Kërko

Papa kujton kardinalin Pengo: "Bari i urtë dhe i butë"

Në një telegram, Leoni XIV shprehu dje ngushëllimet për ndarjen nga jeta e kardinalit Pengo, në moshën 81 vjeç. Papa i dërgoi ngushëllimet kryedioqezës së Dar-es-Salaam, ku Pengo ishte bari, dhe e vlerësoi shërbimin e tij për formimin e klerit, për SECAM-in dhe për Selinë e Shenjtë.

R.SH. / Vatikan

Bari "i mençur e i butë", që ia kushtoi shërbesën e tij të gjatë Kishave vendase dhe formimit të klerit në Afrikë. Kështu e kujtoi Papa Leoni XIV kardinalin Polikarp Pengo, i cili ndërroi jetë dje, më 20 shkurt, në moshën 81 vjeç, në Dar-es-Salaam, kryedioqezë e Tanzanisë ku shërbeu si kryeipeshkëv për gati tridhjetë vjet. Zë autoritar në Kishën afrikane, Pengo qe prift për gati 55 vjet, ipeshkëv për 42 vjet, e pikërisht sot do ta kishte kremtuar 28-vjetorin e purpurës.

Në një telegram dërguar Kryeipeshkvit të tanishëm të Dar-es-Salaam, Jude Thaddaeus Ruwa'ichi, Papa shprehu keqardhjen për ndarjen e Kardinalit nga jeta, duke e shoqëruar me "ngushëllime të përzemërta" për klerin, rregulltarët dhe besimtarët laikë të kryedioqezës. Më pas kujtoi "me mirënjohje" veprimtarinë shumëvjeçare të Kard. Pengo në shërbesën ipeshkvnore ndër kisha të ndryshme lokale dhe "shërbimin në Simpoziumin e Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit", si dhe në Selinë e Shenjtë.

Papa ia porositi shpirtin e kardinalit të ndjerë mëshirës së Krishtit dhe u dha bekimin apostolik të gjithë atyre, që e vajtojnë ndarjen e tij nga jeta.

21 shkurt 2026, 12:11