Kërko

simboli i hirit simboli i hirit

Papa: Kreshma, kthimi i zemrës dhe agjërimi nga fjalët

Në përshëndetjet e tij gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Leoni XIV inkurajon besimtarët ta jetojnë këtë kohë të fuqishme shpirtërore të Kreshmës duke u lutur “për të arritur, të rinovuar në brendësi, në kremtimin e misterit të madh të Pashkës së Krishtit”

R.SH. – Vatikan

Koha e Kreshmës që hapet sot, më 18 shkurt, me procesionin pendestar nga Kisha romake e Shën Anselmit në Bazilikën e Shën Sabinës, në Romë, dhe Meshën e kremtuar nga Papa Leoni me bekimin dhe vendosjen e përhimjes, që do të mbahet pasdite në orën 17.  Një udhë shpirtërore që Ati i Shenjtë Leoni XIV e kujton disa herë në përshëndetjet e tij në gjuhë të ndryshme gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, duke ftuar besimtarët, siç kishte bërë në Mesazhin e tij për Kreshmën, më 5 shkurt, “të vendosim misterin e Zotit në qendër të jetës sonë, në mënyrë që feja jonë të gjejë një shtytje dhe zemra jonë të mos hutohet mes shqetësimeve dhe shpërqendrimeve të përditshme”.

Drejt Pashkës

Lutja është një nga porositë kryesore të Papës, i cili fton besimtarët, në përshëndetjen e tij në gjuhën italiane, të kalojnë Kreshmën duke parë misterin e Pashkës.
"Ju ftoj ta jetoni këtë kohë liturgjike me një shpirt të thellë lutjeje, për të arritur, të rinovuar në brendësi, në kremtimin e misterit të madh të Pashkës së Krishtit, shpallja më e lartë e dashurisë së mëshirshme të Zotit".

Një zemër e hapur

Lutja, për Papën, në Mërkurën e Përhime bëhet një shprehje e gatishmërisë tonë për dhuratat që Hyji u ofron bijve të tij. Kështu tha Ati i Shenjtë duke përshëndetur besimtarët e gjuhës gjermane.
"Sot, në ditën e së Mërkurës së Përhime, kërkojmë nga Zoti që të na ndihmojë të pranojmë me zemër të hapur hirin që dëshiron të na dhurojë gjatë kësaj kohe të Kreshmës, që të mund të sjellim fryte të pasura shpëtimi për ne dhe për vëllezërit tanë".

Dhurata e konvertimit

Një zemër që, nëse konvertohet, gjeneron dashuri për të tjerët: këtë theksoi Papa Leoni duke përshëndetur shtegtarët që flasin anglisht.
"Pasi sot fillojmë udhëtimin tonë kreshmor, kërkojmë nga Zoti që të na falë dhuratën e një konvertimi të vërtetë të zemrës, në mënyrë që të mund të përgjigjemi më mirë ndaj dashurisë së Tij për ne dhe ta ndajmë këtë dashuri me ata që na rrethojnë".

Agjërimi nga fjalët

Në spanjisht, Papa rekomandon agjërimin nga fjalët që mund të bëhen armë që godasin dhe dëmtojnë. Një gjuhë pa armë që, gjithashtu në Mesazhin e Kreshmës, Papa Leoni XIV e pati quajtur "një formë shumë konkrete dhe shpesh të paçmuar e abstenimit".
"Sot, në Mërkurën e Përhime, fillojmë Kreshmën, një kohë hiri dhe konvertimi. Kërkojmë nga Zoti që të na përgatisë zemrat për të dëgjuar dhe për të zbatuar Fjalën e Tij, duke agjëruar nga veprimet dhe komentet që lëndojnë të tjerët dhe na largojnë nga Zemra e Tij plot mëshirë".

Veprat e mëshirës

Një konvertim i vërtetë gjatë Kreshmës është mesazhi drejtuar besimtarëve të gjuhës portugeze; thirrja për lutje për shtegtarët e gjuhës kineze, ndërsa për ata polakë, Papa kërkon vepra mëshire, si një rrugë për takimin me Zotin, duke iu referuar shenjtes Faustina Kowalska. Më 22 shkurt, përveç kësaj, shënohet edhe 95-vjetori i shfaqjes së parë të Jezu Krishtit të Mëshirshëm kësaj mistike polake.
Që nga ajo kohë, ka nisur një kapitull i ri në përhapjen e kultit të Mëshirës Hyjnore përmes Kurorës dhe pikturës së njohur me titullin "Jezus, besoj në Ty". Kreshma duhet të jetë një kohë takimi me Krishtin përmes Sakramentit të Pajtimit a Rrëfimit dhe veprave të mëshirshme.

18 shkurt 2026, 11:48