje se, veçanërisht "në një zonë të qytetit që ka vështirësitë e saj, famullia duhet të jetë vendi ku njerëzit mund të vijnë dhe gjithashtu të gjejnë një njeri që i dëgjon. Kisha duhet të jetë e hapur, të ketë veprimtari me të rinjtë, të japë, të bëjë një përpjekje të madhe për shërbesën rinore." Prej këndej buroi edhe grishja për "sinodalitet", e Papës, për të "ecur së bashku" dhe gjithashtu për të "dalë", për të "shkuar përpara", për të "kërkuar të tjerët".
«Mos qëndroni brenda kishës dhe të thoni: "Në rregull, ata që vijnë janë mjaft". Kurrë nuk janë mjaft! Ftojini njerëzit, mirëpritni, shoqërojini!» – e mbylli Papa Leoni fjalën e vet drejtuar këshillit baritor të famullisë në Ostia.
